Blog

A po shndërrohen kafenetë e Prishtinës në zyre pune?

Aug 22 2010
0 Shpërndarje
A po shndërrohen kafenetë e Prishtinës në zyre pune?

Ndodh që ndonjë ditë pune muret e zyrës të ngushtohen dhe energjia për punë të bie në nivelin më të ultë, në këtë rast produktiviteti i kompanisë dhe i stafit është afër nivelit zero. Por paramendoni mundësitë të cilat sot janë para nesh. Gati se të gjitha kafenetë në Prishtinë ofrojnë WiFi qasje dhe atë që të gjitha e ofrojnë pa pagesë, kurse llojllojshmëri produktesh për tu kyçur në internet nuk ka pasur asnjëherë më shumë. Prej tabletë kompjuterëve, laptopëve e deri tek celularët e mençur.

Pavarësisht se në Kosovë nuk ka ndonjë numër të madh të punëtorëve që janë të lirë të dalin prej zyrës  dhe të dalin e të zgjedhin ku punojnë, ka të tillë që kanë këtë privilegj. Ata zgjedhin kafenenë e tyre të preferuar, porosisin atë që dëshirojnë dhe i përvjelin mëngët e fillojnë me punën, në një ambient që pas disa ditësh shndërrohet në një lloj zyre për ta.

I vetmi problem që lind këtu është porosia. Shumë prej pronarëve të lokaleve e kafeneve në Prishtinë ankohen se ka të tillë që ulen me laptop e rrinë orë të tëra në tavolinë pa porositur asgjë tjetër përveç një “Makiato të Madhe” dhe kjo po shkakton për ta humbje sepse ai klient po zë një tavolinë në vete dhe nuk po u sjellë atyre asgjë në kthim për internetin që po e shfrytëzon “pa pare”. Por ka edhe të tillë që hanë mëngjes e madje edhe drek në kafenenë ku ata po qëndrojnë dhe në këtë rast pronarët shprehën me entuziazëm për biznes klientët e tyre, sesi ata punojnë, pinë kafe, hanë e kështu me radhë.

Por pavarësisht të gjithave që u thanë tek ne në Kosovë, zyra primare mbetet ajo e kufizuar me katër mure dhe që është e populluar me kolegët e tjerë të punës, kurse puna në kafene është privilegj për ata që janë me fat të gjejnë një punë të tillë që ju mundëson këtë gjë.

Çka mendoni ju, a është e rëndësishme që punëtori të qëndrojë para kompjuterit në zyre apo ta merr zyrën me vete kudo që dëshiron ai?

Lajmet e fundit>