Harduer

AMD prezanton prcesorin e parë 5GHz eight-core

Jun 12 2013
0 Shpërndarje
AMD prezanton prcesorin e parë 5GHz eight-core

Duke i qëndruar besnike ofrimit të një performance të shkëlqyer përsa i përket shpejtësisë, AMD ka prezantuar procesorin më të ri AMD FX-9590 eight-core që përbën dhe pjesëtarin më të fuqishëm të familjes së procesorëve AMD FX, madje mendohet të jetë procesori i parë në botë 5GHz që disponohet në treg.

Në qoftë se kthehemi pas në kohë, në vitin 2000, AMD ka qenë kompania e parë që ka thyer barrierat e prodhimit të procesorit 1GHz duke ofruar në treg në maj të atij viti çipin 1GHz Athalon.

FX-9590 do të jetë i disponueshëm në treg gjatë verës së këtij viti ndaj mund të themi se Intel ka pak kohë deri në prodhimin e një procesori të tillë pasi aktualisht procesori më i shpejtë që ofron është 3.5GHz Core-i7-3970X, megjithatë nuk mund të themi se shpejtësia e ekzekutimit të instruksioneve përbën të vetmin parametër që përcakton performancën e CPU-së.

Përveç FX-9590, një procesor tjetër shumë i shpejtë i prodhuar nga kompania është edhe FX-9370 me një shpejtësi 4.7 GHz. Përdoruesi duhet të jetë në dijeni se të dy këta procesorë ofrojnë shpejtësitë e tyre maksimale kur aktivizohet opsioni Turbo Mode, një prej karakteristikave të familjes AMD FX që mundëson ndryshimin e shpejtësisë në varësi të ngarkesës së punës.

AMD është shprehur se procesorët e rinj do të sjellin lojërat në një nivel të ri ekzekutimi dhe do të ofrojnë një performancë shumë më të kënaqshme multimediale. (PCWorld Albanian)

amd

Tags >

AMD
Lajmet e fundit>