Analiza

Analistët mendojnë se Office për iPhone është lëvizje e vonuar dhe jo e plotë

Jun 17 2013
0 Shpërndarje
Analistët mendojnë se Office për iPhone është lëvizje e vonuar dhe jo e plotë

Lançimi i fundit nga Microsoft-i i Office për iPhone, vjen shumë vonë dhe vlen shumë pak, shprehen analistët. Ata mendojnë se një lëvizje e tillë është menduar qëllimisht për të mbrojtur tregun e Windows 8.

Microsoft-i duhet të kishte lançuar versione të plota të Office si për iPhone ashtu edhe për iPad vitin e kaluar ose në vitin 2011, megjithatë kompania ia ka dalë ta shtyjë gjithmonë e më tepër datën.

Prandaj analistët mendojnë se kjo lëvizje ka qenë e paramenduar për të mbrojtur tregun e pajisjeve me Windows 8, duke u dhënë atyre një avantazh konkurrues kundrejt pajisjeve me iOS.

Në këtë skenë mungon edhe versioni i Office për smartfonë dhe tabletët Android, megjithatë, mungesa më e dukshme është ajo për iPad-in, tabletin më popullor në botë, i cili përdoret për punë nga dhjetëra milionë njerëz në të gjithë globin.

“Një hap në drejtimin e duhur por gjithsesi mbetet lëvizje e vonuar dhe jo e plotë,” shprehet Frank Gillett, analist i Forrester Research. “Njëkohësisht me versionin për iPhone duhet të kishin lançuar edhe një version për iPad.”

Një kufizim tjetër për Office Mobile për iPhone është fakti se për ta aksesuar duhet të kesh një abonim në Office 365 – qoftë Office 365 Home Premium ose Office 365 ProPlus, të cilat kushtojnë përkatësisht 100 $ dhe 144 $ në vit për përdorues. Pra, njerëzit që kanë blerë licencat e Office 2013 nuk fitojnë akses në Office Mobile për iPhone.

Duke marrë parasysh këtë fat, Gillett beson se Google QuickOffice për iOS, që kushton 19.99 $ si produkt i veçantë dhe ofrohet falas për përdoruesit e Android, do të jetë alternativë më e parapëlqyer nga përdoruesit e iPhone.

Ai shtoi gjithashtu se, nëse Microsoft-i mendon se Office do të jetë arsye e konsiderueshme që përdoruesit e iPad-it të kalojnë në tabletët Windows 8, e ka gabim. Ai tha se mungesa e Office nuk e ka cënuar deri tani shitjen e iPad-it.

Michael Silver, analist i Gartner, u shpreh se Microsoft-i thjesht ka zhgënjyer përdoruesit e iPad-it me këtë lajm. Kompania tha para pak ditësh se përdoruesit e iPad-it mund të shfrytëzojnë mjaft mirë aplikacionet ueb të Office, të cilat ofrojnë një alternativë mjaft të mirë në vend që të kenë një suitë të instaluar në tabletin e tyre. (PCWorld Albanian)

offic iphone

Lajmet e fundit>