Blog

64 bitët tuaj të artë

Mar 10 2010
0 Shpërndarje
64 bitët tuaj të artë

Përgjigjja e shkurtër është “Po”, sepse mundeni ose të paktën keni gjithnjë e më shumë arsye për këtë. Të gjithë procesorët modernë sot përmbajnë instruksionet e shfaqura fillimisht nga AMD rreth pesë vite më parë nën emrin AMD64 dhe mundësojnë kështu fizikisht instalimin e një sistemi operativ 64 bit. Kur blini një kompjuter të ri, sidomos një shumë të lirë, sigurohuni që të mos jetë një stok magazine që nuk ju mundëson një procesor 64 bit.

Mbështetja nga ana e sistemeve operative mund të thuhet se është sot njëqind për qind solide; ndërkohë që pesë vite më parë në fushën e re 64 bit ekzistonin vetëm pak variante jo shumë të qëndrueshme Linux për konsumatorin e thjeshtë, sot të gjithë lojtarët kryesorë, nga Ubuntu e Fedora tek Mac OSX dhe Windows, shpalosin mbështetje të plotë dhe në rastin e këtij të fundit një mjedis optimal për bashkëjetesën e programeve 32 dhe 64 bit brenda të njëjtit sistem (detyrimisht 64 bit). Jo se sistemet e tjera janë të paafta të kenë një harmoni të tillë, por Windows e ka arritur këtë për një pjesë më të madhe programesh.

Deri këtu mirë dhe bukur, mund të keni mësuar që një sistem operativ 64 bit nuk kafshon dhe është po aq funksional sa një sistem 32 bit, por të keni një opsion të barabartë nuk mjafton, ajo që kërkoni ju janë avantazhet, arsye për të marrë mundimin të kaloni në një sistem të ri apo për të pajisur me të kompjuterin tuaj të ri.

Kur Windows XP x64 u shfaq në horizont rreth katër vite më parë, për herë të parë u bë e mundur të kishte një platformë universale dhe popullore për testimin e potencialit të programeve të reja 64 bit dhe të gjithë zgurdullonin sytë për të parë përfitimet bruto në shpejtësi; mbetën paksa të zhgënjyer sepse në rastin e optimizmit më të mirë, një program 64 bit përfiton maksimalisht 15-16% ndaj analogut të tij 32 bit, por a ishin duke parë në drejtimin e duhur?
Avantazhi madhor i një sistemi 64 bit është sasia shumë më e madhe e memories së adresueshme krahasuar me një 32 bit. Kështu, 2^32 jep 4GB memorie maksimale të adresueshme, të cilën Windows XP apo Vista 32 bit e reduktojnë në 3.2 – 3.5 GB kur ju instaloni 4GB (megjithëse me artificat e reja të shtuara, sistemet 32 bit mund të njohin plot 4GB.) Në kontrast me këtë, një sistem 64 bit lejon 2^64 adresa, thënë ‘shqip’, 1.8 TB memorie e disponueshme. Në vitet 2003-2004, këto shifra nuk kishin shumë ndryshim mes tyre;  vetëm një elitë e vogël profesionistësh arrinin të preknin tavanin e 4 GB dhe pastaj, memoria kushtonte shumë, por a mund t’i mendoni këto gjëra sot?!

Ndërkohë që kalimi në një sistem 64 bit mund të mos jetë shumë i nevojshëm për përdorim të përditshëm, kalimi i programeve tuaja më të përdorura në 64 bit do të lehtësojë tranzitimin kur standardi të jetë i domosdoshëm për ju. Shumë profesionistë të inxhinierisë, të arteve vizuale apo fushës audio/video kanë kaluar prej kohësh në sisteme 64 bit; 4GB kalohen sot shumë më lehtë dhe kjo bëhet zgjedhja e vetme, ndërkohë që burimet multimediale, si filmat HD dhe lojërat moderne, e afrojnë konsumatorin e sotëm gjithmonë e më shpesh drejt këtij kufiri dhe përtej tij.  Mbështetja e dravjerëve sot është gjithashtu e favorshme dhe nëse një pajisje nuk garanton mbështetje për sistemin tuaj 64 bit, atëherë ajo është zakonisht ose shumë e vjetër ose jo cilësore.
Me afrimin e sezonit të ri shkollor dhe lançimin e Windows 7, shumë përdorues do të kenë rastin të blejnë një kompjuter apo një SO totalisht të ri. Të gjithë ata, mbase jo menjëherë, do të shikojnë avantazhe gjithmonë në rritje në një sistem 64 bit.

Lajmet e fundit>