Lajmet

AdBlock Plus, softueri që bllokon të gjitha reklamat edhe në celularë

Dec 3 2012
0 Shpërndarje
AdBlock Plus, softueri që bllokon të gjitha reklamat edhe në celularë

Reklamat në smartfonë dhe pajisje tjera celulare mund të dalin nga përdorimi, pasi kompania e cila ka prodhuar softuerin që është shkarkuar më së shumti online, pritet të lançojë versionin e saj për telefonë. Kompania Eyeo e cila zhvilloi softuerin AdBlock Plus, do të lançojë versionin e këtij aplikacioni për telefonët Android, hap ky i cili mund të shkaktojë kokëçarje të mëdha për industrinë në rritje të reklamimit në telefona.

Rreth 50 milion njerëz tashmë kanë shkarkuar versionin për kompjuter të softuerit AdBlock Plus, i cili ndalon shfaqjen e reklamave në shfletues të ndryshëm, si në Firefox, Chrome etj., ueb faqe e po ashtu edhe reklamat e pashmangshme që i paraprijnë videot në faqet si YouTube.

Në Britaninë e Madhe dhe SHBA vetëm rreth dy apo tre përqind e përdoruesve të internetit kanë të instaluar këtë program, por në Gjermani është shumë i popullarizuar ku më shumë se një e dhjeta e përdoruesve e kanë shkarkuar atë.

100,000 shkarkime në ditë

Fitimet mbarëbotërore nga industria e reklamimit mobil kanë arritur shifrën prej 5.3 miliardë dollarë vitin e kaluar sipas Byrosë Interaktive të Reklamimit (Interactive Advertising Bureau), edhe pse AdBlock Plus është kritikuar për reduktimin e fitimeve të ueb faqeve që ofrojnë përmbajtje falas.

Drejtori i kësaj zyre në Britani Nick Stringer, insiston se kjo industri duhet të pranoj rolin të cilin reklamat e luajnë në shërbimet e financimit dhe përmbajtjes online, duke shtuar se prodhimet si AdBlock “e minojnë atë model të biznesit.”

Por, Till Faida bashkë themeluesi i kompanisë Eyeo, kundërvihet duke thënë se ka “nevojë të madhe” për aplikacionin e tij i cili do të jetë i pari që do të mënjanojë të gjitha reklamat në smartfonë.

Ai insiston se nuk është kundër reklamave në vetvete (lat. per se), duke argumentuar se duhet të jetë një “terren i mesëm i qëndrueshëm” të cilin përdoruesit mund ta pranojnë. Ai thotë se AdBlock përfshinë “listën e bardhë” të ueb faqeve me reklama të cilat nuk janë të bezdisshme, si Amazon, promocionet e së cilës nuk janë të bllokuara.

“Qëllimi kryesor është të sigurojmë që publikuesit e vogël dhe blogerët mos të dëmtohen nga bllokimi i reklamave, që ata të mund të vazhdojnë të shfaqin përmbajtjen e tyre falas”,- deklaroi Faida. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>