Lajmet

AKEP raporton rënie të ndjeshme të abonentëve të telefonisë celulare

Apr 18 2017
0 Shpërndarje
AKEP raporton rënie të ndjeshme të abonentëve të telefonisë celulare

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka publikuar statistikat e tregut të telekomunikacionit për tre mujorin e fundit të 2016-ës duke raportuar 103 kompani të cilat operojnë në këtë fushë.

Gjatë fundit të 2016-ës, AKEP shtroi aktivitetin e tij edhe në qytetet e Shkodrës dhe Vlorës duke hapur zyra të reja të monitorimit të cilësisë së shërbimeve.

Ky raport tregoi një rritje të ndjeshme të ofruesve krahasuar me një vit më parë. Në fillim të 2016-ës, tregu numëronte 80 operatorë nga 103 që ishte në fund të 2016-ës.

Tkurret telefonia mobile

Por kjo mesa duket nuk ka ndikuar pozitivisht në numrin e abonentëve. Sipas AKEP ka patur një rënie me 2.5% në numri total të kartave SIM krahasuar me tre mujorin e tretë të vitit.

Konkretisht nga 5.4 milion karta SIM në përdori, kjo shifër ra në 5.28 milion. Sa i përket numrit të kartave SIM aktive, në tre mujorin e katërt ishin 3.4 milion të tilla, një rënie e ndjeshme me 14.2 % krahasuar me tre mujorin paraardhës.

91.8% e abonentëve kanë një numër me parapagesë. Rënie shënoi edhe numri i përdoruesve aktivë të internetit celular, konkretisht me 1.68 milion ose 8%.

Vodafone vijon udhëheqjen e tregut me 1.73 milion abonentë aktivë, ndjekur nga Telekom Albania me 1.13 milion abonentë aktivë, Albtelecom me 445 mijë dhe Plus me 180 mijë. Të gjithë operatorët shënuan rënie të numrin të abonentëve aktivë me përjashtim të Plus i cili shijoi rritje me 12.5%.

Shërbimet fikse nën hijen e atyre mobile

Telefonia fikse dhe shërbimet fikse në terësi janë gjigandët që flenë. Pas një viti në rënie, telefonia fikse shënoi rritje tre mujorin e fundit me 11.4% dhe kjo si rezultat i mënyrës së pasqyrimit të numri të abonentëve nga kompania Tring Communications.

Në tre mujorin e fundit në Shqipëri ishin 248,640 linja fikse ku 176,733 i përkasin Albtelecom, 13,946 i përkasin Abcom, 37,765 i përkasin Tring dhe 4,306 i përkasin Nisatel.

Interneti fiks gjithashtu shënoi rritje me 1.8% në 266 mijë abonentë. Ky sektor i komunikimeve elektronike vijon të ketë rritje të vazhdueshme prej vitesh, një rritje e ngadaltë e cila nuk i kalon shifrat 10% nga viti në vit.

Albtelecom vijon dominimin me 109 mijë abonentë ndjekur nga Abcom me 52 mijë, Abissnet me 29 mijë dhe Tring me 37 mijë abonentë. Vetëm Albtelecom zotëron 41.3% të tregut. /CIO Albanian

Lajmet e fundit>