Lajmet

5 mënyra kreative për të përdorur Google Alerts

Apr 19 2013
0 Shpërndarje
5 mënyra kreative për të përdorur Google Alerts

Google Alerts është një nga gurët e çmuar, por disi të fshehur, të kompanisë.

Ai është një mjet i rëndësishëm për të qenë në kontakt me trendet e fundit, me temat interesante apo gjithçka tjetër (të re) që shfaqet në ueb.

Nëse nuk e keni përdorur deri tani, ju prezantojmë pesë mënyra kreative se si t’ia filloni punës.

– Realizoni kërkime automatike mbi veten tuaj për të kuptuar se cilët njerëz po flasin për ju.

Një nga mënyrat më të mira për të përdorur Google Alerts është të gjurmoni se sa shpesh flasin njerëzit mbi ju.

Duke vendosur emrin tuaj në fushën përkatëse, do t’ju dërgohet me email çdo postim i ri që bëhet mbi ju në ueb.

– Qëndroni të informuar mbi lajmet që ndodhin larg vendit ku jetoni

Nëse jetoni jashtë vendit tuaj dhe dëshironi ende të dini mbi tema të veçanta që prekin atë, Google Alerts ju hyn mjaft në punë.

Mund t’i modifikoni termat e kërkimit duke shtuar emrin e qytetit, shtetin, madje nëse dëshironi rezultate më specifike, edhe kodin zip.

Ashtu si në kërkimet e zakonshme në Google, mund të vendosni një emër në thonjëza për të marrë rezultate të sakta mbi atë që po kërkoni.

– Ndiqni një ngjarje interesante / Merrni të rejat e fundit mbi një ngjarje

Nëse jeni të interesuar mbi ngjarje të caktuara, apo edhe thjesht mbi aktualitetin, duhet ta keni vënë re se marrja e informacioneve gjatë ditës na lodh dhe na harxhon shumë kohë.

Google Alerts mund të personalizohet për të marrë informacione vetëm njëherë në ditë për shembull. “Në momentin që ndodh” është patjetër opsion, i cili ju njofton mbi ngjarjen në çastin që ajo ndodh.

– Kërkoni mbi ulje çmimesh apo promocione

Google Alerts është një nga mënyrat më të mira për të mbledhur informacione.

Një prej tyre është të vendosni një ‘alert’ mbi uljet e çmimeve në dyqanin tuaj të preferuar e më pas të prisni për të rejat e fundit.

Gjithsesi, në këtë rast duhet të theksojmë se jo të gjitha rezultatet do të kenë cilësinë që ju kërkoni dhe ndoshta shpeshherë mund t’ju duhet të kërkoni ende për të gjetur atë që dëshironi.

Mjafton të shkruani termin e kërkimit dhe llojin e uljes që dëshironi (duke mos u treguar shumë specifikë në këtë rast – mund të përdorni thjesht simbolin ‘%’ në vend të shifrave ekzakte si ‘50%’).

– Kërkim pune

Nëse nuk jeni në punë dhe po kërkoni një të tillë mund të shfrytëzoni Google Alerts.

Duke vendosur termat e kërkimit lidhur me llojin e profesionit, pozicionin apo ndoshta edhe kompaninë e preferuar, mund të merrni me email vendet vakante që mund të publikohen në internet.

Google Alerts është një nga mjetet më pak të përdorura të kompanisë, por pa dyshim një nga më të fuqishmet.

Për të gjitha përdorimet e mësipërme, mund të kërkoni më tej në internet sugjerime se si të plotësoni në mënyrë sa më efiçente fushën me termat e kërkimit. (PCWorld Albanian)

google alerts

Tags >

Google
Lajmet e fundit>