Lajmet

“Albanian ICT Awards” mban takimin e hapur me të rinjtë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Mar 12 2014
0 Shpërndarje
“Albanian ICT Awards” mban takimin e hapur me të rinjtë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

_A3V7745U organizua me sukses gjatë ditës së djeshme takimi i hapur mes të rinjve dhe organizatorëve të “Albanian ICT Awards”, në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe në praninë e vetë Ministrit Erion Veliaj. Qëllimi i takimit ishte ndërgjegjësimi dhe nxitja e të rinjve në kontribimin social përmes teknologjisë, edhe pse një pjesë e të rinjve të pranishëm kishin aplikuar tashmë në konkurs dhe ishin të familjarizuar me konceptin e tij. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu edhe ekspertë nga fusha e ICT-së si dhe një prej anëtarëve të jurisë së këtij edicioni, Prof. Petraq Papajorgji.

Ministri Erion Veliaj gjatë fjalës së tij vuri theksin në qëllimin për të cilin ishin mbledhur të gjithë, të japim ndihmën tonë në shoqëri duke u treguar krijues me aplikacione apo programe të dobishme për komunitetin. “Albanian ICT Awards” është një mundësi e shkëlqyer për të shpalosur këto projekte, pasi edhe një ndër kriteret e vlerësimit të jurisë është pikërisht impakti social që ka puna e zhvilluar nga konkurrenti.

“80% e investimeve të kësaj ministrie nuk janë për të ndërtuar shtëpi të reja, azile të rinj ose ndërtesa apo investime le të themi infrastrukturore. 80% e investimeve të kësaj industrie për këtë vit janë kontrata shërbimesh IT. Buxheti i shteti për këto lloj pagesash në vit është rreth 200 milionë $. Kjo do të thotë se është mëse e natyrshme që ne të na mbeten disa milionë dollarë për të ndërtuar sisteme,” tha ai, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë që po i jepet zhvillimit të teknologjisë nga qeveria.

Në vijim, Prof. Dr. Petraq Papajorgji foli mbi eventin dhe pjesëmarrjen e tij në edicionin e dytë të “Albanian ICT Awards”. “E kam marrë këtë detyrë me shumë kënaqësi dhe me shumë përgjegjësi. Albanian ICT Awards është një ngjarje shumë e rëndësishme që i ka dhënë një dimension procesit të zhvillimit të ICT-së në vendin tonë. Ai është i vetmi event që e ve fokusimin tek inteligjenca, tek integriteti dhe tek suksesi i të rinjve,” tha në fjalën e tij profesor Papajorgji.

_A3V7707Takimi u shoqërua me prezantimin e pesë kategorive të Albanian ICT Awards si dhe me evidentimin e disa këshillave për përgatitjen e një aplikimi sa më të plotësuar. Menaxheri i eventit, Kushtrim Shala, foli gjithashtu mbi përfitimet dhe çmimet që gjeneron eventi. Disa prej tyre janë niveli i lartë ekspozimit mediatik dhe profesional në botën e ICT-së mbarëshqiptare, vlerësime financiare, paketa të ndryshme sponsorizimi si trajnime, studime të avancuara, bursa bachelor, bursa master, mundësi punësimi në kompanitë partnere dhe sponsore, internship, pajisje elektronike etj.

Në fund u zhvillua një bashkëbisedim i hapur mes të pranishmëve, organizatorëve si dhe ministrit Veliaj dhe profesor Papajorgjit. Kandidatët që kishin aplikuar patën mundësi të prezantonin me pak fjalë aplikacionin e tyre ndërkohë që të tjerë bënin pyetje për të njohur më në brendësi gjithçka që kishte të bënte me konkursin. (ICTSmedia/ PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>