Siguri

A ka ardhur koha që Kosova të ketë departament kundër cyber-krimeve?

Aug 11 2010
0 Shpërndarje
A ka ardhur koha që Kosova të ketë departament kundër cyber-krimeve?

Në artikull të kësaj gazete thuhet se hakerët kohëve të fundit kanë shtuar sulmet ndaj bankave, dhe po ndërhyjnë në xhirollogaritë bankare duke vënë në rrezik paratë e klientëve në banka, pasi që sipas gazetës “Kosova Sot” ata po arrijnë të tërheqin edhe para kesh.

Rasti i parë kur Policia e Kosovës ka pasur të bëjë me hakerë, ka qenë rastin me një grup meshkujsh të cilët përmes një pajisjeje elektronike të sofistikuar, kanë arritur të “klonojnë” kartelat kreditore me informacione të personalizuara, të blera në internet, duke bërë të mundur vjedhjen e një shume të llogarive bankare. Të njëjtit janë arrestuar dhe kanë marr dënimin e merituar.

Gazeta bënë të ditur se rasti i dytë ndodhi këto ditë dhe si rezultat pati edhe arrestime të hakerëve si të dyshuar nga ana e Policisë së Kosovës, të cilët kishin keqpërdorur kartela bankare, madje edhe jashtë Republikës së Kosovës. Arrestimi i tyre sipas policisë është bazuar në hetimet e deritanishme se të njëjtit dyshohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë përdorur internetin për të bërë keqpërdorim të kartelave kreditore, duke përvetësuar shuma të konsiderueshme të të hollave nga llogaritë e qytetarëve të shteteve të ndryshme të botës duke përfshirë qytetarë të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Pakistanit, Kuvajtit, etj.

Të njëjti përfunduan nën pranga të policisë pas një periudhe hetimore që zgjati katër muaj. Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, sipas “Kosova Sot” thuhet se ka identifikuar një grup të të dyshuarve në zonën e përgjegjësisë së drejtorisë rajonale të Gjilanit. R. Sh. 1988 dhe A.M. 1988, janë arrestuar, tek të cilët pas kontrollimit janë konfiskuar dy shtëpiza kompjuterësh, 4 USB dhe 69 CD, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës Arbër Beka për “Kosova Sot”.

Sipas tij, këto pajisje kompjuterike dyshohet që hakerët i kanë përdorur për kryerje të veprave penale. Që të dyja rastet e ndërhyrjes së hakerëve në xhirollogari bankare nuk janë të lidhura mes vete.

Megjithatë edhe pse rastet e këtilla nuk janë të shpeshta në Kosovë, këto sinjalizojnë se Republika e Kosovës duhet të shqyrtojë seriozisht mundësinë për të themeluar një departament të veçantë apo diçka të ngjashme kundër cyber-krimeve, të cilat në tërë botën kanë shënuar rritje ndërsa në këtë aspekt shteti i Kosovës duhet ende të punojë shumë.

Dihet se Policia e Kosovës është duke bërë maksimumin me të gjitha mundësitë që ka, por duhet pasur parasysh se një sektor i veçantë i dedikuar për të përcjellë në mënyrë specifike cyber-krimet, do të kishte sukses edhe më të madh.

Lajmet e fundit>