Lajmet

A mund ta eliminojë Vine-in videoja në Instagram

Jun 24 2013
0 Shpërndarje
A mund ta eliminojë Vine-in videoja në Instagram

Facebook ka lançuar gjatë kësaj jave një karakteristikë të re për Instagram-in, përfshirjen e videove.

Kjo veçori vjen pesë muaj pasi Twitter lançoi një aplikacion të ngjashëm videosh, me emrin Vine. A mund të bashkë-ekzistojnë të dy rivalët? “Mundet,” është shprehur analisti Greg Sterling, për shkak se videoja në Instagram dhe shërbimi Vine u dedikohen dy audiencave të ndryshme.

Karakteristika e re në Instagram u mundëson përdoruesve të regjistrojnë video deri në 15 sekonda dhe t’i shtojnë asaj një prej 13 filtrave. Ata munden gjithashtu t’i modifikojnë klipet që regjistrojnë.

Në aplikacionin për iOS, gjendet edhe një opsion “Cinema” i cili redukton dridhjet dhe tronditjet për të prodhuar video më profesionale. Nga ana tjetër, Vine është një shërbim që ofron mundësinë e regjistrimit të klipeve të shkurtra prej tre deri në gjashtë sekonda.

Aplikacioni nuk ka filtra, editime apo stabilizim imazhi. Në momentin që videoja regjistrohet, përdoruesit kanë mundësi ose ta ruajnë dhe ta ngarkojnë ose të bëjnë një video të re.

Nga Vine, përdoruesit kanë mundësi t’i shpërndajnë videot në Twitter dhe Facebook, ndërsa nga Instagram-i përdoruesit mund t’i shpërndajnë videot në Instagram, Facebook, Twitter, Tumblr dhe Foursquare.

“Vine është si fast food-i, ndërsa videot në Instagram janë njësoj si të hash në një restorant më të këndshëm,” është shprehur analisti Jan Dawson. Megjithatë ai shtoi se kjo metaforë nuk duhet të parë në këndvështrimin për të favorizuar njërën apo tjetrën.

Njësoj si në jetën reale, ka raste kur kemi nevojë për fast food-e, ka raste kur kemi nevojë për një restorant të mirë. Ndoshta ofrimi i opsioneve shtesë në Vine do ta bëntë atë më konkurrent ndaj Instagram-it.

Analistët besojnë se hapi i radhës nuk do të jetë fokusimi tek ofrimi i sa më shumë filtrave apo zgjatja e kohës së regjistrimit të videos. Ata mendojnë se çelësi i suksesit do të jetë krijimi i një shërbimi që është i thjeshtë dhe i lehtë për t’u përdorur nga audienca e gjerë dhe nga njerëzit e zakonshëm. (PCWorld Albanian)

vine instagram

Tags >

Instagram
Lajmet e fundit>