Lajmet

Albanian ICT Awards në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”

Mar 14 2014
0 Shpërndarje
Albanian ICT Awards në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”

ICTA_Twitter_Photo“Albanian ICT Awards”, konkursi mbarëkombëtar tashmë i njohur në rangun e talenteve dhe profesionistëve të ICT-së në rajonin mbarëshqiptar, i cili vlerëson projektet më të mira të realizuara gjatë vitit të kaluar, vazhdon të mbetet nën fokusin e veçantë të mediave. Eventi ishte temë diskutimi gjatë ditës së mërkurë në njërin prej televizioneve më të ndjekura shqiptare, Top Channel.

Të ftuar në panelin e emisionit “Pasdite në Top Channel” ishin Kushtrim Shala, si kordinator dhe organizator i konkursit, Prof. Petraq Papajorgji, anëtar jurie i këtij edicioni si dhe Prof. Kozeta Sevrani, anëtare e jurisë së konkursit të vitit të kaluar.

Përveç prezantimit të konceptit të eventit, gjatë emisionit u fol gjithashtu mbi theksin e veçantë që konkursi ve mbi aplikacionet apo programet e zhvilluara në ndihmë të komunitetit. Eventi i organizuar nga kompania ICTSmedia ndodhet aktualisht në fazën e pranimit të aplikimeve nga profesionistë të fushës së ICT-së si dhe të rinj të talentuar nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare, çka do të thotë se ka ende edhe pak kohë deri në mbylljen e pranimit të aplikimeve më 31 mars.

Kushtrim Shala u shpreh se në edicionin e dytë të konkursit jo vetëm që është vënë re një interesim dhe një numër aplikimesh më i madh krahasuar me vitin e kaluar, por ato janë njëkohësisht më cilësore dhe më të plotësuara në aspektin e dokumentacionit të kërkuar, një këshillë që iu është dhënë shpesh aplikantëve. Profesorët Kozeta Sevrani dhe Petraq Papajorgji u shprehën të nderuar që kishin qenë pjesë e jurisë dhe treguan mbi interesimin e lartë që ka pasur eventi mes studentëve në fakultetet ku ata japin mësim.

Për t’i bërë më të prekshme të gjitha ato që u thanë gjatë bisedës, redaksia e emisionit kishte përgatitur një ndërthurrje mes videove me fituesit e kategorive të vitit të kaluar, disa prej aplikacioneve të së cilëve ishin në dobi të shoqërisë, si dhe të ftuarve specialë. Një prej tyre ishte edhe krijuesi i një aplikacioni që iu vjen në ndihmë të verbërve, Erion Çuni, të cilët mund t’i japin komanda smartfonit të tyre pasi kanë bërë më parë një dridhje të tij. Demonstrimi i aplikacionit për Android u bë live në emision.

 

I ftuar ishte gjithashtu edhe fituesi i kategorisë “Ylli në Ngritje i Vitit” për konkursin e vitit të kaluar, Elio Qoshi. Ai foli mbi projektin me të cilin fitoi çmimin e “Albanian ICT Awards” si dhe për suksesin që kishte pasur në karrierën e tij pas përfundimit të eventit.

 

Mbrëmja gala, e cila do të mbahet më 25 prill, do të kurorëzojë fituesit e pesë kategorive në një organizim prestigjoz në një nga sallat e hoteleve më të mëdha të Tiranës, ku do të ketë pjesëmarrje nga profesionistë të IT-së, gazetarë, të ftuar nga institucione publike, private etj. Fituesit do të nderohen me kupa, çertifikata dhe do të marrin përfitime materiale dhe financiare. Njëkohësisht, të gjithë aplikantët kanë mundësi të krijojnë konktakte me kompanitë më prestigjoze shqiptare të botës së teknologjisë. Të gjtihë të interesuarit mund të informohen dhe të aplikojnë në adresën zyrtare www.ictawards.org. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>