Analiza

95,6% e ndërmarrjeve përdorin një kompjuter për qëllime pune: INSTAT

Jul 14 2017
0 Shpërndarje
Përgjatë 2016-ës vetëm 7,1% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte dhe shërbime nga faqja e internetit apo aplikacione të dedikuara. 95,6% e ndërmarrjeve përdorin një kompjuter për qëllime pune: INSTAT

Ndërmarrjet që kanë përdorur kompjuterin për qëllime pune në 2016-ën përfaqësojnë 95,6% të ndërmarrjeve nga 95% që ishte në 2015-ën.

Kështu shprehet Instituti Shqiptar i Statistikave INSTAT në raportin e publikuar me titull: Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në Ndërmarrje.

Sipas raportit 28% e punonjësve kanë përdorur një kompjuter për qëllime pune, një rritje me 3.6% krahasuar me një vit më parë. Industria përpunuese dhe ajo e ndërtimit janë sektorët të cilët përdorin më pak një kompjuter me vetëm 8,6% dhe 16,8% e punonjësve respektivisht.

Pjesa më e madhe e punonjësve që përdorin kompjutera padyshim është në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. 71,1% e punonjësve të ndërmarrjeve me aktivitet në këtë fushë përdorin një kompjuter.

Megjithatë nuk ngelen pas as ndërmarrjet e shërbimeve administrative me 64,6% të punonjësve që përdorin kompjuter.

INSTAT thotë se 96,8% e ndërmarrjeve kanë akses në internet, një rritje me 0.6%. Sakaq përqindja e kompjuterave me akses në internet është 0.2% më e ulët sesa mesatarja e Bashkimit Evropiane.

Teknologjia DSL dominon lidhjet në internet me 84.5%. Nëse flasim për shpejtësi shkarkimi, 50,7% e ndërmarrjeve kanë një lidhje mes 2 deri në 10 Mbps, vlerë e cila përfaqëson rënie me 13,3% krahasuar me 2015-ën.

19,9% e tyre kanë akses në shpejtësi 10 deri në 30Mbps, 11,3% kanë akses në shpejtësi 30 deri në 100 Mbps dhe vetëm 5,9% kanë akses në shpejtësi mbi 100Mbps.

Vlen të theksohet se ka një numër të konsiderushëm ndërmarrjesh me shpejtësi shkarkimi nën 2 Mbps të cilat përbëjnë 12.2%.

Përgjatë 2016-ës vetëm 7,1% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte dhe shërbime nga faqja e internetit apo aplikacione të dedikuara.

Peshën më të madhe e zënë ato ndërmarrje me aktivitet në teknologjinë e informacionit, pasuar nga ato të transportit dhe në fund aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike.

Një trend në rritje është edhe përdorimi i medias sociale nga bizneset e cila në 2016-ën ishte 38,9%. Plot 96,7% e ndërmarrjeve kanë përdorur internetin për të kontaktuar me autoritetet publike dhe niveli i ndërveprimit ishte 95,2%. /CIO Albanian

Lajmet e fundit>