Analiza

5 simptomat e fëmijëve të varur ndaj tabletëve

Nov 2 2013
0 Shpërndarje
5 simptomat e fëmijëve të varur ndaj tabletëve

Një pjesë e mirë e njerëzve që disponojnë tablet humbasin aty për disa orë, argëtohen dhe duket sikur bien në qetësi, por ekziston rreziku që kjo kategori përdoruesish të krijojë varësi ndaj këtyre pajisjeve sidomos fëmijët 3 vjeçarë.

Për këtë arsye dy psikologë anglezë kanë krijuar një listë me 5 shenja paralajmëruese për të ndihmuar prindërit të identifikojnë këtë problem tek fëmijët.

Sipas raportimit të Daily Mail, Dr. Richard Graham dhe Dr.Jay Watts besojnë se ekzistojnë disa tregues të qartë mbi këtë problem dhe se ato janë shumë të ngjashëm me simptomat e varësisë ndaj drogës.

– Mungesa e interesit për aktivitetet e tjera. Mesa duket disa fëmijë janë aq shumë të varur ndaj iPad-ëve të tyre saqë nuk janë entuziastë për asnjë lloj veprimtarie tjetër.

– Këta lloj përdoruesish kanë nevojë të flasin vazhdimisht për teknologjinë dhe e kanë shumë të lehtë të shpërqendrohen prej saj. Mesa duket kjo karakteristikë nuk vlen vetëm për të fiksuarit pas teknologjisë, por për këdo.

– Luhatjet e humorit përbëjnë një karakteristikë tjetër identifikuese të përdoruesve të varur nga tabletët. Ka shumë të ngjarë që këta persona të reagojnë të nervozuar ose agresivë në momentin që iu thuhet të largohen nga pajisja e tyre teknologjike. Disa prej tyre iu thonë më të rriturve se ata nuk mund t’i kuptojnë ngaqë nuk janë rritur me pajisje të tilla elektronike.

– Simptoma tjetër është ajo e tërheqjes. Sipas Dr.graham këta përdorues stresohen ose mërziten edhe për gjënë më të vogël dhe qetësohen menjëherë në momentin që qëndrojnë on line.

– Shenja e fundit është gënjeshtra dhe theksimi i sjelljes së djallëzuar. Dr. Graham insiston se fëmijët që janë të varur ndaj iPad-it të tyre fillojnë të gënjejnë në lidhje me kohën e qëndrimit para kësaj pajisjeje.

Sipas psikologëve shenjë obsesioni është edhe refuzimi për të shkuar diku (p.sh kinema) pasi atje nuk lejohet përdorimi i këtyre pajisjeve.

Graham dhe Watts sugjerojnë që prindërit të komunikojnë dhe me prindër të tjerë për të krahasuar sjelljen e fëmijëve dhe në rast se situata bëhet serioze atëherë do të ishte mirë një trajtim prej 72 orësh larg këtyre pajisjeve.

Kjo gjë është shumë e vështirë të realizohet me fëmijët, po sipas Graham sfida e vërtetë për prindërit fillon atëherë kur i përballin fëmijët përsëri me këto pajisje teknologjike, por tashmë në një formë të kontrolluar.

Për të ndihmuar fëmijët është e nevojshme që prindërit të balancojnë aktivitetet në jetën e tyre, përfshirë këtu shtimin e aktiviteteve fizike. Pjesë e problemit është edhe fakti që jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit mund të jenë po kaq të varur. Një prej detyrave më të vështira të prindërve është që të detyrojnë fëmijët mos bëjnë si bëjnë ata, por ashtu si thonë ata. (PCWorld Albanian)

tablet femijet

Tags >

Tabletë
Lajmet e fundit>