Blog

A e keni pyetur veten: A është Windows 7 i sigurt?

Sep 8 2010
0 Shpërndarje
A e keni pyetur veten: A është Windows 7 i sigurt?

Përmes rreshtave në vijim nuk kam qëllim që të rihap sërish këtë lloj debati apo diskutimi, përkundrazi, duke qenë se edhe vetë jam një përdorues i produkteve të Microsoft-it për vite të tëra thjesht do t’i bëj një vlerësim veglërive dhe tipareve të sigurisë të prezantuara nga Microsoft në Windows 7. Njëkohësisht, uroj që përmes këtij artikulli të nxis sadopak te secili prej jush që përdorni sistemet operative të Microsoft-it përditë që edhe ju të bëni një vlerësim të sinqertë profesionalisht të sigurisë së Windows 7.

Veglëritë dhe Tiparet e reja në Windows 7

S’ka dyshim se lista e veglërive dhe tipareve të sigurisë të prezantuara në Windows 7 nuk është edhe e vogël.

Foto 1: Disa nga veglëritë dhe tiparet e reja të sigurisë në Windows 7

Në vijim do të përmend disa nga to: Action Center: të gjithë e dimë që ky është vendi qendror që shfaq paralajmërimet dhe ndërmerr hapat konkretë për të siguruar punën e shëndetshme të Windows-it. Edhe pse kam përshtypjen që Action Center nuk është gjë tjetër vetëm se një Security Center i Windows Vista i avancuar, në fakt është komponenti Maintenance që e bën unik dhe të dallueshëm atë.

Internet Explorer 8: një shfletues i jashtëzakonshëm, por mjaft i përfolur për shpejtësinë dhe sigurinë e tij, që më bën të mendoj sikur Windows 7 nuk duket të jetë shtëpia e tij e vërtetë duke ndikuar kështu në njëfarë mase edhe në performancën dhe sigurinë e përgjithshme të Windows 7. Së fundi, Microsoft ka prezantuar ca arnime të sigurisë dhe zgjidhje të problemeve në IE 8 që duken të jenë premtuese.

AppLocker: paraqet një hap përpara për të mbajtur të sigurt aplikacionet tuaja. Flitet se është i vështirë për t’u përdorur në biznes “për shkak të ndryshimeve të mëdha që aplikacionet i bëjnë dhe faktit që AppLocker nuk përmban aftësinë dinamike”. Pavarësisht, kjo duket të jetë më shumë çështje performance sesa sigurie.

Direct Access: kurrë nuk ka qenë më lehtë, më me transparencë dhe të gjitha në një vend për të konfiguruar një lidhje gjithnjë-aktive të sigurt me rrjetin e korporatës suaj. Një produkt i qëlluar, në vend të merituar dhe në kohë të duhur, i përkrahur vetëm nga disa versione të Windows 7. Nuk arrij ta kuptoj pse Microsoft-i nuk e ka përfshirë në versionin e Windows 7 Professional duke e ditur që ky version i dedikohet biznesit gjithashtu?

BranchCache: i bën përdoruesit në distancë të ndihen sikur punojnë në zyrën kryesore. Një veglëri e jashtëzakonshme për produktivitet punësh në zyrë me siguri të lartë, por sërish e përkrahur vetëm nga disa versione të Windows 7. Sërish Windows 7 Professional mbetet i përjashtuar!

Homegropup: kurrë nuk ka qenë më e lehtë për përdoruesit shtëpiak që të realizojnë një rrjet kompjuterik shtëpiak. Nga aspekti i sigurisë, më habit fjalëkalimi i … ! Po në qoftë se ky fjalëkalim do të thyhet?

Veglëritë dhe Tiparet e përmirësuara në Windows 7

Përveç veglërive dhe tipareve të reja të prezantuara në Windows 7 në mënyrë shumë të zakonshme, edhe Windows 7 përmban veglëri dhe tipare të versioneve të mëhershme të Windows-it, por të përmirësuara. Disa prej tyre po i paraqesim në vijim:

ASLR & DEP: apo Address Space Layout Randomization dhe Data Execution Prevention të prezantuar në IE 7 të Windows Vista thuhet të jenë përmirësuar dhe avancuar dukshëm në Windows 7 dhe në IE 8 të tij, përfshi këtu edhe mbrojtjen e kernel-it të vetë sistemit operativ. Megjithatë, edhe me këto avancime, të dhënat flasin që janë identifikuar lëshime në nivelin e sigurisë së kernel-it, të cilat mundësojnë akses të paautorizuar dhe ekzekutim të kodit të keq nga distanca.

BitLocker To Go: paraqet një evoluim të natyrshëm të BitLocker të prezantuar në Windows Vista. Duke qenë se roli kryesor i tij është sigurimi i pajisjeve mobile, atëherë e kam quajtur “një dry mobil”.

UAC më i mirë: mendoj që të gjitha kritikat negative që Windows Vista mori në të kaluarën mund t’i atribuohen User Account Control, i cili është përmirësuar dukshëm në Windows 7. Sa i çuditshëm duket të jetë fakti që vetëm një përmirësim në ndërfaqen e UAC sikur i ka venitur diskutimet e tij në Windows 7!

Windows Firewall: në Windows 7 është akoma më fleksibil, më i lehtë për përdorim dhe i orientuar në rrjet (home, work dhe public). Një falënderim për përmirësimet e bëra në Windows Firewall u takon edhe përdoruesve, të cilët aktualisht Microsoft-i po i dëgjon me shumë vëmendje.

Windows Update: duke qenë se është pjesë e Action Center në Windows 7 e bën akoma më të arsyeshëm. Pa dyshim që këtë herë Windows Update e ka tejkaluar veten e tij, përveç përkujdesjes së tij që të mbajë kompjuterin tuaj më të sigurt, ai përditëson softuerin tuaj dhe merr përsipër shkarkimin e drajverëve në rast se të tillët kanë munguar në kompjuterin tuaj.

Veglëritë dhe Tiparet e trashëguara në Windows 7

Paksa e çuditshme, por e vërtetë! Edhe Windows 7 përmban veglëri dhe tipare të sigurisë të trashëguara nga versionet e më hershme. Disa prej tyre janë:

Windows Defender: i dizajnuar ekskluzivisht për të luftuar spyware-in, u prezantua me këtë emër dhe format në Windows Vista dhe sërish na ofrohet në Windows 7. Një vegël sigurie shumë e mirë, por në Windows 7 sikur ka defekt në servisin e tij që merr përsipër aktivizimin apo çaktivizimin e tij e i cili herë pas here sikur ngatërrohet me vetveten.

Network Access Protection: një vegël rrjeti e jashtëzakonshme e Windows Vista-s e trashëguar në Windows 7 gjithashtu. Natyrisht, ata që do ta lavdërojnë këtë vegël janë administratorët e rrjetit.

Windows 7 vs. Windows Vista

Duke ditur që platforma Defense-in-Depth në Windows 7 ka origjinë nga Windows Vista, atëherë në shkallë të caktuar mund të themi që siguria në Windows 7 nuk është gjë tjetër veçse siguria e përmirësuar dhe e avancuar e Windows Vista-s, e që në fund fare të jetë e pranueshme për secilin prej nesh. Në vijim le të bëjmë një krahasim të natyrshëm për të parë kush ku qëndron:

Foto 2: Windows 7 vs. Windows Vista

Action Center vs. Security Center – të dy veglëritë janë për lëvdatë, edhe pse për një nuancë më lartë qëndron Action Center falë komponentit Maintenance të përfshirë në të, që në fakt e bën logjikisht më të organizuar.

BitLocker To Go vs. BitLocker – në mënyrën si ka evoluar kjo veglëri më bën të kuptoj se Microsoft-i është i mirë në diplomaci po aq sa është i mirë edhe në zhvillim.

AppLocker vs. N/A – në sigurimin e aplikacioneve Windows 7 qëndron më lartë se Windows Vista. Megjithatë, vlen të përmendet këtu edhe Application Isolation i prezantuar në Windows Vista.

Direct Access vs. VPN – thuhet që: “Microsoft e ka rizbuluar qasjen nga distanca me Direct Access”!

BranchCache vs. N/A – së bashku me Direct Access duket sikur do t’u hapë rrugën teknologjive të reja të rrjetit, të cilat priten të prezantohen në Windows 8 kur do të ballafaqohemi me kompjuterët në lëvizje dhe rrjetet në re.

UAC më i mirë vs. UAC – një koncept i jashtëzakonshëm sigurie i prezantuar në Windows Vista, i përmirësuar lehtë në Windows 7. A paraqet kjo një përpjekje të Microsoft-it për të lëvizur drejt formatit të sigurisë së llogarive të përdoruesve si edhe Linux? Këtë nuk e di, por koha do ta
tregojë!

Kontroll prindëror më i mirë vs. Kontroll prindëror – sërish një vegël sigurie e jashtëzakonshme e prezantuar në Windows Vista dhe e avancuar në Windows 7. Pyes nëse prindërit tashmë kanë rënë në dashuri me Windows 7?!
Është e qartë që shumë veglëri dhe tipare të sigurisë të Windows 7 dhe Windows Vista mbesin për t’u krahasuar. Thjesht, me këto që u përmendën këtu vetëm desha t’i rikujtoj secilit prej nesh se cila është zanafilla e vërtetë e sigurisë së Windows 7.

Windows 7 vs. LiMac

Në qoftë se leximi i deritanishëm ju ka bërë të ndiheni të fjetur në këtë ditë të nxehtë vere, përmbajtja në vijim do ta ngrejë akoma më shumë temperaturën! Fjalët si: cili performon më mirë?, cili është më i sigurt? dhe shumë të këtilla i lexojmë dhe i dëgjojmë pothuajse çdo ditë. Sa për referencë, Marious Oiaga në artikullin e tij: “Windows vs. Linux vs. Mac” të datës 24 mars 2007 ndër të tjera shkruan: “Gjatë këtij muaji në mënyrë të qëndrueshme është shkruar shumë për të krahasuar Windows, Linux dhe Mac OS X.” Përqendroni vëmendjen te fjala “këtë muaj” nga fjalia e cituar! Gjithnjë sipas Oiaga, në marsin e vitit 2007 duket të jenë bërë shumë shkrime nga profesionistë të TI-së vetëm e vetëm për të përcaktuar se cili nga sistemet operative është më i mirë nga këndvështrimi i sigurisë dhe performancës. Sido që të jetë, në rreshtat në vijim nuk kam qëllim që të rrisë volumin e këtij lloj diskutimi apo debati, përkundrazi, si përdorues të sistemeve operative të Microsoft-it duam të përcaktojmë vendin e merituar të Windows në mesin e gjithë atyre sistemeve operative që aktualisht ndodhen në treg.

Shënim: Kudo që përmend LiMac, ta dini që po i referohem Linux-it dhe Mac OS së bashku.

Figura 3: Windows 7 vs. LiMac

Sistemi i mbyllur vs. Sistemi i hapur – më duket sikur ka nga ata përdorues që nuk e duan Windows-in vetëm pse është sistem i mbyllur! Përderisa LiMac është sistem i hapur, në anën tjetër Microsoft-i në njëfarë mënyre përmes Shared Source Initiative të saj po mundohet të krijojë sado pak një balancë në treg. Sido që të jetë situata aktuale, koha do të tregojë nëse një ditë në të ardhmen Windows do të jetë sistem operativ tërësisht i hapur.

Administratori dhe UAC vs. Root dhe su & sudo – siç e dimë në Windows qëndron Administratori në majë të piramidës së privilegjeve të përdoruesve, ndërsa në LiMac është Root super përdoruesi që administron sistemin në tërësi. Megjithatë, praktika na dëshmon që Administratori nuk ndodhet në majë të piramidës së privilegjeve në Windows meqë disa shërbime menaxhohen nga përdoruesi Local System i Windows NT, për dallim në LiMac nuk ka përdorues me privilegje më të larta se Root. Mu për këtë arsye, në pjesën që po bëja krahasimin e sigurisë së Windows 7 me Windows Vista, kur po flisja për UAC bëra pyetjen në mos vallë Microsoft po ecën drejt qasjes së Linux kur kemi të bëjmë me përdoruesin për administrimin e tërësishëm të sistemit operativ?!

Windows Firewall vs. Firestarter dhe ipfw – është interesant fakti që Windows Firewall në një masë të caktuar lavdërohet edhe nga përdoruesit e LiMac.

Windows Update vs. Internet Update – me gjithë avancimet e shtuara në botën LiMac kur kemi të bëjmë me përditësimet e sistemit operativ, duhet ta pranojmë faktin që në këtë segment Windows 7 e fiton betejën. Windows Update është më i kompletuar, proaktiv dhe më i përshtatshëm për përdorim.

Microsoft Security Essentials vs ClamAV dhe ClamXav – me gjithë softuerët AntiVirus të rekomanduar, në të dy platformat, si atë Windows ashtu edhe në LiMac, përdoruesit janë tërësisht të lirë të instalojnë softuerin e dëshiruar. Duke pasur për bazë faktin që MSE është produkt i Microsoft-it dhe është Microsoft-i ai që e njeh më së miri kodin burimor të sistemeve të tij operative; dhe faktin tjetër që MSE së fundit është pozicionuar në mesin e softuerëve antivirus më të njohur në botë, atëherë s’ka dyshim që Windows sërish në këtë segment qëndron më lartë se LiMac.
IE 8 vs. Firefox dhe Safari 4 – që të tre këta shfletues kanë probleme të caktuara. Sipas përfaqësimit në treg është IE 8 ai që udhëheq bindshëm, ndërsa sipas testeve Benchmark është Firefox që prin në garën e shfletuesve. Një gjë është më se e vërtetë: Microsoft po punon në versionin e ri të shfletuesit të tij IE 9, të njëjtën gjë po bëjnë Mozilla Foundation me Firefox-in e tij dhe Apple me Safarin e tij.

Kërcënim i lartë nga kodi i keq dhe viruset vs. Pak ose aspak kërcënim nga kodi i keq dhe viruset – duhet ta pranojmë faktin që Windows në të kaluarën ka pasur probleme serioze me sigurinë, të cilat në mënyrë lineare kanë filluar të ulen që nga Win2k. Mbase kjo situatë e ka bërë që të jetë sistemi operativ më i kërcënuar nga kodi i keq dhe viruset, njëkohësisht duke e pozicionuar në pozitën e parë si sistemi më i përfolur në botën e sigurisë. Mbase gaboj në vlerësimet e mia, por kam përshtypjen se po t’u ndërrojmë vendet Windows-it dhe LiMac-ut në treg, gjithsesi do të kishim një situatë tjetër. Ky supozim mbetet vetëm se hipotezë, ndërsa realiteti flet që Microsoft është në rrugë të mirë për të ofruar një sistem operativ nëse jo të përkryer, atëherë të sigurt gjithsesi.

Përkrahje e vazhdueshme e sigurisë vs. Përkrahje e përmirësuar e sigurisë – mendoj se merita i përket faktit që Windows është sistem i mbyllur.

Windows 7 dhe e ardhmja e tij

Duke pasur parasysh të gjitha veglëritë dhe tiparet e sigurisë që u përmendën në këtë artikull si dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur, të cilat janë pjesë përbërëse e sigurisë të Windows 7, vetvetiu lind pyetja: A është e mjaftueshme kjo siguri? Derisa ne përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes së parashtruar, kujtojmë faktin se Microsoft po punon në zhvillimin e sistemit operativ të ri Windows 8, që sipas informatave nga interneti pritet të paraqitet në treg diku nga viti 2012.

Foto 4: Inovacionet që pritet të sjellë Windows 8

Gjithnjë sipas informatave nga interneti, ky sistem operativ në planin e sigurisë do të sjellë inovacionet në vijim:
– siguri anti-hacker e kernel-it
– autentifikimi biometrik bëhet parësor
– implementim skedarësh të shpërndarë të sistemit
– IE 9
– koncepti self-healing do të vihet në prak tikë
– përkrahje për rrjetet në re
– dhe shumë të tjera.

Konkluzioni

Edhe pse Windows (përfshi këtu edhe Windows 7) është sistemi operativ më i përdorur në botë në kompjuterët personal, vazhdon të jetë i shtrenjtë. Gjithashtu, edhe pse formati i ri i licencimit u prezantua me Windows 7, Windows mbetet sistemi operativ më i pirateruar në botë (me Windows 7 është ulur dukshëm pirateria). Për dallim nga LiMac, Windows ofron një numër të paktë aplikacionesh si pjesë e sistemit operativ. Kujtoj që tani është koha më e përshtatshme që Microsoft të fillojë të ofrojë në treg versionin Windows 7 Starter pa të holla.
Edhe pse Microsoft ofron përkrahje të vazhdueshme të sigurisë, Windows (me Windows 7 është ulur dukshëm shkalla e kërcënimeve nga kodi i keq dhe viruset) vazhdon të përflitet për sigurinë. Pavarësisht nga të gjitha këto, po t’i peshojmë anët pozitive që Windows 7 ofron në rrafshin e sigurisë me ato negative që prekin karakterin e Windows 7, mbase për herë të parë në historinë e sistemeve operative të Microsoft-it të dedikuar për kompjuterët personalë do të vërejmë që ana pozitive e peshores ka filluar të rëndojë më shumë. Me këtë mund të themi që nëse Microsoft me Windows 7 nuk ka ofruar një sistem operativ me siguri të përkryer, atëherë ka ofruar një që është shumë i sigurt. Kështu, siguria e Windows 7 mund të shërbejë si platformë e mirë që Microsoft-i në një të ardhme të afërt të zhvillojë një sistem operativ me siguri të përkryer.

Shënim: Të gjithë MCT e interesuar mund ta shkarkojnë prezantimin: Have you ever asked yourself: Is Windows 7 secure? në tërësi nga web sajti i MCT & Educator Readiness duke shkruar URL-në në vijim në shfletuesit e tyre:
http://www.mctvirtualsummit.com/Login.aspx

Lajmet e fundit>