Lajmet

AMD heq dorë nga ekskluziviteti Windows, adapton Android-in dhe Chrome OS

Jun 7 2013
0 Shpërndarje
AMD heq dorë nga ekskluziviteti Windows, adapton Android-in dhe Chrome OS

Pas vitesh të tëra ekskluziviteti për Windows-in, Advanced Micro Devices do të fillojë të dizajnojë çipe që funksionojnë me Android-in e Google si dhe Chrome OS në PC dhe tabletë.

AMD ka vendosur të zgjerojë opsionet për sisteme operative ndërkohë që projekton çipet e bazuara në x86 dhe arkitekturën ARM, të cilat përdoren në shumë sisteme operative.

Kompania është shprehur se ata janë mjaft të përkushtuar ndaj Windows 8, i cili besojnë se është një sistem shumë i mirë operativ, megjithatë, shohin një treg potencial edhe tek Android dhe Chrome.

Fillimisht AMD kishte deklaruar se nuk shihte ndonjë interes tek Android-i dhe se çipet e tyre do të dizajnoheshin ekskluzivisht për Windows 8 e Microsoft-it. Megjithatë, ky vendim ka rënë poshtë shumë shpejt teksa kompania ka planifikuar tashmë adaptimin e çipeve të veta për ata prodhues që ndërtojnë laptopë apo tabletë me Android dhe Chrome.

Kompania nuk dha asnjë deklaratë se kur mund të vijnë në treg tabletët Android me çipet e AMD-së. Ata u shprehën vetëm se për momentin po punojnë me zhvilluesit e aplikacioneve Android.

AMD ofron gjithashtu edhe emulatorin BlueStacks, i cili u lejon përdoruesve që kanë kompjuter Windows të ekzekutojnë në të aplikacionet Android. Ndërkohë, ARM, Intel dhe MIPS punojnë prej kohësh me Android. Një nga arsyet pse AMD po tenton tregun e Android-it mund të jetë adaptimi i dobët i Windows 8. Tregu i Android-it, nga ana tjetër, ofron një mundësi mjaft të mirë si dhe një treg edhe më të gjerë për kompaninë. (PCWorld Albanian)

amd android

Lajmet e fundit>