Lajmet

14 këshilla si të përdorni Pinterest për biznes

May 27 2012
0 Shpërndarje
14 këshilla si të përdorni Pinterest për biznes

Profesionistët që përdorin Pinterest ofrojnë 14 veti kyçe për të ndihmuar buletinin tuaj virtual ose për të ngjitur tabela për promovimin e brendit tuaj dhe për të drejtuar trafikun kah Ueb faqja apo biznesi juaj.

S’dyshojmë që deri tani keni dëgjuar për Pinterest, një tabelë kapëse që është një ndër rrjetet sociale më të preferuara për momentin. Pinterest është njëri ndër rrjetet sociale me rritjen më të shpejt dhe ka sjellë trafik tek publikuesit më shumë se sa Twitter, LinkedIn, ose Google+ në muajt e fundit.

Pinterest është bërë një ndër faqet më të preferuara sidomos për femrat 25-34 vjeç. Pinterest nuk ishte dizajnuar të jetë një vegël biznesi, e kjo më së miri vërehet me definicionin e themeluesve që Pinterest nuk duhet të përdoret për vet promovim, por kjo nuk i ka ndaluar bizneset për të krijuar një dyqan në këtë rrjet.

Për të ju ndihmuar më shumë në përdorimin e këtij rrjeti social, kemi zgjedhur 14 mënyra për të kthyer këtë rrjet në një vegël biznesi.

1.       Kuptoni nëse Pinterest përshtatet me brendin tuaj. “Para se të merreni nga Pinterest, gjëja kryesore është të kuptoni nëse brendi juaj përshtatet me këtë platformë,” deklaron Heather Sundell, menaxhere marketingu në The Search Agency, një agjenci për kërkim dhe marketing të integruar. “A është brendi juaj vizuel? Pinterest është për gjërat që duken mirë. Prandaj nëse nuk keni ndonjë produkt me joshje vizuale, juve do të ju nevojitet shumë kohë dhe mund të hasni në vështirësi për të gjetur një traksion,” vazhdon ajo.
Sundell këshillon bizneset që të shqyrtojnë mirë resurset e tyre të marketingut, “pasi që ndërtimi dhe mirëmbajtja e një prezence sociale merr kohë dhe forcë njerëzore. Nëse resurset tuaja tani janë në kapacitet maksimal, mund të mos jetë pozita e duhur për të nisur një kampanjë Pinterest.”

2.       Pranoni ftesa. Pinterest për momentin është vetëm me ftesa. Megjithatë marrja e një ftese është shumë e lehtë. Kërkoni nga dikush që njihni ose vendosni email llogarinë në Pinterest të ju ftojnë në Pinterest.

3.       Kapni. Sigurohuni që të vendosni butonin “Pin It” në faqet e produkteve tuaja, ashtu që vizitorët dhe konsumatorët të mund të kapin produktet tuaja në Pinterest. Për më tepër, shtoni butonin “follow” të Pinterest në uebfaqen tuaja, përkrahë butonëve për Facebook, Twitter, dhe Google+. Në fund instaloni butonin “Pin It” në shfletuesin tuaj në shtyllën e faqeve tuaja favorite ashtu që ta keni më të lehtë të kapni imazhet. Të gjithë butonët mund të gjenden në faqen Goodies të Pinterest dhe janë lehtë për t’u instaluar.

4.       Mësoni çfarë po kërkojnë konsumatorët tuaj dhe krijoni tabela në pajtim me këto kërkesa. “Krijoni tabelat që përshtaten me stilin e jetës që konsumatori juaj dëshiron – dhe kapni shumë imazhe që përshtaten me atë stil jete, jo vetëm produktet/imazhet tuaja,” thotë Amanda Cook, drejtoreshë në VSF Wellness. Duke krijuar tabela që kanë të bëjnë me interesat e atyre që përdorin brendin tuaj, pos produkteve tuaja, “konsumatorët tuaj do të shohin që ju i kuptoni ata.”

5.       Kategorizoni tabelat. “Nëse kategorizoni ose kapni çdo faqe, më shumë njerëz do të shohin kapësit tuaj dhe më shumë njerëz do të interesohen në atë çfarë postoni ju, dhe rrjedhimisht do të fitoni më shumë ndjekës,” deklaron Sam Delijani, pronar i një dyqani online për diamante dhe stoli, DeBebians, faqja e së cilës në Pinterest është bërë ndër faqet kryesore referuese duke kaluar edhe Facebookun. Për shembull, “Unë kam parë shumë njerëz që postojnë gjëra dasmash, por nuk kategorizojnë faqen nën Wedding&Events. Kjo nuk është e mençur.”

6.       Rrëfeni një tregim. Sigurohuni që “çdo tabelë është shabllon dhe rrëfen një tregim për një qejf apo personalitet të produkteve tuaja,” thotë Cathe Huynh-Sison, drejtore kreative në Feterie, një dyqan modern, e cila kap në të dyja faqet, atë të Feterie dhe atë personale në Pinterest. Ajo thotë se që kur ka filluar të përdor Pinterest, Feterie ka pasur 30-40% rritje në trafik. “Ne përkrahim tregimin e Feterie me kapje shtesë nga burime tjera për të krijuar një vizion të plotë. Tabelat tuaja nuk duhet të jenë vetëm për produktet tuaja, sepse atëherë është vetëm një reklamë dhe një dëshpërim për konsumatorët tuaj. I njëjti rregull vlenë edhe për përshkrimet e çdonjërës kapje nga Ueb faqja juaj.”

7.       Krijoni përmbajtje vetëm për Pinterest. “Pse duhet të ndjek një biznes në Pinterest nëse unë mund të shoh të njëjtat gjëra në Facebook?” arsyetohet Annalise Kaylor, drejtore për media sociale në Intrapromote LLC, një agjenci e specializuar për kërkime. “Jepni një arsye audiencës tuaj të ju ndjek juve në kanalin tuaj të ri.”

8.       Sigurohuni që imazhet tuaja janë “Pinteresante”. “Kompozicionet interesante, të ndritura dhe me imagjinatë vibrante do të bien në syrin e të tjerëve,” deklaron Phil Rampulla, krijues i The Material Group, një studio interaktive për dizajn dhe zhvillim. Ai gjithashtu këshillon përdorimin e një “kompozicioni vertikal siç ofron sfondi i Pinterest.
“Mendoj që fotografia është gjëja e parë që vërehet dhe ndikon tek kapja dhe rikapja e gjërave tuaja në Pinterest,” thotë Beth Quinn, pronare në Beth Quinn Designs, LLC. “Fotografitë mbresëlënëse do të zgjojnë më shumë interesim dhe duke vendosur fotografi që janë të kënaqshme, njerëzit janë më të prirë për të rikapur gjërat tuaja,” diçka për të cilën Quinn ka pasur përvojë me qaforen joshëse “bëhu pasionante, guximtare, e fortë” që ka gjeneruar 1500 rikapje dhe 400 pëlqime në Pinterest, duke shkaktuar rritje të trafikut në Ueb faqe dhe porosi shtesë.

9.       Sigurohuni që të përfshini URL-në tuaj. Ngjashëm, përfshini edhe emrin dhe çmimet e gjërave në përshkrim si etiketa kryesore, “pasi që ndihmon me SEO dhe informatat që gjenden aty për ata konsumatorë të gatshëm për të blerë,” thotë Jayne Drew, menaxhere në Smashing Golf&Tennis, një kompani për pajisje sportive që përdor Pinterest-in si pjesë e planit të marketingut të medieve sociale dhe ka shënuar rezultate të mira. Ata deklaruan që “shitja duhet të jetë pjesë e butë në Pinterest pasi që ajo humb interesimin e përdoruesve nëse reklamat janë të dukshme.”

10.   Bëhuni anëtar i mirë i komunitetit të Pinterest. Sigurohuni që të ndiqni, pëlqeni dhe rikapni të tjerët. “Ngjashëm si rrjetet tjera sociale, llogaria juaj në Pinterest do të rritet falë ndërlidhjes së vazhdueshme,” shprehet Kaylor. Prandaj është me rëndësi të ndiqni konsumatorët tuaj potencial dhe ata ekzistues, si dhe të pëlqeni dhe rikapni imazhet që përshtaten me brendin dhe imazhin tuaj.

11.   Aktivizoni punëtorët tuaj. “Sigurohuni që stafi juaj të ketë llogari Pinterest dhe të angazhohet në to,” deklaron Zak Edwards, CEO në PrezzyBox, një dyqan britanik për dhurata online që ka përdorur me sukses Pinterest-in. Dhe “sigurohuni që ata të kapin/rikapin imazhet tuaja.”

12.   Planifikoni kapjet tuaja të shfaqen kur konsumatorët tuaj janë më të prirë për të qenë online, zakonisht koha e drekës, apo fundi i orarit të punës, dhe para gjumit (edhe pse kjo mund të jetë vështirë nëse konsumatorët tuaj gjenden në zona të ndryshme gjeografike.

13.   Shpërndani të dhënat. “Edhe pse gjithkush shkruan për Pinterest për fushat e tregtisë me pakicë dhe modës, ai është një vend i shkëlqyeshëm për të shpërndarë të dhëna në formë të diagramëve dhe infografikëve,” thotë Katherine Leonard, një zhvilluese e përmbajtjeve digjitale në Lonelybrand, një kompani marketingu. “Si një kompani marketingu B2B ne shpërndajmë të dhënat tona në Pinterest me anë të disa tabelave hiper-specifike që njerëzit mund t’i vizitojnë për numrat që ata kanë nevojë në një temë të caktuar, si për shembull 2012 Tumblr Data ose 2012 Buxhetet e Marketingut.

14.   Mësoni se kush po kap imazhet tuaja dhe çfarë po kapin konkurrentët dhe konsumatorët tuaj. “Të gjitha bizneset duhet të përdorin Pinterest për inteligjencë biznesore, jo vetëm të shohin çfarë po kapin konkurrentët e tyre por edhe çfarë po kapin konsumatorët prej atyre faqeve konkurrente,” arsyetohet Tricia Meyer, një konsulente marketingu nga MeyerTech LLC. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>