Lajmet

6 aplikacione të Android që duhet t’i keni

May 26 2012
0 Shpërndarje
6 aplikacione të Android që duhet t’i keni

Nëse dëshironi punë më efektive, telefon më të sigurt, dhe ndërveprim më të shpejt me skedarët multimedia atëherë përdorini aplikacionet e mëposhtme për Android dhe kompjuter.

Fuqia e një telefoni apo tableti Android është e barabartë me atë të një kompjuteri, apo edhe laptopi. Ja gjashtë aplikacionet që ju mundësojnë të përdorni kompjuterin tuaj me më shumë funksionalitet, më shumë kënaqësi, dhe në fund të fundit të merrni rezultatet më të mira të mundshme nga pajisja juaj Android.

DoubleTwist

Nëse deri tani jeni ankuar se nuk keni një aplikacion të ngjashëm me atë të iTunes në iOS, tash nuk keni drejt të ankoheni. DoubleTwist është një aplikacion falas për desktop që gjen muzikën, fotot dhe videot e ruajtura në kompjuterin tuaj (madje edhe ato në librarinë ekzistuese të iTunes) dhe i organizon ato, duke ju mundësuar shfletim sipas koleksionit. Gjithashtu, mund të sinkronizoni skedarët multimedia në dhe nga pajisja juaj Android përmes USB.

MobileGo

DoubleTwist ofron pakon e plotë nëse dëshironi sinkronizim të skedarëve multimedia në telefonin dhe desktopin tuaj. Por nëse dëshironi të sinkronizoni kontaktet, atëherë MobileGo është aplikacioni i duhur për ju. Ai funksionon vetëm në kompjuterët Windows dhe kushton 40$ për versionin e plotë, që është goxha shtrenjtë kur të kihet parasysh se iTunes dhe DoubleTwist janë falas. (Versioni falas i MobileGo ju mundëson sinkronizim midis pajisjet suaj Android dhe kompjuterit Windows.)

Versioni me pagesë i këtij aplikacioni shton disa veçori shtesë, sic është mundësia për të sinkronizuar kontaktet e Outlook në telefonin tuaj, si dhe mundësia për të konvertuar skedarët audio dhe video në formatet e përkrahura nga pajisja juaj Android. Nëse keni koleksion të skedarëve multimedia nga një mori burimesh, atëherë kjo veçori është shumë e rëndësishme.

B-Folders 3

B-Folders 3 është një vegël për biznesmenët që dëshirojnë të mbajnë të dhënat e tyre të sigurta. Ai është një menaxher fjalëkalimesh, menaxher kontaktesh, si dhe menaxher shënjimesh. Por kjo nuk është e tëra: B-Folders gjithashtu shërben edhe si fletore, dhe përdor një strukturë folderësh të dizajnuar për të organizuar çdo lloj të dhënash.

Asortimani i veçorive është vetëm njëra pjesë e B-Folders’; kurse pjesa tjetër është siguria. B-Folders përdor një “shifër të shkallës së enkriptimit 256-bit AES.” Versioni 30$ për desktop funksionon në Windows, Mac dhe Linux, kurse versioni falas për Android funksionon në pajisjet që kanë versionin 1.6 e më lartë të sistemit operativ mobil.

B-Folders ju mundëson të ndani informacione në mënyrë të sigurt në mes të disa kompjuterëve dhe pajisjeve mobile, por kompania nuk mbështetet në shërbimet cloud; në vend të kësaj ajo përdor formatin peer-to-peer që automatikisht detekton dhe sinkronizon ndryshimet.

AirDroid

AirDroid është aplikacion për celularë, dhe jo program për desktop. Por pasi ta instaloni AirDroid në telefonin tuaj Android, atëherë krejt çka ju nevojitet është dektopi. Ky aplikacion ju mundëson kontroll të plotë të pajisjes suaj Android përmes Ueb shfletuesit të kompjuterit. Kur të lansoni aplikacionin në telefon, ju ofrohet një kod kalimi që duhet ta shkruani në kompjuter për të kryer lidhjen.

Kjo ishte pjesa më e vështirë për mua kur përdora këtë aplikacion: Kur e testova me Internet Explorer, lidhja ndërpritej vazhdimisht. Por kur e ndërrova shfletuesin në Google Chrome, nuk pata asnjë problem. Pasi të kryhet lidhja, ju mund të përdorni ndërfaqen Ueb të AirDroid për të transferuar skedarët mes kompjuterit dhe telefonit; instaloni, fshini, apo të ruani koleksionin e aplikacioneve Android; të ndani tekstin mes kompjuterit dhe telefonit; organizoni kontaktet; kontrolloni dhe të fshini regjistrin e thirrjeve; ngarkoni dhe shkarkoni melodi, muzikë, të pranoni, dërgoni dhe të fshini SMS porosi.

Android Notifier

Nëse përpiqeni të kryeni punë në kompjuter, telefoni juaj është ai që zakonisht ju tërheq vëmendjen. Sa më shumë që t’i kushtoni vëmendje se mos keni ndonjë porosi të re apo thirrje të humbur, aq më pak punë kryeni. Android Notifier është përgjigjja për këtë problem: Ky aplikacion për desktop ju mundëson të qëndroni të fokusuar në kompjuterin tuaj pa humbur njoftimet e rëndësishme nga telefoni juaj Android.

Për ta përdorur, ju e instaloni komponentin celular në telefonin tuaj (do ta gjeni në Google Play si “Remote Notifier for Android”) dhe të instaloni versionin e desktopit në kompjuterin Mac, Linux apo Windows. Në telefon, mund të kontrolloni rregullimet, të vendosni se për cilat ngjarje do të dëshironit të pranoni njoftime. Opcionet përfshijnë melodi për telefon, SMS, MMS, statusin e baterisë, porosi me zë, si dhe njoftime për aplikacionet e palëve të treta. Gjithashtu, mund të tregoni nëse dëshironi që njoftimet të jenë të enkriptuara, dhe mënyrën se si dëshironi t’i pranoni përmes IP/Wi-Fi apo Bluetooth. Pastaj, futeni telefonin në çantë dhe kthejuni punës.

Kur paraqitet një ngjarje në telefon, Android Notifier shfaqë një porosi në shiritin e kompjuterit. Ai gjithashtu shfaqë emrin dhe numrin e kontaktit që ju thërret si dhe tekstin e porosive të pranuara, duke ju mundësuar të vendosni nëse artikulli është i rëndësishëm për të ju ndërprerë punën.

Lookout Mobile Security

Lookout Mobile Security është më shumë një aplikacion mobil sesa program për desktop. Por pasi ta instaloni këtë vegël falas të sigurisë në pajisjen tuaj Android (dhe duhet ta instaloni, për shkak se është njëri prej aplikacioneve Android më të mira të sigurisë), sigurohuni ta hapni shfletuesin në desktop dhe të kyçeni me llogarinë tuaj Lookout. Pastaj, mund të përdorni Ueb shfletuesin për të ruajtur kontaktet, dhe cka është më e rëndësishmja, ju mund ta gjurmoni dhe gjeni lokacionin e telefonit apo tabletit tuaj në rast se ju vjedhet apo humbet.

Në testimet e zakonshme, gjurmimi i lokacionit të tij ishte shumë i saktë: Abonimi në llogarinë premium (30$ për vit) shton edhe veçori tjera, përfshirë mundësinë për të ruajtur fotot dhe historinë e thirrjeve, si dhe funksionin për bllokim dhe pastrim nga larg. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>