Lajmet

4 ide se si mund t’i ndryshojnë videot në Instagram të ardhurat e Facebook-ut

Jun 27 2013
0 Shpërndarje
4 ide se si mund t’i ndryshojnë videot në Instagram të ardhurat e Facebook-ut

Javën e kaluar, aplikacioni më popullor i fotove, Instagram, u pajis me mundësinë për të postuar video të shkurtra disa-sekondëshe.

Por çfarë do të thotë ky lançim i ri për Facebook-un dhe veçanërisht për të ardhurat e tij nga reklamat? Sipas disa firmave reklamash, videoja mund të sjellë rritje të madhe në reklamat e Facebook-ut, në mënyrë direkte apo indirekte. Ja se si:

Videot janë më efektive se fotot. Ato sjellin imazhe më të fuqishme dhe mund të ndikojnë më tepër. Mendoni për reklamat në televizor; ato ju impresionojnë shumë herë më tepër se sa reklamat në një gazetë. Kjo është një nga arsyet kryesore pse reklamat në TV sjellin të ardhura marramendëse për stacionet televizive.

Videot hapen njësoj në të gjitha pajisjet, në krahasim me reklamat e llojeve të ndryshme në pajisje mobile apo dekstop. Mendoni se çfarë të ardhurash ka Google nga shërbimi YouTube. Sot është koha që marketerët të përdorin të njëjtin koncept, duke e modifikuar disi e duke krijuar reklama të shkurtra që tërheqin vëmendjen e përdoruesit në pak kohë.

Sa më i lehtë të jetë krijimi i videove, aq më tepër biznese do të jenë të prirur ta përdorin aplikacionin. Një nga arsyet pse bizneset e vogla nuk bëjnë reklama në TV është sepse këto të fundit janë shumë të shtrenjta.

Madje, një numër i madh biznesesh nuk bëjnë fare reklama video edhe kur synojnë të zgjerohen në botë, pikërisht për të njëjtën arsye. Instagram ofron një mënyrë mjaft të thjeshtë të të bërit video.

Për shembull, një restorant mund të krijojë një video të shkurtër të pjatës së ditës. Duke e shpërndarë dhe reklamuar në Facebook, i cili së fundmi regjistronte 1 milion reklamues, krijohen mundësi për të fituar klientelë me pak mundim. Në këtë mënyrë rriten të ardhurat e Facebook-ut nga reklamat.

Të dhënat mbi videot në Facebook do të ndihmojnë reklamuesit ekzistues të Facebook-ut. Analistët besojnë se vendndodhja apo të dhëna të tjera lidhur me videot në Instagram do të kenë impakt të menjëhershëm në Facebook, duke plotësuar tablonë e koleksionit demografik dhe gjërave të interesit që mund të përdoren nga marketerët për të segmentuar tregun. (PCWorld Albanian)

instagram video

Lajmet e fundit>