Lajmet

3G-ja në Shqipëri, ende "larg"

Sep 13 2010
0 Shpërndarje
3G-ja në Shqipëri, ende "larg"

3G është një teknologji pa tela që u mundëson klientëve të përfitojnë internet të shpejtë deri në 8 Mb/s në celularin e tyre, e përveç kësaj edhe të gjithë kompjuterët qofshin ata desktop apo laptop kanë mundësin të përfitojnë nga këto shpejtësi të internetit pa marrë parasysh se ku ndodhen dhe pa nevojën e kabllove.

Sot Shqipëria ka një depërtim të internetit me kabllo prej vetëm 12 për qind, dhe fatkeqësisht mban vendin e fundit në Evropë dhe në rajon në lidhje me depërtimin e internetit.

Specialistët e IT-së dhe shoqatat përkatëse e shohin teknologjinë 3G si mundësinë e vetme reale për Shqipërinë që të zë hapin me zhvillimin e vendeve tjera. E kur kihet parasysh lansimi i projekteve të rëndësishme nga qeveria e shtetit të Shqipërisë si digjitalizimi i shkollave në Shqipëri e interneti online, atëherë patjetër që duhet të gjinden zgjidhje në mënyrë që të gjithë të kenë internet të shpejtë dhe atë me kosto të përballueshme.

Por projekti i qeverisë për të dhënë vetëm 1 licencë dhe atë me një çmim prej 12.5 milion euro, ka shtyrë reagimin e shoqatave dhe ekspertëve të sektorit të IT-së, të cilët në njëfarë forme këtë ofertë e quajnë si diçka që do të jetë mollë e ndaluar për shumicën e popullsisë së Shqipërisë për shkak të kostos së lartë për ndërtimin e rrjetit 3G nga operatorët të cilët do të kërkojnë kthimin e investimit duke vendosur çmime të larta për konsumatorët.

Zgjidhja e mundshme…

Specialistë të IT-së dhe shoqata si Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatoreve propozojnë që në përputhje me rekomandimet e AKEP të jepen njëkohësisht 4 licenca gjë e cila do sjelle:

– rritjen e kapaciteteve si pasoje e rritjes se investimeve nga të gjithë operatoret, pra më shume kanale dhe mundësi për të marre internet dhe

– rritjen e konkurrencës nga prania e të katër operatoreve që do përkthehet në çmime më të ulëta për konsumatorin e rrjedhimisht në rritjen e numrit të përdoruesve duke ndikuar ndjeshëm në rritjen ekonomike te vendit.

Ndërkohe sipas drejtuesve të kompanive mobile shërbimi 3G është një dimension krejt i ri i komunikimit dhe përhapja e kësaj risie mundësohet vetëm përmes ofrimit në mënyra të njëjta nga të gjitha kompanitë.

Thelbi i debatit lidhet me qëndrimin e ministrit i cili ne deklaratën e fundit tha se përdorimi i teknologjive të brezit të tretë të njohura si 3G apo Third Generation nga kompanitë mobile do të sjelle një kapacitet shume më të lartë në transmetimin e të dhënave në aparatet mobile dhe do të rris shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate.

Por për kompanitë 3G-ja nuk është thjesht internet i shpejte në celular por diçka me shumë që shkon përtej teknologjisë aktuale.

Për Petraq Shomon kryetar i bordit drejtues të operatorit Plus është shume e rëndësishme për Shqipërinë forma sesi do te procedohet për licencën 3G në mënyrë që të përmirësohet shkalla e digjitalizimit në të gjitha qelizat e saja. Kjo mund të arrihet në dy mënyra, me ofrimin e të katër operatoreve njëherësh të licencës 3G sepse do te ofroje katër autostrada te cilat mundësojnë një depërtim sa më të madh të internetit në të gjithë vendin dhe së dyti duke qenë të katër konkurrente në garë do të ketë çmime më të ulëta dhe konkurruese për konsumatoret shqiptarë.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Eagle Mobile, Ali Taksin Eum, ishte e drejtë që të ofrohen 4 licenca aq sa janë dhe operatore mobil. “Kjo është në të mirë në radhë të parë për konsumatoret shqiptarë, për ekonominë në tërësi por edhe për vetë kompanitë. Ne çdo rast kur i jepet e drejta vetëm njërit hapet rruga për situate monopoli”. Kurse drejtori i përgjithshëm i kompanisë Vodafone Albania, Haris Broumidis e vë theksin te përfitimi jo vetëm i konsumatoreve apo i kompanive private por edhe të vetë shtetit që rrit të ardhurat dhe punësimin në rast se jep katër licenca njëherësh.

Drejtori i AMC-se Stefanos Oktapodas duke u nisur nga përvoja e gjatë evropiane vërteton se 3G promovohet më mirë kur jepet me shumë se një licence. “Teknologjia 3G është hapi i radhës në rritjen e tregut shqiptar të telekomunikacionit” tha Oktapodas.

Por pavarësisht reagimeve të operatorëve, Ministria nuk po tërhiqet nga plani i saj dhe në këtë mënyrë ka shtyrë të katër operatorët para një dileme për pjesëmarrje në tender të licencimit apo siç thuhet ka gjasa që të mos marrin pjesë fare në tender.

Lajmet e fundit>