Analiza

A mund të mbështetet BlackBerry tek Google për të plotësuar mungesën e aplikacioneve

Nov 18 2013
0 Shpërndarje
A mund të mbështetet BlackBerry tek Google për të plotësuar mungesën e aplikacioneve

Një nga kufizimet më të mëdha të BlackBerry 10 është numri i limituar i aplikacioneve. Njerëzit thonë se kanë nevojë për aplikacione që kanë rëndësi dhe nuk ka dyshime se shumica prej tyre nuk e zgjedhin BlackBerry-in pikërisht për këtë arsye, mungesën e aplikacioneve.

Tregu i aplikacioneve të BlackBerry-t është shumë herë më i vogël se ai i iOS-it apo Android-it.

Analistët theksojnë se për të qenë një platformë e suksesshme, duhet t’u ofrosh përdoruesve mundësinë që të përdorin aplikacione të Google-it, si Gmail, YouTube, Google+, Hangouts, Maps, Google Now etj.

Një mënyrë për të zgjidhur çështjen e mungesës së aplikacioneve në BlackBerry do të ishte të heqë dorë nga QNX, të adaptojë Android-in, si dhe të ndërtojë një ndërfaqe të personalizuar përdoruesi (ose një lançues) mbi Android-in.

Teorikisht, kështu mund t’i sjellin përdoruesve përvojën e BB10 ndërkohë që gjithçka funksionon në Android. Po në këtë mënyrë, do të ishte shumë e thjeshtë që të ofronin gjithë aplikacionet e Google dhe akses të plotë në Google Play, duke plotësuar kushtet e kompanisë.

Sigurisht, në qoftë se do të bënin këtë gjë, do të eliminonin gjithë aspektet e programit të tyre zhvillues. BlackBerry World, SDK-të apo punonjësit e përfshirë në këtë sektor nuk do të duheshin më. Edhe pse kjo do të thotë reduktime të ndjeshme kostosh, nga ana tjetër do ta bënte kompaninë të hiqte dorë nga kontrolli mbi platformën.

CrackBerry komunikoi me BlackBerry-in për të marrë një deklaratë zyrtare mbi këtë temë dhe kompania tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. BlackBerry u shpreh se nuk ka planifikuar suport për Google Play.

Megjithatë, ekziston një probabilitet që BlackBerry ta mohojë këtë thashethem edhe në qoftë se mund të jetë i vërtetë. Por, ta lemë mënjanë këtë pjesë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

A ka ndonjë mënyrë tjetër për ta zgjidhur problemin?

Ndoshta po. Mesa duket, BlackBerry 10.2.1 mund të ofrojë suport për ngarkimin e drejtpërdrejtë të aplikacioneve Android jashtë çdo dyqani zyrtar aplikacionesh. E mbani mend kohën kur nuk kishte BlackBerry World? Si i merrnim aplikacionet? Duhet të vizitonim një uebfaqe dhe të instalonim skedarët JAD direkt në pajisjen tonë. E njëjta gjë mund të arrihet mbase edhe me skedarët APK të Android-it në një të ardhme të afërt.

Kjo mund të ishte një lëvizje e fuqishme drejt mbylljes së hendekut të aplikacioneve. Sot, në sytë e një përdoruesi të zakonshëm BlackBerry 10 (jo profesionist përsa i përket teknologjisë), BlackBerry World është i vetmi vend ku mund të merren aplikacionet.

Ata që nuk janë profesionistë në fushën e teknologjisë nuk tentojnë të gjejnë mënyra të ndryshme për të instaluar aplikacione APK në BlackBerry-n e tyre, sepse nuk kanë kohën apo edhe ekspertizën për ta bërë këtë gjë. Me pak fjalë, njerëzit duan t’i aksesojnë gjërat sa më shpejt dhe BlackBerry duhet t’ua ofrojë atyre këtë lehtësi.

Nëse BlackBerry 10.2.1 ekzekutohet mbi një Android, atëherë kjo do të thotë që të gjitha aplikacionet Android mund të hapen në pajisjet BlackBerry. Dhe për më tepër, nuk do të ketë nevojë për instalime apo njohuri të thella në fushën mobile për t’i instaluar ato në smartfon.

Çfarë do të sjellë kjo gjë për BlackBerry-n? Së pari, akses në botën e aplikacioneve Android, një botë mjaft e gjerë, me mbi 1 milion aplikacione, përfshi ato të krijuara nga vetë Google. Do t’i tregojë zhvilluesve të Android se çfarë kërkesash kanë përdoruesit e BlackBerry-t dhe mbase do t’i shtyjë ata të zhvillojnë më vonë për BlackBerry. Dhe nëse shifrat janë mjaft të larta, mbase edhe Google mund të suportojë BlackBerry 10. Pra, siç mund ta shihni, gjithçka vërtitet rreth shifrave.

Ndoshta volumi nuk do të krijohet menjëherë brenda një apo dy vitesh. Por, në të ardhmen, BlackBerry 10 mund të fitojë suportin e emrave të mëdhenj. Sepse, në fund të fundit, BlackBerry duhet të sigurohet që të mbijetojë deri në atë pikë.

Le të shpresojmë se një gjë e tillë mund të bëhet shumë shpejt realitet. (PCWorld Albanian)

bbm_google_play

Lajmet e fundit>