Lajmet

AITA realizon studimin për kompanitë e ICT-së në Shqipëri

Jul 14 2014
0 Shpërndarje
AITA realizon studimin për kompanitë e ICT-së në Shqipëri

AITAGjatë një takimi formal në qytetin e Prizrenit mes dy shoqatave të TIK-ut në Shqipëri dhe Kosovë AITA dhe STIKK, u shpalosën pikëpamjet e ndryshme mbi industrinë e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në dy shtetet shqiptare, në identifikimin e problematikave kryesore, sfidave dhe nevojave emergjente të tregut të kësaj industrie. Në këtë takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues të kompanive të ndryshme të cilat dhanë opinione të ndryshme mbi investimin në burime njerëzore, ku programet universitare dhe përgatitja e kuadrove të IT-së ishin në qendër të diskutimeve. Po ashtu bashkëpunimi mes kompanive shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria u identifikua si një potencial i pashfrytëzuar deri më tani dhe se shfrytëzimi i resurseve me metoda bashkëpunimi do të sillte një zhvillim të mëtejshëm jo vetëm e ekonomik, por edhe në stimulimin dhe maturimin e burimeve njerëzore me metoda të ndryshme bashkëpunimi.

Shoqata AITA ka publikuar për herë të parë studimin për Shqipërinë për “South-East Europe Information Technology Barometer (SEE ITIB) 2014”, i cili kishte dy objektiva; mbledhja e informacionit të drejtuar drejt eksportit në mbështetje të Planit Rajonal të Eksportit dhe mbledhja e informacioneve statistikore nga sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për Evropën Juglindore (SEE ICT). Ky studim është realizuar përmes anketimeve të kompanive të ndryshme shqiptare. Në anketim morën pjesë 25 kompani.

Nga rezultatet e këtij studimi, 80% e kompanive deklaruan se kapitali i tyre është kapital vendas, 16% e tyre pjesën më të madhe të kapitalit e kanë të huaj dhe vetëm 4% prej tyre deklaruan se ishin degë e një kompanie të huaj  e që punojnë vetëm për kompaninë mëmë.

Shumica e kompanive të marra në studim ofronin softuer dhe shërbime IT. Të dytat në renditje janë produktet softuerë. Në vend të tretë dhe të katërt renditen produktet harduerë dhe shërbime për produktet harduerë. Produkte të tjera ishin: Konsulencë IT, portale ueb, trajnime ICT, telekomunikacion dhe edukim. Nga 25 kompanitë e anketuara, 21 prej tyre deklaruan se ishin anëtare të AITA-s. Një nga këto kompani  është gjithashtu anëtare  e MASIT maqedonas dhe Montenegrin IT Cluster. Katër kompani deklaruan se nuk janë anëtare të një shoqate ICT. Kompanitë e marra në studim janë themeluar 29 vitet e fundit. Këto kompani  kanë një moshë mesatare prej 12 vjetësh. Kompania e themeluar më herët daton në vitin 1985, kurse më e reja është themeluar këtë vit, 13 prej tyre janë themeluar ndërmjet vitit 2005 dhe 2011.

Për sa i përket profilit teknik të kompanive pjesëmarrëse në anketim: kompanitë deklaruan që sistemi operativ më i përdoru është Windows, ashtu siç edhe ishte pritur. I dyti i përmendur është LINUX. Lidhur me platformat mobile përmendim Android, Windows mobile dhe iOS. Gjuhët e programimit më të përdorura janë: HTML, XML, Java, Java Script, .NET dhe PHP, lidhur me gjuhët e zhvillimit për bazat e të dhënave, më të përdorura janë mSQL, mySQL dhe MS SQL server. Shumica e kompanive, 12 prej tyre kanë certifikimin ISO, 5 prej tyre janë të certifikuara  në CMM/CMMI, 4 kompani janë të certifikuara në IT Mark dhe 2 në SPICE. Një kompani ka disa certifikime ISO, IT Mark, CMM/CMMI dhe SPICE.

Nga pyetjet në lidhje me eksportin, 80% e tyre punon për kompani ndërkombëtare në tregun vendas, por vetëm 28 % e tyre eksportojnë. Si avantazhi konkurrues për këta kompani përmendet çmimi. Nga ky studim kompanitë deklaruan që pengesat kryesore për eksportin janë: branding, kontaktet e biznesit jashtë, mbështetja e qeverisë, partner të duhur të biznesit, mungesë interesi dhe ndërgjegjësimi, trajnime eksporti ose shërbime konsulence. Të ardhurat nga shitjet lidhur me eksportet janë 19-20% e shitjeve në dy vitet e fundit. Parashikimi për 2014 është 26%. Pjesa më e madhe e të ardhurave nga shitjet eksport vjen nga produktet softuer. Klientët kryesor për eksportet e kryera janë kompanitë IT.  (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>