Analiza

10% e familjeve në Shqipëri kanë internet në shtëpi

Mar 15 2010
0 Shpërndarje
10% e familjeve në Shqipëri kanë internet në shtëpi

Sipas Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, së bashku me shtrirjen e konsiderueshme të telefonisë mobile në Shqipëri, po vërehet edhe një lëvizje në shërbimin e internetit.

Në bazë të raportit rreth 80 mijë familje, marrin shërbimin e internetit broadband në shtëpitë e tyre, ndërkohë numri i atyre që kanë këtë shërbim në biznes arrin në tetë mijë.

Sipas të dhënave që ofron AKEP, gjatë vitit të kaluar numri sipërmarrësve që ofrojnë shërbimin e internetit broadband arriti në 90 sosh. E siç duket në këtë ka ndikuar ulja e tarifave nga kompanitë, gjë që ka rritur interesin e shqiptarëve për të lidhur internetin në shtëpitë tyre.

Shpejtësia e internetit që ofrohet në Shqipëri llogaritet diku në mes 256 kb/s deri në 3 Mb/s. Por ka edhe shpejtësi më të larta të cilat përdoren më së shumti nga bizneset. Për shkak të zhvillimeve pozitive në këtë treg, shërbimin e internetit më së shumti gjatë vitit të kaluar kanë filluar ta ofrojnë edhe kompanitë mobile.

Deri në fund të 2009-s, numri i abonentëve me kontratë dhe parapagim për shërbimin e internetit arriti në 785 mijë, ndërsa nëpërmjet kartave modem në 4 mijë.

Shtrirja me ritme të larta të internetit të vend ka rritur edhe numrin e “domaineve” me “.al”.

Deri në fund të vitit të shkuar janë 1182 faqe interneti të cilat mbarojnë me “.al”.

Rreth 310 të tjera kanë prapashtesën “.com.al”, 160 të cilat më së shumti janë faqe të institucioneve shtetërore mbarojnë me “.gov.al”.

Janë edhe 93 faqe të cilat kanë prapashtesën “.org.al” ndërsa institucionet arsimore kanë rreth 75 faqe të cilat përfundojnë me “.edu.al”.

Lajmet e fundit>