Lajmet

AMC ndihmon banorët e zonave të prekura nga përmbytja

Jan 18 2010
0 Shpërndarje
AMC ndihmon banorët e zonave të prekura nga përmbytja

Drejtori i përgjithshëm i AMC, zoti Stefanos Oktapodas, bëri të ditur sot para gazetarëve shumën prej 50 mijë euro, që kjo kompani vë në dispozicion të emergjencës së krijuar.

Si hap i parë, AMC akordoi shumën prej 50.000 euro në Komitetin Kombëtar të Emergjencës Civile, nëpërmjet llogarisë së posaçme bankare “Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë”. Gjithashtu kompania do të shpërndajë numra AMC dhe gjithçka tjetër që u nevojitet drejtuesve të operacionit në terren, për nevojat e tyre të komunikimit.

Ndërkohë skuadrat teknike të kompanisë AMC janë në terren dhe po marrin çdo masë që standartet e komunikimit të banorëve të mbeten në kushte të përsosura, sepse në këto caste komunikimi luan rol kritik në ruajtjen e jetës së njerëzve. Gjatë gjithë këtyre ditëve komunikimi nëpërmjet AMC nuk ka patur asnjë ndërprerje.

Drejtori i përgjithshëm i AMC, z. Stefanos Oktapodas, shprehu shqetësimin për situatën e vështirë si dhe solidarizimin e tij dhe të punonjësve të AMC me banorët e prekur nga kjo katastrofë natyrore. “Ndodhemi para një situate të vështirë. Në kohë të tillë fitojnë kuptimin e vërtetë iniciativat e Përgjegjësisë Sociale. Ndaj AMC është e gatshme të japë kontributin e saj të rëndësishëm, ku përfshihen burimet e saj njerëzore, financiare dhe teknike, me qëllim plotësimin e nevojave në zonat e prekura. Përfitoj nga prania juaj këtu për të ftuar edhe kompanitë e tjera t’u bashkohen përpjekjeve për të ndihmuar këto zona”- deklaroi z. Oktapodas.

Reagimi i menjëhershëm i kompanisë AMC në këtë rast është në vijim të nismave të mëparshme sociale të AMC, për të ndihmuar kategori të ndryshme njerëzish në nevojë në të gjithë vendin.

Lajmet e fundit>