Siguri

Adobe më i rrezikuar se Microsoft

Jan 3 2010
0 Shpërndarje
Adobe më i rrezikuar se Microsoft

Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të njerëzve që kryejnë transaksione dhe shpenzojnë kohë më të madhe pranë kompjuterit, hakerë vazhdimisht janë duke vendosur si caqe softuerin dhe shërbimet tjera kompjuterike, si rrugë për të vjedhur informacione dhe të dhëna tjera të vlefshme. Komuniteti i sigurisë në anën tjetër është duke punuar mjaft shumë për të parandaluar sulmet e grupeve të hakerëve, që të komprometojnë kompjuterët e përdoruesve anembanë botës.

Kompania e sigurisë McAfee ka shpalosur raportin e saj rreth Parashikimeve të Kërcënimeve në vitin 2010. Sipas raportit, në vitin 2010 Adobe do të tejkalojë Microsoft-in për sa i përket interesit të hakerëve. Tradicionalisht hakerë kanë sulmuar produktet softuerike të Microsoft si Office, më shumë sesa aplikacionet dhe softuerin prej prodhuesve tjerë.

Figurat e McAfee tregojnë se popullariteti i produkteve të Adobe si Flash dhe Reader, dy prej aplikacioneve më të shpërndara në botë, do të shtyjë që hakerët të kenë si cak këto aplikacione më shumë në vitin 2010. “Shpërdorimi i produkteve të Adobe sigurisht do të tejkalojë ato të aplikacioneve Microsoft Office në vitin 2010” raporton McAfee.

Sipas McAffe, Hakerët gjithashtu pritet të rrisin në një nivel më të lartë sulmin ndaj faqeve të rrjeteve sociale, e gjithashtu rrezik më i madh do të paraqitet edhe tek aplikacionet e dorës së tretë. Hakerët pritet të shfrytëzojnë përparësitë e HTML 5 për të krijuar Trojan dhe Botnet, që janë në gjendje të punojnë përmes shfletuesve.

“Ne tani po përballemi me kërcënime të reja nga rritje eksplozive e faqeve të rrjeteve sociale, shpërdorimi i aplikacioneve të popullarizuara dhe teknikave më të avancuara të përdorura nga cyber-kriminelët, por kemi besim se viti 2010 do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket komunitetit të cyber-sigurisë” tha Jeff Green nga McAfee.

Shumica e sulmeve në rrjetet sociale pritet të bëhen në formë të aplikacioneve vjedhëse që shpërndahen përmes rrjetit dhe të cilat do të shfrytëzojnë emrat e përdoruesve në listën e miqve, për t’i mashtruar ata në klikimin e linqeve të cilat në rastin e kundërt ata nuk do t’i klikonin. McAfee beson se cyber-kriminelët gjithashtu do të fillojnë përdorimin e botnets për të adoptuar kontrollimin e skemës peer-to-peer.

Pra keni kujdes nga aplikacionet që lejoni të kenë qasje në profilin tuaj të themi në Facebook, dhe gjithashtu kushtojuni vëmendje linkave që klikoni, sepse nesër mund të jeni edhe ju cak i sulmit.

Lajmet e fundit>