Biznes

Android dhe iOS dominojnë tregun mobil

May 25 2012
0 Shpërndarje
Android dhe iOS dominojnë tregun mobil

Sistemet operative Android dhe iOS i Apple dominojnë tregun mobil duke qenë të pranishëm me mbi 80% të pajisjeve globale. Pjesa e Microsoft në këtë treg është vetëm 2.2%.

Raporti i IDC-së pasqyron një rritje prej 30% krahasuar me periudhën e njëjtë para një viti kur Android dhe iOS kishin rreth 54.4% të tregut.

Gjatë çerekut të parë kalendarik të këtij viti janë hedhur në treg 152.3 milionë smartfonë. Nga kjo shifër 59% e tyre operonin në Android, ndërsa 23% ishin produkte të Apple me sistemin operativ iOS.

Pjesa tjetër e tregut ishte ndarë ndërmjet Symbian që ka 6.8%, RIM Blackberry me 6.4%, Linux 2.3% dhe Windows 7/Mobile me vetëm 2.2% të tregut mobil.

“Popullariteti i Android dhe iOS është fryt i kombinimit të faktorëve me të cilët konkurrenca ka dështuar të mbahet. As Android dhe as iOS nuk ishin të parat në këtë treg me këto veti, por mënyra se si ata kanë krijuar përvojën intuitive të smartfonëve ka krijuar një bazë të madhe fansash të këtyre sistemeve operative,” – deklaron Ramon Llamas, analist në IDC.

Gjatë kësaj periudhe, Android ka realizuar rritjen më të madhe nga 36.7 milionë njësi në tremujorin e parë të 2011, në 89.9 milionë njësi në çerekun e parë të vitit 2012, duke reflektuar një rritje prej 145%. Gjysma e këtyre njësive ishin smartfonë nga Samsung.

Rritje ka shënuar edhe Apple me 35.1 milionë pajisje, rritje kjo prej 88.75%, krahasuar me 18.6 milionë njësi që ekzistonin në çerekun e parë të vitit të kaluar.

Symbian ka rënë me 60.6%, ndërsa Blackberry me 29.7%. Windows Phone ka nxjerrë 3.3 milionë njësi, rritje për 33% nga 2.6 milionë njësi. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>