Blog

Analizë: CS Skena në Kosovë

Sep 29 2010
0 Shpërndarje
Analizë: CS Skena në Kosovë

Videoloja Counter Strike është e rrethuar me një kulturë të famshme, e cila përfshin çdo gjë nga lojtarët dhe ligat profesioniste, sot është bërë një ndër lojra më e popullarizuar në botë. Disa ekipe profesioniste të tilla si (fnatic, SK Gaming, mTë, NaVi) sigurojnë një jetesë nga ajo dhe paguhen rregullisht si çdo profesion tjetër, ndërsa grupe të tjera ndonjëherë humbin ose fitojnë shuma të ndryshme të hollash nga donacione, serverë, turnirë apo liga të ndryshme. Në të gjitha vendet e zhvilluara të botës kjo lojë njihet edhe si “Sport Elektronik” apo “eSport”.

Për fat të keq, në shtetin tonë, në Kosovë, ndodhë e kundërta. Shumë faktorë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj loje në nivele të larta ndërkombëtare, e shohin me një sy krejt tjetër. Njihet si një lojë “fëmijësh” dhe se vetëm ata dhe endacakët e internet kafeve janë aktivë rreth saj. Thjesht thënë, komuniteti shqiptar ende nuk është i vetëdijshëm se kjo lojë bën pjesë në mesin e atyre Sporteve Elektronike, të cilat njihen edhe zyrtarisht në të gjitha vendet e zhvilluara të botës. Në një mënyrë apo në tjetrën Counter-Strike është një urë lidhëse miqësie për të gjithë të rinjtë e botës që pëlqejnë sportet elektronike.

Përkundër pakënaqësive të shumta, jo sponzorizimit të ekipeve profesionale, mos përkrahjes nga drejtoritë kulturore si në nivel lokal dhe atë qendror, kjo lojë është dhe po bëhet çdo herë më e popullarizuar falë interesimit të madh të të rinjve të vendit tonë. Esenca e kësaj ishte në emocionet, atraktivitetin dhe ndjenjën që e ka sjellë tek shumë lojtar.   

Në fillim, Counter Strike është luajtur vetëm nëpër serverë publik, internet caffe dhe gati si çdo lojë tjetër kompjuterike. Por, me kalimin e kohës, në fund të vitit 2002-2003, skena e kësaj lojë gjithnjë është rritur, duke sjellë lojtar jashtëzakonisht të talentuar, ekipe të përgatitura mirë, dhe atmosferë të nxehtë që është krijuar në atë kohë. Çdo njëri e shihte si një lojë argëtuese ku mund të mblidheshin për të luajtur, argëtuar dhe realisht të kalonin çaste të bukura së bashku. Në atë kohë, kulminacioni i së mirës është shënuar në vitin 2003 pas një organizimi të një turneu të shkëlqyer në gaming qendrën “need4speed”. Ishte një organizim shumë i fortë, çdo ekipi pjesëmarrës u janë dhënë fanella me logo të turneut dhe ekipi fitues, përveç shpërblimit me të holla, ai ekip merrte edhe medaljen e dizajnuar nga kjo garë.

Pasi ky turne ishte mjaft atraktiv, kishte interesim shumë të madh, organizimi ishte në nivel të duhur, internet caffe-ja i plotësonte kushtet për një “Gaming Center”, dhe si rezultat ishte rritja e interesit edhe tek të rinjtë tjetër dhe për investime të reja nëpër internet caffe-të në Kosovë. Për këtë arsye, po në të njëjtin vit, është organizuar edhe turneu dimërorë, i cili i plotësonte standardet më të larta të asaj kohe, dhe vëmendja e shteteve fqinje ishte në këtë turne, dhe në lojtarët Kosovar. Pas këtij suksesi filluan edhe ftesat e ndryshme për të marrë pjesë në turne që organizoheshin në vendet fqinje, si: Shqipëri, Maqedoni, Mal të zi, etj.

Pas një hovi shumë të madh dhe të suksesshëm të kësaj loje, interesimi kishte rënë për një kohë të gjatë, gjithmonë për arsye financiare dhe mos sponzorizim të turneve dhe ekipeve të mëdha dhe profesioniste të cilat njiheshin për suksesin e tyre të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, ku në atë kohë dominonte ekipi “xTeam”.

Dëshira e madhe për ta rikthyer atmosferën e mëparshme, bëri që edhe në ato kushte të limituara që posedonte “Gamingu Kosovar”, të organizoheshin prapë turne për hir të lojtarëve entuziastë. Hapin e madh rikthyes në atë kohë e bëri, internet qendra “GameOnline” e cila gjendej në Prishtinë, ndërsa pas saj hovin e madh e vazhduan edhe qytete tjera si: Mitrovica, Vushtrria, Ferizaj, Gjilani, Prizreni, Kaçaniku etj, gjë që bëri që ekipe të ndryshme të profesionalizohen dhe të ngrihen në nivele të larta ndërkombëtare, dhe më pas u ngjall sërish interesimi nga vendet fqinje, të cilat çdo herë e më shumë tentonin të merrnin pjesë ose merrnin pjesë në turnet që organizoheshin në Kosovë.

Shpërblimet që ofroheshin për vendin e parë, të dytë dhe të tretë, ishin solide dhe në pajtim me standardet ekonomike dhe financiare në vend. Shumat e të hollave për vendin e parë silleshin prej 800 e deri në 1500€, shumë kjo e mbledhur nga të hollat e ekipeve participantë, dhe jo nga sponsorët sepse kjo lojë akoma shihet me një sy negativ në vendin tonë.

Edhe përkundër të gjitha këtyre vështirësive, sot kualiteti i ekipeve dhe lojtarëve është në një nivel shumë të lartë dhe profesionist, të cilët çdo ditë e më tepër ballafaqohen me ekipe ndërkombëtare dhe profesioniste, marrin pjesë në liga dhe në turne Online dhe LAN. Gati po thuaj çdo muaj, në çdo qytet të Kosovës organizohen turne të ndryshme ku ka të interesuar edhe nga vendet fqinje. Shumë ekipe udhëtojnë edhe jashtë vendin që t’i sfidojnë ekipet e ndryshme profesioniste të vendeve të Ballkanit, dhe gjithmonë kthehen në vendin e tyre si triumfues, ose të paktën arrijnë të kualifikohen deri në finale

Presim që kjo lojë së shpejti të ndërkombëtarizohet edhe në Kosovë, dhe të organizohen kualifikime për WCG (World Cyber Gaming), ESWC (Electronic Sports World Cup), Kode5, Intell Extreme Masters, ESL (Electronic Sports League), por gjithmonë duke pasur parasysh përkrahjen e madhe që i duhet këtij komuniteti për sponzorizim.

Vazhdoni të na vizitoni në www.gameworld.al, dhe mësoni më shumë për artikuj të ndryshëm në gjuhën shqipe rreth lojërave, turneve ndërkombëtar e vendor, ekipeve, ligave e natyrisht edhe të rejave më të fundit për lojën e famshme Counter Strike.

Lajmet e fundit>