Lajmet

Albanian ICT Awards II: Të hënën më 31 mars mbyllet zyrtarisht afati i aplikimeve

Mar 26 2014
0 Shpërndarje
Albanian ICT Awards II: Të hënën më 31 mars mbyllet zyrtarisht afati i aplikimeve

1239723_293274640829069_1090409269_nEdhe pak ditë na ndajnë nga mbyllja e aplikimeve për  “Albanian ICT Awards II”, konkursit mbarëshqiptar që do të kurorëzojë fituesit më datë 25 prill 2014 në Tirana International Hotel, në një mbrëmje Gala. Pas shumë takimesh dhe promovimesh në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, faza e mbledhjes së jurisë në tryezën e përbashkët po afrohet. Aplikimet do të mbyllen zyrtarisht më 31 mars 2014 dhe në ditët në vijim juria, e përbërë nga një sërë profesionistësh të shquar të fushës së ICT-së në trevat mbarëshqiptare, do të mblidhet për të vlerësuar projektet në fazën e parë. Fillimisht, juria do të krijojë një listë paraprake me disa prej projekteve më interesante për secilën kategori, duke ftuar më pas aplikantët të bëjnë një prezantim të shkurtër ballë për ballë mbi punën e tyre. Më pas, juria do të mblidhet edhe njëherë për të përzgjedhur fituesin e çdo kategorie mes aplikantëve më të mirë të fazës së parë.

Paneli i jurisë përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë, të niveleve të ndryshme, si institucione publike, universitete, njerëz të shkencës, të biznesit, profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të ICT-së, të shquar me aktivitete brenda apo jashtë vendit. Disa prej tyre janë Prof. Dr. Petraq Papajorgji, dekan i Inxhinierisë në Canadian Institute of Technology në Tiranë, Erion Nako, profesionist i menaxhimit të biznesit, Visar Jasiqi, profesionist në zhvillimin e resurseve humane në sektorin e teknologjisë, Enkelejd Zotaj, drejtor i IT-së në Raiffeisen Bank, Sokol Muça, Këshilltar për Inovacion pranë i Ministres së Arsimit dhe Sportit, Igli Gjelishti, webmaster në Top Media, Dr. Mirlinda Karçanaj, drejtore e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si dhe Prof. Asoc Genti Daci, pedagog pranë Universitetit Politeknik të Tiranës dhe CEO i ABCom.

Çmimet e “Albanian ICT Awards” gjenerojnë një nivel të lartë ekspozimi mediatik jo vetëm në mediumet online dhe të shtypura të ICTSmedias, si PCWorld Albanian, CIO.al apo revistës ComputerWorld Albanian, por edhe falë partneriteteve strategjike mediatike. Fituesit e “Albanian ICT Awards” do të promovohen në mediume të specializuara të fushës së ICT-së, si online dhe atyre të shtypura, në mediume të tjera promovuese dhe në ekranet dhe faqet e partnerëve të tjerë mediatikë televizivë që e mbështesin këtë eveniment.

Eventi, i cili po kthehet tashmë në një traditë të përvitshme, ka për qëllim dhënien e shpërblimeve dhe ngritjen e vetëdijes individuale dhe profesionale. Shpërblimet do të nxisin individët, organizatat, bizneset dhe grupet inovative, që të orientojnë krijimtarinë e tyre drejt niveleve dhe dimensioneve të reja sociale dhe më gjerë. Përfitime të tjera po kaq të rëndësishme janë krijimi i besueshmërisë profesionale, krijimi i kontakteve dhe marrëdhënieve të ndërsjella me pjesëmarrësit në fushat e ICT-së. Pjesëmarrësit dhe fituesit do të kenë mundësi të njihen me personalitete të rëndësishme të fushës së ICT-së dhe të biznesit. Çmimet dhe shpërblimet do të shoqërohen, gjithashtu, me vlerësime financiare, paketa të ndryshme sponsorizimi si trajnime, studime të avancuara, pajisje elektronike etj.

Ndër partnerët dhe sponsorët e eventit janë Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha”, Raiffeisen Bank, që garanton çmimet financiare për fituesit, Vodafone Albania që do të dhurojë çmime materiale për ta si dhe është e interesuar të blejë apo të investojë në projektet më të suksesshme të konkursit, Top Channel që mbështet mediatikisht konkursin, University of New York Tirana që do të sigurojë bursa universitare dhe pasuniversitare për fituesit e kategorive, A.U.K, kompanitë Albvision dhe Albsoft për mbështetjen e dhënë gjatë këtyre dy edicioneve, Abcom, Abissnet, Tirana Business Park si dhe partnerët Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Arsimit dhe Sportit sidhe Shoqata AITA e cila është partnere për të dytin vit radhazi e kësaj nisme.

“Albanian ICT Awards” është mundësia më e mirë për të ekspozuar projektet e të gjithë të talentuarve në fushën e ICT-së. Edhe pak ditë na ndajnë nga mbyllja e fazës së aplikimeve. Të gjithë kandidatët potencialë mund të plotësojnë formularët, të cilët pranohen vetëm online përmes faqes zyrtare www.ictawards.org. (ICTSmedia/PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>