Lajmet

A do të ketë smartfonë të tjerë me suport për Facebook Home

Apr 8 2013
0 Shpërndarje
A do të ketë smartfonë të tjerë me suport për Facebook Home

HTC First është për momentin smartfoni i parë që është dizajnuar totalisht për karakteristikën e re Facebook Home.

Ai do të dalë në shitje në SHBA nga data 12 prill, ndërkohë që softueri Facebook Home do të jetë i disponueshëm për t’u shkarkuar po atë ditë, por vetëm për një numër të kufizuar modelesh (HTC One X, HTC One X+, Samsung’s Galaxy S III dhe Galaxy Note II; së shpejti aplikacioni do të vijë edhe për HTC One dhe Samsung Galaxy S4).

Prandaj analistët kanë filluar të diskutojnë se sa kohë do të duhet që kjo karakteristikë e re të përhapet edhe në smartfonët e tjerë dhe kur do të vijë koha për diçka të tillë.

Duke marrë parasysh numrin e përdoruesve në Facebook, i cili ka kaluar tashmë prej muajsh shifrën 1 miliardë, mund të themi se numri i atyre që janë tepër aktivë dhe e përdorin në mënyrë konstante gjatë gjithë ditës rrjetin social, nuk është i madh.

Pra, mbetet për t’u parë fillimisht suksesi i Facebook Home në modelet për të cilat është projektuar fillimisht dhe vetëm nëse shihet sukses i garantuar, ai mund të zgjerohet edhe në lloje të tjerë smartfonësh.

Ajo që dihet me siguri është se vetë Zuckerberg u shpreh se Android, duke qenë platformë open source, është më e përshtatshmja për Facebook Home.

Prandaj analistët mendojnë se ka shumë pak gjasa që ky aplikacion të përshtatet edhe për sisteme të tjera operative mobile si iOS, Windows Phone apo BlackBerry (duke qenë se këto platforma janë të mbyllura).

Në një kohë kur njerëzit po mundohen të shkëputen pak nga pak nga varësia e Facebook-ut, duke u përpjekur të harxhojnë më pak kohë në të, do të jetë interesante të shohim sesa do të ndikojë Facebook Home në rritjen e kohës që ata shpenzojnë për interaktivitet në rrjet. (PCWorld Albanian)

facebook

Lajmet e fundit>