Lajmet

ALBtelekom mbështet themelimin e qendrës PROTIK

Oct 25 2011
0 Shpërndarje
ALBtelekom mbështet themelimin e qendrës PROTIK

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Dr. Orhan COŞKUN (XHOSHKUN) u shpreh pas ceremonisë se krijimi i kësaj qendre përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë. Ai tha se ALBtelecom është krenar që mbështet një projekt, i cili është në vëmendje të ekonomive më moderne të botës. Sipas tij, rritja dhe përmirësimi i komunikimit dhe informacionit  nxit akoma më shumë zhvillimin e shoqërisë, ndaj ALBtelecom dhe Eagle Mobile gjatë 3 viteve të fundit kanë investuar rreth 150 milionë Euro.  

“Ne jemi krenarë dhe të lumtur që mbështesim një nismë të tillë. Të vetëdijshëm për rëndësinë e rritjes së përmirësimit të komunikimit, ALBtelecom dhe Eagle Mobile, vetëm gjatë 3 viteve të fundit, kanë investuar rreth 150 milionë euro në infrastrukturë. Rrjeti ynë i fibrës optike është rritur me 200%, ndërsa kapaciteti i Internetit Broadband është rritur 100 herë”, – u shpreh z. Orhan Coskun. 

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile vijoi më tej duke thënë se investimet e kryera kanë bërë që çmimet e shërbimit të internetit në Shqipëri të ulen ndjeshëm (tre vitet e fundit çmimi për 1 Mbps i internetit ka rënë 70%). Ulja e çmimit të internetit, sipas tij, ka bërë që të tkurret ndjeshëm ndarja dixhitale mes qytetarëve të vendeve me akses në Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit dhe atyre që nuk e kanë këtë akses. 

“Teknologjia e Informimit dhe Komunikimit merret drejtpërdrejt me zbatimin dhe qasjen ndaj teknologjisë së informacionit për uljen e varfërisë, ndaj dhe jam i bindur se Qendra Burimore dhe e Trajnimeve për Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit  do të ketë një impakt të rëndësishëm në përmirësimin e të ardhurave në arsim, shëndetësi, siguri dhe çdo aspekt tjetër të zhvillimit të shoqërisë”, – u shpreh ai. 

Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes tha se qendra “PROTIK” është një hap i rëndësishëm në avancimin e “Shqipërisë Dixhitale”. “Përmes partnerëve të rëndësishëm si USAID e AADF e në bashkëpunim me koorporata globale si Microsoft, Cisco e HP, si dhe kompaninë ALBtelecom, ne do të krijojmë një pikë ekselence, një bosht të promovimit të dijes dhe aftësive në fushën e Teknologjive të Informacionit dhe adoptimit të përvojave më të mira botërore”, – u shpreh Pollo.

Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në ceremoninë e hapjes, në fjalën e tij përshëndetëse tha se partneriteti publik-privat për hapjen e qendrës “PROTIK” mbart një rëndësi të veçantë në inkurajimin dhe promovimin e inovacionit.  “I shpreh falenderimin tim të përzemërt Drejtorit të USAID-it, z. Williams, i cili ka meritën e promotorit shumë të rëndësishëm të kësaj qendre, falenderoj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe anëtarët e Bordit, si dhe falenderoj Korporatën e Microsoft-it dhe ALBtelecom, që me përpjekje të përbashkëta hapim sot këtë qendër të një rëndësie shumë të madhe në trajnimin dhe kualifikimin  e ekspertëve shqiptarë për të ndjekur horizontet e mëdha dhe të lëvizshme të botës dixhitale”, – tha Kryeministri Berisha.

Projekti i Qendrës “PROTIK” synon të plotësojë tregun me veprimtari edukuese, shërbime mbështetëse, mjedis teknologjik bashkëkohor dhe veprimtari kërkimore, si dhe do të mbështesë aktivitete që kanë qëllim kryesor promovimin e produkteve të reja, etj.

Lajmet e fundit>