Ja se si

11 shfrytëzime të mundshme për një PC të vjetër

May 7 2011
0 Shpërndarje
11 shfrytëzime të mundshme për një PC të vjetër

Më në fund arritët të blini një PC të ri. Ai ka memorie me shumicë, bërthama të panumërta dhe një kartelë grafike moderne. Por tani kompjuteri juaj i vjetër do të duhet të qëndrojë nën hije dhe ju ndiheni fajtor për idenë e flakjes së tij tërësisht. Në fund të fundit, ai po funksionon pa telashe.

Ja disa mënyra për ta shfrytëzuar për të mirë atë sistem.

1. Konvertojeni në një server

Nëse keni një rrjet shtëpie me anëtarë të familjes në të, shfrytëzimi i PC-së së vjetër si NAS (magazinim i lidhur në rrjet) apo edhe si server, mund të jetë gjë e duhur.

Megjithatë, nuk është thjesht çështje e lidhjes së PC-së së vjetër në rrjet. Shumica e sistemeve desktop nuk janë të konfiguruara të përdoren si serverë apo sisteme magazinimi. Së pari për shkak se shpenzojnë shumë energji. Ju duhet të konfiguroni BIOS-in për të menaxhuar energjinë elektrike dhe të rregulloni ftohësit që të punojnë pa bërë zhurmë (nëse ekziston ky opsion). Ju gjithashtu duhet të vendosni sistemin operativ që duhet, në mënyrë që të mos fiket kompjuteri në kohë të papërshtatshme, por në anën tjetër të punojë në gjendje shfrytëzimi të ulët të energjisë, kur nuk e përdorni në mënyrë aktive.

Ndoshta më së miri është të vini në funksion serverin pa monitor, pa tastierë dhe pa mi. Gjersa do t’ju nevojiten një ekran dhe pajisjet hyrëse për përgatitjen e sistemit, kini parasysh që sistemi i ripërdorur më pas do të funksionojë ashtu si duhet edhe pa to.

Gjithashtu, sistemi operativ sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë i përshtatshëm aq sa duhet për magazinim, në veçanti për shumë përdorues. Windows XP, Vista dhe Windows 7 mund të funksionojnë si njësi magazinimi për disa përdorues, por juve do t’ju duhet të krijoni llogari për këdo që dëshiron të ketë akses në të.

Një zgjidhje tjetër më e mirë është instalimi i një sistemi të duhur operativ për rrjet. Një zgjidhje është Windows Home Server, por kushton 100$ dhe mund të kërkojë harduer më të ri.

Një alternativë është FreeNAS. Softueri me kod të hapur (find.pcworld.com/71101) është dizajnuar që ta kthejë një PC në një magazinim të lidhur me rrjet dhe bazohet në një BSD pa pagesë (një variant i Linux). Nëse nuk jeni të sigurt rreth asaj që dëshironi, ju mund të shkarkoni FreeNAS si një version LiveCD; i cili është një skedar ISO që kur incizohet në një CD, do të startojë nga një njësi optike dhe do të funksionojë bazuar në memorien tuaj. Ju mund të ruani sistemin e vjetër operativ në hard diskun tuaj derisa të vendosni se FreeNAS i plotëson nevojat tuaja.

2. Dhurojani institucioneve të arsimit

Nëse PC-ja juaj nuk është për muze, merrni në konsideratë mundësinë e dhurimit të tij një shkolle lokale apo një qendre të ngjashme. Ai mund të futet në shfrytëzim edhe për laboratorë kompjuterikë të shkollave të mesme ose ndoshta nxënësit do të mund të fusin në shfrytëzim pjesë të ndryshme të tij.

Nëse i futeni kësaj rruge, konsideroni blerjen e pakove softuerike edukative me kosto të ulët dhe parainstalimin e tyre para se ta ofroni si donacion. Kini parasysh që të ofroni detajet e nevojshme të të gjitha licencave të softuerëve që keni instaluar.

3. Kthejeni në një kuti eksperimentale

A keni dëgjuar për Linux dhe jeni kurioz ta provoni, por nuk parapëlqeni një kompjuter me dy sisteme operative? Atëherë është koha për të eksperimentuar me kutinë tuaj të vjetër.

Provoni Ubuntu (ubuntu.com), distribucionin atraktiv të Linux, që e pëlqejnë shumë entuziastë të teknologjisë. Gjëja e më e mirë me Linux është se ka përkrahjen e nevojshme të integruar për të gjitha llojet e harduerit më të vjetër, kështu që instalimi i tij në fakt është i lehtë, madje për disa më i lehtë se instalimi i Windows. Dhe mos harroni se një sërë aplikacionesh pa pagesë do të jenë të gatshme për ju me Linux.

Një numër sistemesh operative me bazë në Linux janë në ofertë: nga FreeBSD apo PC-BSD (bazuar në versionin Berkley Unix) e deri tek OpenSolaris, që bazohet në versionin UNIX të Sun Microsystems.

4. Dhurojani një të afërmi

Unë e bëj këtë gjatë gjithë kohës. Vëllai i gruas sime ka nevoja modeste kompjuterike, kështu që unë shpesh i dhuroj atij kompjuterët e mi që i kanë kaluar dy vjet përdorim, megjithëse zakonisht fus në pako një kartelë të nivelit mesatar apo fillestar.

Në përgjithësi, nuk e rekomandojë të bëni të njëjtën gjë edhe me fëmijët tuaj – ata shpesh kanë nevojë për një PC me më shumë kuaj fuqi sesa ai që përdorni ju rregullisht (jashtë lojërave dhe foto editimeve).
Dhurimi i një sistemi anëtarëve të familjes suaj nënkupton që ju do të fitoni epitetin e personit që luan rolin e “përkrahësit teknik”. (Për më shumë rreth asaj se si ta luani këtë rol shikoni “Si të rregulloni problemet familjare të PC-ve (find.pcworld.com/70375).

Mos harroni të fshini tërësisht hard diskun tuaj dhe të instaloni sistemin operativ nga e para.
Këto procedura që po jua rekomandoj ju ndihmojnë ta riktheni kompjuterin në fazën e hershme kur e keni blerë.

5. Dedikojeni për kompjuterikë të shpërndarë

A dëshironi të bëni mirë për njerëzimin? Ç’mendoni sikur ta dedikoni PC-në tuaj për projekte kompjuterike të shpërndara publikisht?
Më i njohuri është [email protected], i cili shfrytëzon resurse kompjuterike nga anembanë bota për të ndihmuar në studimin e renditjes së proteinave; një element esencial në kuptimin e asaj se si veprojnë shumë sëmundje. Opsion tjetër i mirë është edhe [email protected] (studim për inteligjencë artificiale jashtëtokësore), por edhe projekte të tjera të ndryshme hulumtuese dhe bamirëse (gjeni linqet nga një version online i këtij artikulli (find.pcworld.com/71059).

6. Shihni a funksion si server për lojëra

A keni një lojë multiplayer që e pëlqeni shumë? Nëse po, shikoni mundësinë nëse mund ta vendosni në një host server në PC-në tuaj lokale sepse kështu do të mund ta ktheni sistemin tuaj të vjetër në një server të dedikuar për lojëra.

Sistemet më të vjetra që janë përdorur si serverë të dedikuar për lojëra nganjëherë nuk kanë nevojë për shumë fuqi.

7. Përdoreni për lojëra klasike

Ideja e serverit për lojëra fut si opsion edhe mundësinë e shfrytëzimit të sistemit për lojëra klasike. Për shembull, nëse ju instaloni Windows 98 në sistemin tuaj, do të mund të luani lojëra më të vjetra të Windows 95 dhe DOS  – duke pasur parasysh se keni lojëra të tilla diku në shtëpi. Shërbimet e tjera online si Steam dhe Impulse ofrojnë lojëra më të vjetra, të cilat janë rishkruar të punojnë edhe me sisteme të reja operative. DOSBox është një vegël tjetër që mundëson emulimin e një ambienti DOS. Ndoshta njëra prej faqeve më të mira për lojëra të vjetra është Good Old Games (www.gog.com), e cila ofron shumë tituj të vjetër dhe që të gjithë punojnë mirë në sisteme të reja operative. Nëse keni dëshiruar të ktheheni pas dhe të luani Planescape Torment, tani është rasti juaj.

A ju pëlqejnë lojërat arkadë? Mos u shqetësoni për centët: instaloni softuerin MAME (Multiple Arcade Machine Emulator). Ai do t’ju mundësojë të luani tituj klasikë të krijuar për konsola më të vjetra, duke ju ofruar akses në ROM dhe skedarë të tjerë që ju duhen për lojëra. Softueri MAME mund të bëhet një shpenzues gjigant i kohës, kështu që quajeni veten të paralajmëruar.

8. Shndërrojeni në një server të dytë kompjuterik 

Nëse jeni krijues përmbajtjesh dhe shfrytëzoni përmbajte si 3DSMax, Adobe After Effects apo Sony Vegas, prania e një PC-je tjetër mund të ndihmojë në shpërndarjen e renderit dhe në përshpejtimin e punëve në projekte komplekse.

Çdo aplikacion trajton renderin e shpërndarë në mënyrën e vet, kështu që konsultohuni me dokumentet e nevojshme. Por zakonisht do t’ju duhet të instaloni një aplikacion të lehtë në sistemin e dytë për render, i cili mund të marrë të dhënat dhe komandat nga sistemi primar dhe më pas i kthen rezultatet kur mbaron punë. Aplikacioni kryesor në sistemin tuaj të prodhimit apo një aplikacion i ndarë menaxhimi e menaxhon tenderimin përgjatë sistemeve të lidhura në rrjet.

9. Vendoseni si sistem për detyra të lehta në dhomën e ndenjes

Familja ime ka një PC të vogël në dhomën e ndenjes, që shpesh përdoret për shfletim të shpejtë në internet dhe për kontrollim të postës elektronike, madje fëmijët nganjëherë e përdorin edhe për detyrat e shtëpisë. Kjo mund të bëhet në veçanti nëse keni magazinim të lidhur me rrjet, në mënyrë që njerëzit të mund të futen në skedarë, qofshin ata në një sistem personal apo në një të përbashkët. Juve do t’ju duhet të vendosni edhe një fjalëkalim të fuqishëm, pasi do të keni shumë përdorues që lidhen dhe shëtisin nëpër sistem.

10. Shfrytëzoni pjesët e tij

Nëse keni aftësi për t’i bërë punët vetë dhe dëshironi të krijoni PC-në tuaj, atëherë kjo mund ta reduktojë koston për sistemin tuaj të ri duke shfrytëzuar pjesë të caktuara nga i moçmi. Në radhë të parë, ju do të mund të shfrytëzoni njësinë optike, furnizuesin e rrymës dhe nganjëherë edhe modulet e memories. Varësisht se sa e përdorni, dallimi mes një sistemi të ri dhe një të avancuari mund të jetë i vogël; nëse zëvendësoni pllakën amë, CPU-në, memorien dhe hard diskun primar, por ruani furnizuesin e rrymës, kartelën grafike dhe ujësinn optike, a mund të quhet ai një sistem i ri apo i avancuar? Kjo le t’ju mbetet juve për ta vendosur dhe realisht kjo na vendos edhe para pikës së 11-të.

11. Shiteni

Diku në eBay dikush po kërkon kompjuter. Ata mund të mos jenë në gjendje të blejnë një PC të ri apo po kërkojnë për një të dytë për familjen. Kompjuteri juaj i vjetër me një çmim të përshtatshëm mund të jetë ajo që u duhet. Nëse çdo gjë shkon si duhet, të gjithë janë fitues: ju hiqni qafe harduerin e vjetër duke e dërguar një shtëpi të mirë me përdorues të rinj që e vlerësojnë si duhet.

Megjithatë gjërat nuk janë aq të thjeshta. Së pari ka mashtrues edhe në Craigslit edhe në eBay, të cilët kërkojnë shitës të paditur. Gjithnjë kini kujdes kur dikush dëshiron të përdorë Western Union dhe ka një adresë jashtë Amerikës.

Rregulla ime është që t’i mbani shitjet në zonat lokale nëse bëhet fjalë për Craigslits dhe të shisni vetëm në SHBA nëse bëhet fjalë për eBay. Gjithashtu përdorimi i një faqeje si PayPal (që kërkohet për shfrytëzimin e eBay) mund t’ju shtojë një dozë sigurie. Lexoni “Si të shisni PC-në dhe pajisjet tuaja të tjera” tek (find.pcworld.com/70212) për më shumë këshilla rreth shitjes së pajisjeve tuaja të vjetra.

Siç po shihni, një kompjuter i vjetër mund të ketë shumë shfrytëzime, në veçanti nëse është ende në kushte të mira pune. Jo të gjitha shfrytëzimet për një PC kërkojnë sisteme me katër bërthama e me grafikë të niveleve më të larta. Pra, nëse keni një sistem të vjetër diku, gjejeni dhe shfrytëzojeni për së mbari.

Nuk i dihet, ndoshta PC-ja juaj e vjetër do të identifikojë sinjalin e parë të inteligjencës artificiale jashtë planetit tonë.

Lajmet e fundit>