Lajmet

“Albanian ICT Awards II” do të udhëtojë në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë më 6, 7 dhe 8 mars

Mar 3 2014
0 Shpërndarje
“Albanian ICT Awards II” do të udhëtojë në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë më 6, 7 dhe 8 mars

aictsKosova është një prej trevave shqiptare me shumë prurje e talente interesante në fushën e teknologjisë, prandaj aktivitetet e “Albanian ICT Awards” kanë gjithmonë një rëndësi të veçantë në këtë vend. Tre takime pune do të mbahen gjatë kësaj javë në tre qytetet kryesore të Kosovës, ku do të prezantohet më gjerësisht konkursi mbarëkombëtar i identifikimit të më të mirëve në fushën e ICT-së.

Workshop-et do të zhvillohen në datat 6, 7 dhe 8 mars, përkatësisht në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë. Gjatë këtyre Workshop-ve do të paraqitet më ne detaje nisma e parë mbarëshqiptare e këtij lloji, “Albanian ICT Awards”, duke sjellë edhe një vështrim në retrospektivë nga suksesi i jashtëzakonshëm i eventit të vitit të kaluar.

Studentët apo të pranishmit kanë mundësi të njihen më nga afër me konceptin e eventit, të marrin informacione më të plota mbi konkursin, të njihen me kriteret e aplikimit, procesin e vlerësimit të projekteve, afatet e fundit të dorëzimit të punëve të tyre, përfitimet për fituesit etj. Gjithashtu ata do të kenë mundësi të marrin edhe këshilla të vlefshme që do t’i ndihmojnë të plotësojnë sa më denjësisht aplikimet e tyre, të cilat pranohen vetëm online përmes faqes zyrtare http://ictawards.org/

A.U.K. hap dyert më 6 mars në ora 11:00

Workshop-i i Prishtinës do të mbahet tek American University of Kosovo, një institucion mjaft i rëndësishëm arsimor në Kosovë, i cili është partner për të dytin vit radhazi i “Albanian ICT Awards”.

aukSi një nisëm e cila ngre lartë vlerat individuale, është shumë e hapur për të gjithë studentët e A.U.K. të degëve të IT-së, Dizajn, komunikim, biznes, por edhe për të gjithë të interesuarit të cilët e shohin veten potencialisht kandidatë të mundshëm në këtë konkurs. Gjatë këtij takimi do të flasin përfaqësues të kompanisë organizative ICTSmedia, A.U.K., të ftuar nga Tirana mbështetës të këtij evenimenti njëherësh gjurmues të inovatorëve të rinj të këtij vendi.

Jakova Innovation Center mirëpret të gjithë më 07 mars ora 12:00

jakovaNjë nismë e tillë në një qytet me një karakteristikë të theksuar të sipërmarrjes si Gjakova, ka një rëndësi të veçantë pasi nxisin zhvillimin e konkurrencës individuale, projekteve inovatore e kreative, aktivizimit të të rinjve dhe mirënjohjes për punët e tyre më të mira. Së fundmi, nga qeveria lokale me financimin e Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë është themeluar edhe Qendra inovative “JIC”, e cila synon t’iu ofrojë ndihmë bizneseve fillestare, të ndihmojë në krijimin e bizneseve të cilat tregojnë potencial për të qëndruar mirë financiarisht pasi që të dalin nga aty, pas një periudhe të caktuar. Gjatë këtij takimi do të marrin pjesë të ftuar nga Tirana, Prishtina si dhe do të marrin pjesë me fjalime udhëheqës të rëndësishëm të kuvendit komunal.

Mitrovica mirëpret ICT Awards në një takim të radhës më 08 mars ora 13:00

Në ambientet e CC “Cafè Library” – “Këndi kreativ 7Arte” në bibliotekën e qytetit, të rinj dhe të reja, të pasionuar për teknologjinë dhe kontribuues të ndryshëm të këtij qyteti do të mblidhen për të mbajtur një takim pune. Qyteti i bukur i Mitrovicës është përzgjedhur nga organizatorët për të demonstruar se çdo shtetas shqiptar, pa dallim gjeografik, i cili ka qenë bartës i së paku një projekti të suksesshëm përgjatë vitit kalendarik 2013 mund të jetë kandidat. Kriter për t’u konsideruar kandidat i suksesshëm apo i nominuar, mund të jetë çdokush që përmes teknologjisë arrin të demonstrojë rezultate të matshme dhe të prekshme aty ku është e mundur, për përfituesit e targetuar. Mund të jetë çdokush që demonstron zhvillimin e një teknologjie të re, apo qoftë duke e përdorur një teknologji ekzistuese me metoda të reja

Për të gjithë ju që dëshironi të jeni pjesë e këtyre workshop-eve, mjafton të dërgoni një e-mail konfirmues në adresën [email protected] . (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>