Lajmet

AAB-Riinvest ofron studime në inxhinierinë softuerike

Aug 25 2009
0 Shpërndarje
AAB-Riinvest ofron studime në inxhinierinë softuerike

Pasi kjo fushë është ende e re krahasuar me inxhinierinë, ka debate se ç’është në të vërtetë inxhinieria softuerike. Sipas disa revistave, inxhinieria softuerike është klasifikuar si puna më e mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2006.

AAB-Riinvest
Universiteti AAB dhe Riinvest kanë bashkuar kapacitetet e tyre në një institucion të vetëm arsimor të emëruar AAB-Riinvest. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës më datë 7 korrik të këtij viti akreditoi Bartësin e Lartë të Arsimit Privat “AAB-Riinvest” me disa programe, në mesin e të cilave është edhe programi për “Shkenca Kompjuterike – Inxhinieri Softuerike (BSc)”. AAB-Riinvest organizojnë studimet në nivelin Bachelor në fushat ekonomi, juridik, gazetari dhe komunikim, kulturë fizike dhe sport si dhe në nivelin Master në financim zhvillimi, menaxhment si dhe tregjet financiare dhe bankat. Studimet organizohen në kampusin që gjendet në Zonën Industriale në Prishtinë, ku studentëve u ofrohet aksesi në laboratorë kompjuterikë si dhe në biblioteka me burime online.

Studimet
Programi i Inxhinierisë Softuerike është ofruar vitin e kaluar nga Instituti Riinvest, i vijuar nga 21 studentë, kurse këtë vit, pas bashkimit me AAB, ky program ofrohet si pjesë e AAB-Riinvest. Programi mësimor organizohet sipas Procesit të Bolonjës në tre vite. Leksionet organizohen në gjuhën shqipe, por shumë shpesh ligjërojnë edhe profesorë të huaj në gjuhën angleze. Literatura e përdorur në këtë program është pothuajse e gjitha në gjuhën angleze, kështu që studentët që vijojnë këtë program është e preferueshme të njohin gjuhën angleze, ndërkohë që AAB-Riinvest ofron edhe asistencë në përforcimin e gjuhës angleze para fillimit të programit. Studentët që vijojnë studimet në Inxhinierinë Softuerike do të mësojnë platformën Visual Studio .Net, gjuhët programuese C#, Java, SQL dhe të tjera. Pas përfundimit me sukses të studimeve, studentëve u jepet titulli universitar BSc (Bachelor of Science) në Shkenca Kompjuterike – Inxhinieri Softuerike. Këta studentë do të jenë të aftë të kuptojnë problemet nga fusha e IT-së dhe të ofrojnë zgjidhje kreative, të zhvillojnë softuerë në disa gjuhë programore dhe të menaxhojnë projekte softuerike.
AAB-Riinvest angazhohet në programin “brain gain” duke u munduar të sjellë në Kosovë intelektualët shqiptarë jashtë vendit, që të japin kontributin e tyre për ngritjen e shkencës dhe arsimimit në vend. Ky institucion deri tani ka filluar bashkëpunimin me disa universitete të ndryshme botërore, si në Slloveni (Universitetin e Primorskas dhe Universitetin e Lubjanës), Gjermani (Universitetin e Bremenit), Austri (Universitetin Teknik të Vjenës) dhe në Britani të Madhe (Universiteti Staffordshire).
Tregu i Teknologjisë Informative gjithnjë në rritje dhe numri i vogël i kuadrove profesionale në këtë fushë e bëjnë atraktiv dhe me perspektivë këtë program dhe programet e ngjashme. Një konkurs për zhvillues softueri nga Kosova dhe Shqipëria nga një kompani në Çeki para disa muajsh në PCWorld Albanian tregon se mungesa e profesionistëve të zhvillimit të softuerit është e theksuar edhe në vendet evropiane.

Lajmet e fundit>