Analiza

16 gabimet më të shpeshta që bëjnë kompanitë e reja startup

Jun 15 2013
0 Shpërndarje
16 gabimet më të shpeshta që bëjnë kompanitë e reja startup

Po punoni për të ngritur një kompani startup? Nëse po, fatkeqësisht kemi lajme jo të mira për ju. Sipas një studimi të realizuar kohët e fundit, 75% e kompanive startup dështojnë (bazuar në një studim që është bërë për 2000 startup-e nga viti 2004 deri në 2010-n). Por, pavarësisht këtyre statistikave, nuk duhet të dekurajoheni.

Disa startup-e janë thjesht të destinuara të dështojnë. Ndoshta sepse skuadra e punës nuk është edhe aq e mirë, apo produkti që duan të krijojnë nuk është edhe aq i dobishëm. Ndoshta sepse merren me shumë probleme në të njëjtën kohë apo ndoshta themeluesit nuk kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.

Një arsye tjetër mund të jetë mungesa e një plani të mirë menduar marketingu. Ka shumë arsye pse disa kompani startup nuk ecin në treg. Lajmi i mirë është që, përmes disa këshillave të mbledhura në këtë artikull nga sipërmarrës, CEO dhe investitorë të suksesshëm, keni mundësi të reduktoni riskun e dështimit nëse sapo keni filluar apo nëse po plafinikoni të lançoni një kompani startup.

1. Qëndrojini besnikë thjeshtësisë. Themeluesit e rinj tentojnë t’i komplikojnë shumë gjërat. Ndërtimi i një produkti është njësoj si të bërit gati të valixhes: Planifikoni atë që mendoni se ju duhet dhe më pas hiqni gjysmën.

2. Mos prisni shumë për t’u lançuar. Kushtojini më tepër kohë të bërit marketing në mënyrën e duhur sesa të pasurit një produkt perfekt. Mos harroni se jeni kompani startup, jo gjithçka mund të jetë e përsosur që në fillim.

3. Kujdes me personat që angazhoni apo punësoni. Sigurohuni që ata e kuptojnë inovacionin, sepse ai është kryesori për një kompani startup.

4. Tregohuni të shkathët dhe të zhdërvjellët. Studioni tregun dhe konkurrentët dhe përgjigjjuni me shpejtësi ndryshimeve.

5. Mos e ruani idenë si ndonjë gur të çmuar, por konsiderojeni të tillë dhe filloni të punoni për të. Mos mendoni se dikush tjetër nuk e ka menduar më parë atë dhe ka kohë për të punuar. Ka plot raste kur njerëzit thonë “ketë ide e kam pasur edhe unë, por ata e paskan implementuar në realitet.”

6. Mos e humbisni përqëndrimin. Pavarësisht vendimeve të shumta që keni për të marrë, duhet të tregoheni të shkathët për të menaxhuar pothuajse gjithçka. Përcaktoni një fokus, qoftë produkti juaj, qoftë audienca, strategjia etj., dhe qëndrojini besnik atij duke punuar.

7. Mendoni me kujdes se si do ta zbulojë audienca produktin tuaj. Një gabim që bëjnë shpesh sipërmarrësit e rinj është se mendojnë që mjafton ta ndërtojnë produktin dhe gjithçka do të vijë vetë më pas.

8. Mos u fiksoni shumë pas fondeve. Nëse keni fonde nga biznesi juaj, atëherë përdorini ato. Nëse harxhoni gjithmonë kohë në kërkim të fondeve, produktit tuaj mund të mos i vijë kurrë radha për t’u zhvilluar.

9. Punoni më tepër për t’i bërë miq investitorët sesa thjesht për t’i takuar apo ndjekur ata. Në këtë mënyrë, keni mundësi të shfrytëzoni një kanal të rëndësishëm komunikimi për të bërë të njohur produktin tuaj apo për të marrë investime të reja.

10. E kaluara është e kaluar. Nëse keni marrë një vendim të keq apo të mirë në të ardhmen, mos vazhdoni të mendoni për të. Nëse mendoni gjatë gjithë kohës për të kaluarën, nuk jetoni të tashmen, çka do të thotë, dështim!

11. Mos u shpërqëndroni nga reagimet. Njerëzit mund të japin lloj-lloj reagimesh për kompaninë apo produktin tuaj, por mos harroni se një pjesë e madhe e tyre i vlerësojnë ato në bazë të atyre që kanë parë dhe provuar deri tani.

12. Përpiquni të gjeni një bashkëpunëtor apo bashkëthemelues të denjë. Një këshillë e vlefshme në këtë rast është të bëni një analizë SWOT (Strengths, Weaknesses, Opportunities, dhe Threats – Pikat e forta, pikat e dobëta, mundësitë dhe rreziqet).

13. Mos u përpiqni të fitoni mbi çdokënd. Nëse e shihni që një investitor nuk shfaq as interesin më të vogël për t’ju financuar, atëherë mos e kërkoni më. Shpenzoni më mirë kohën për të bindur ata që duken të interesuar.

14. Dëgjojini klientët sepse sa herë që uleni të bisedoni me ta, mund të mësoni diçka të re. Pavarësisht vizionit tuaj për produktin, duhet të angazhoni edhe njerëz të tjerë për të marrë rrugën më të mirë.

15. Mos u nxitoni për të marrë vendime. Për shembull, mos punësoni dikë pa intervistuar më parë të paktën 10 njerëz për pozicionin në fjalë. Tregohuni objektivë dhe mos u afeksiononi shumë pas gjithçkaje.

16. Ruajini marrëdhëniet që krijoni me njerëzit apo mentorët. Krijoni një kalendar takimesh apo telefonatash dhe përmbajuni atij. Imagjinoni sa në vështirësi gjendemi kur duhet t’i shkruajmë një e-mail dikujt duke e nisur me fjalët “ka kaluar shumë kohë që kur komunikuam për herë të fundit…” (PCWorld Albanian)

startup

Lajmet e fundit>