Intervista

Albana Roçi: Intervistë me Diplomën e Vitit në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards

May 25 2017
0 Shpërndarje
Në temën e diplomës janë punuar algoritmet e njohjes së irisit të syrit ku risia e këtij projekti qëndron në përmirësimin e saktësisë së identifikimit të irisit. Albana Roçi: Intervistë me Diplomën e Vitit në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards Photo Source: ICT Awards

Albana Roçi është nga qyteti i Peshkopisë dhe studimet e larta i ka kryer në Universitetin Epoka. Tema e diplomës me të cilën konkuroi në ICT Awards quhet “Iris Recognition”, si një nga degët e Biometrikës e cila trajton teknologjinë e identifikimi të personave duke u bazuar në tiparet fiziologjike të individit. Kohët e fundit përdorimi i shenjave të gishtërinjve, njohja sipas tipareve të fytyrës apo syve është futur në fushën e sigurisë. Zhvillimi i algoritmeve biometrike është bërë një fushë shumë tërheqëse dhe sfiduese për kërkuesit shkencore.

Në temën e diplomës janë punuar algoritmet e njohjes së irisit të syrit ku risia e këtij projekti qëndron në përmirësimin e saktësisë së identifikimit të irisit. Janë përdorur modele matematikore për marrjen e imazhit, segmentimin, normalizimin, enkodimin dhe krahasimin. Ky projekt mund të zbatohet në sisteme të ndryshme të sigurisë së lartë si: në sistemet bankare, aeroporte, në polici, në hyrjen e mjediseve me qasje të kufizuar etj.

PCWA: Albana, një studente e Biometrikës, a mund të na flasësh rreth fushës tënde të studimeve, fillesat dhe shtysa për të ndjekur këtë drejtim?

Albana Roçi: Biometrika është një fushë kërkimore shumë dinamike, e cila fokusohet në identifikimin e personave duke u bazuar në tipare unike siç janë shenjat e gishtave, zëri, shkrimi i dorës, struktura e irisit, forma e fytyrës etj. Gjatë studimeve të bachelorit punimi i tezës time përfundimtare ishte në Inteligjencën Artificiale dhe kjo shërbeu si një kontakt i imi fillestar me këtë fushë interesante. Kur fillova studimet e masterit kisha disa mundësi zgjedhje për punën kërkimore që do të përmbyllej në tezën e masterit shkencor. Njëra nga mundësitë ishte të punoja në Iris Recognition me Dr. Arban Uka.

Pas një kërkimi të shkurtër mësova pak më shumë mbi fushën në përgjithësi dhe drejtimet ku ishte orientuar puna kërkimore. Vura re se biometrika kishte nje aparat matematikor shumë sfidues dhe algoritma që ishin zhvilluar nga pionierët e kësaj fushe.

PCWA: Pse keni zgjedhur të bëheni pjesë e edicionit të pestë të Albanian ICT Awards dhe prej sa kohësh jeni të njohur të me këtë iniciativë?

Albana Roçi: ICT Awards ka disa vite që organizohet dhe unë si studente e inxhinierisë kompjuterike kam qenë e informuar kryesisht nga vizitat e ICT Media në kampusin e Universitetit Epoka dhe nga media. E kam vënë re se është një platformë ku shumë studiues ballafaqohen me punime interesante.

PCWA: Duke folur për temën tënde të diplomës Iris Recognition, a mund të na përshkruani më në detaje këtë projekt, si filloi, puna e bërë dhe rezultatet?

Albana Roçi: Unë jam bërë pjesë e këtij projekti në tetor 2015, si pjesë e temës së diplomës. Qëllimi i kësaj pune ka qenë që ne të arrijmë përmiresimin e saktësisë, uljen e gabimit (EER) dhe të optimizojmë kohën e ekzekutimit. Kontributi jonë është kryesisht në fazën e segmentimit dhe në fazën e enkodimit të informacionit. Nga puna që ne realizuam përftuam saktësi më të lartë dhe shkallë gabimi më të ulët në krahasim me punimet e publikuara në literaturë.

PCWA: Pa hyrë në detaje tejet teknike, çfarë mund të na thoni për algoritmet e përdorura në këtë projekt?

Albana Roçi: Iris Recognition ka pesë faza kryesore: i) marrja e imazhit, ii) segmentimi, iii) normalizimi, iv) enkodimi i informacionit, dhe v) krahasimi. Për të testuar algoritmat kemi zgjedhur databazën CASIA1, që përmban imazhe të irisit nga persona të ndryshëm, për arsye testimi. Segmentimi është një nga hapat më kryesore pasi ai lokalizon kufijtë e irisit të syrit. Përmendim këtu se irisi është pjesa e syrit që ka një strukturë unike për çdo person, ka pigmentin e ngjyrës, dhe persa i perket syrit përjashton beben e syrit (e cila është  me ngjyrë te zezë dhe shërben si lente) dhe sklerën (pjesa e bardhë).

Në menyrë që modelet te jenë te krahasueshme me njëra tjetrën atëhere duhet qe këto modele të kenë të njëjtat dimensione, që realizohet në fazën e normalizimit. Në fazën e enkodimin përdorim filtra log Gabor nje dimensional dhe më vonë i konvertojmë vlerat e modelit nga informacion faze në informacion binar. Në fazën e fundit, krahasohen modelet e formuara me njëra tjetrën.

PCWA: Si e shikoni nevojën për një teknologji të tillë dhe cilët janë ato sektorë që mund të përfitojnë përmes implementimit të saj?

Albana Roçi: Kohët e fundit siguria e informacionit është kthyer në një nga çështjet më të rëndësishme, sepse bota dixhitale po funksionon mbi marrjën, përpunimin dhe trasmetimin e informacionit. Këto sisteme gjejnë përdorim në sistemet bankare, në aeroporte, në dogana etj.

PCWA: A do të qëndrojë një temë diplome apo keni parashikuar zhvillim të mëtejshëm të saj?

Albana Roçi: Kjo është një fushë shumë e bukur dhe unë aktualisht po  vazhdoj të punoj në këtë fushë. Një mundësi është që algoritmat që ne zhvilluam mund të implementohen në një sistem automatik dhe për këtë mund te aplikohet për patentë. Në fushën kërkimore gjithmonë ka mundësira për përmirësim, duke qenë se shtohen databaza me imazhe te irisit bazuar në faktorë të ndryshëm siç janë për shembull databaza me imazhe nga binjakët.

PCWA: A e keni prezantuar atë si një ide ofrues sistemesh biometrike?

Albana Roçi: Për momentin ne jemi në fazën kërkimore dhe nuk kemi menduar për një implementim final. Në vitet në vijim do te jetë një ide e mirë për tu hedhur në tregun shqiptar.

PCWA: Cila është e ardhmja e Iris Recognition?

Albana Roçi: Duke qenë që zhvillimet në fushën e Iris Recognition mundësojnë rritjen e sigurisë së informacionit, ajo do të ketë një përdorim shumë të gjëre. Dhe kërkimet mbi këtë fushë do të vazhdojnë deri kur detektimi i irisit të bëhet edhe në imazhe me cilësi shumë të ulët. Një drejtim i ri është përdorimi i njëkohësishëm i imazheve të irisit dhe të fytyrës në mënyrë të kombinuar, ose përdorimi i imazheve të irisit bashkë me shenjat e gishtave të të njëjtit person.

PCWA: Çfarë projektesh ka në plan Albana në të ardhmen?

Albana Roçi: Në tre vitet e fundit kam punuar si asistente kërkimore në universitetin Epoka dhe mendoj të vazhdoj karrierër në fushën akademike.

PCWA: Çfarë do të thotë për Albanën të jesh Diploma e Vitit në ICT Awards V?      

Albana Roçi: Është një vlerësim që projekti im u zgjodh mes shumë punimeve të bukura. Më vjen mirë, që puna e palodhshme dhe tema e Iris Recognition për të cilën jam e interesuar është vlerësuar. Ky çmim më ka motivuar për të vazhduar rrugën akademike. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>