Lajmet

AKEP nxjerr të parregullta paketat 28 ditore të Vodafone dhe Telekom Albania

Apr 24 2018
0 Shpërndarje
Për rrjedhojë, operatorët që kanë kryer faturim 28 ditor u gjetën në shkelje të rregullores “Për termat e përgjithshme të kontratës”. AKEP nxjerr të parregullta paketat 28 ditore të Vodafone dhe Telekom Albania

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) urdhëroi dy nga tre operatorët e tregut të komunikimeve celulare të heqin dorë nga tarifimet katërjavore për klientët me parapagesë, pas dy vitesh e gjysmë debatesh. AKEP, institucioni që mbikëqyr tregun e komunikacioneve, e mori vendimin në mbledhjen e bordit më 24 Prill 2018. [Link vendimi]

Sipas vendimit, tre operatorët e tregut, Vodafone, Telekom dhe Albtelekom, duket se shkelën një rregullore të Autoritetit ku flitet në mënyrë eksplicite për “tarifim mujor kalendarik”, ndërkohë që kompanitë u mbrojtën me argumentin se është liria e tyre të përcaktojnë rregullat e faturimit. Për rrjedhojë, AKEP urdhëroi dy nga tre kompanitë, Telekom Albania dhe Vodafone, që të rikthehen te tarifimi mujor i shërbimeve të komunikimit. Të dy kompanitë kanë afat deri më 1 qershor për të vepruar. Operatori tjetër, Albtelekom, riktheu në fund të marsit vullnetarisht tarifimin 30 ditor.

Paketat katërjavore

Brenda një periudhe tetëditore mes 15 marsit dhe 21 marsit 2016, tre operatorët e tregut të telefonisë celulare ulën kohëzgjatjen e paketave të komunikimit me parapagesë nga 30 në 28 ditë. Kjo bëri që viti kalendarik me 12 muaj të faturohej në 13 periudha dhe që për rrjedhojë, klientët pësuan një rritje të kostos vjetore të këtyre shërbimeve me rreth 6.5%.

Autoriteti i Konkurrencës e hetoi çështjen gjatë vitit 2017 bashkë me një rritje tjetër paralele të tarifave të paketave me parapagesë të kryer në mars-prill 2017. AK nuk vërtetoi sjellje të koordinuar të operatorëve në treg, gjë që mund të shoqërohej me gjoba për kompanitë, por argumentoi se ndryshimi thuajse në unison i tarifave më 2016 dhe 2017 mund të jetë si rrjedhojë e sjelljes së pavarur të operatorëve që imitojnë njëri-tjetrin, por jo domosdoshmërisht bien dakord me njëri-tjetrin për këto ndryshime. Gjithsesi, pavarësisht se nuk gjeti shkelje, AK i rekomandoi AKEP si enti rregullator i tregut të telekomunikacioneve ta shqyrtojë problemin. AKEP u përball me presion të shtuar në mars të këtij viti kur disa deputetë i kërkuan llogari se çfarë po bëhej me tarifat katërjavore. Në mars 2018, Bordi i AKEP vendosi hapjen e procedurës së hetimit administrativ, i cili përfshiu analizimin e situatës dhe pyetjen e operatorëve.

Në përgjigjet e tyre, operatorët u ankuan se kanë pasur rritje të kostos së telefonatave ndërkombëtare dalëse jashtë BE-së si dhe argumentuan se legjislacioni në fuqi i jep atyre të drejtë të përcaktojnë kohëzgjatjet e tarifimit si dhe çmimet si të duan, me kushtin që të kenë informuar paraprakisht klientët për ndryshimet. Operatorët theksuan gjithashtu se tarifimi katërjavor është një praktikë që është përhapur në shumë vende të botës nga kompani të ndryshme celulare.

AKEP argumentoi se një rregullore e saj për kontratën tip të komunikimeve elektronike e miratuar në vitin 2013, saknsionon se tarifimi duhet të jetë mujor dhe jo 28 ditor.

“Në kreun VI të të emërtuar “Çmimet, faturimi dhe pagesa e shërbimeve” Pika 5.2 sanksionon si element edhe “Vlerën e gjithë shërbimeve të përdorura gjatë periudhës së faturuar. Periudha e faturimit zgjat nga dita e parë deri te dita e fundit e muajit kalendarik,” shkruhet në argumentimin e vendimit të AKEP.

Për rrjedhojë, operatorët që kanë kryer faturim 28 ditor u gjetën në shkelje të rregullores “Për termat e përgjithshme të kontratës”.

Për këtë arsye, AKEP urdhëroi operatorët të rikthehen te paketat 30 ditore. Pavarësisht se të tre operatorët u gjetën në shkelje, vendimi nuk mbart penalizime për operatorët dhe nuk parashikon kompensim për mbifaturimin e kryer përmes paketave katërjavore që nga viti 2016. /Reporter

Lajmet e fundit>