Lajmet

Apple: Enkriptimi për iMessages dhe Facetime nuk deshifrohet as nga vetë kompania

Jun 20 2013
0 Shpërndarje
Apple: Enkriptimi për iMessages dhe Facetime nuk deshifrohet as nga vetë kompania

Pas lajmeve të bujshme mbi programin e survejimit PRISM, kompanitë teknologjike kanë filluar të japin deklarata pa fund lidhur me aksesimin që mund të bëjë qeveria në të dhënat e përdoruesve që disponojnë ato.

Megjithatë, Apple e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të shkuar një hap më larg të tjerëve: kompania është shprehur se komunikimet që ndodhin mes përdoruesve nuk është në gjendje t’i deshifrojë as vetë.

“Për Apple ka qenë gjithmonë prioritet mbrojtja e të dhënave personale të konsumatorëve. Në nuk grumbullojmë apo mbajmë shumë detaje personale në lidhje me ta,” shkruhet në deklaratën zyrtare të bërë publike gjatë fundjavës në faqen zyrtarë të kompanisë. “Ka një sërë kategorish të cilat ne nuk ia vëmë në dispozicion autoriteteve apo ndonjë pale tjetër për shkak se nuk i kemi të disponueshme.

Për shembull, bisedat që bëhen në iMessages dhe Facetime mbrohen nga një enkriptim nga fillimi në fund. Dekriptimi i këtyre bisedave mund të bëhet vetëm nga dërguesi apo nga marrësi. Vetë ne si Apple nuk mund t’i deshifrojmë këto të dhëna.”

Kompania shtoi gjithashtu se një pjesë e madhe e shërbimeve të saj nuk mbajnë aspak të dhëna që mund të përdoren më pas nga qeveria. “Nuk ruajmë të dhëna lidhur me vendndodhjen e përdoruesit, kërkimet në hartë apo kërkesat në Siri,” thuhej në deklaratë.

Në deklaratë përmendej gjithashtu numri i kërkesave që ishin bërë nga qeveria federale amerikane lidhur me të dhënat e konsumatorëve. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2013, kompania kishte marrë 4000 – 5000 kërkesa lidhur me 9000 – 10 000 llogarive të përdoruesve.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e tyre kërkonin për fëmijë të humbur, për të lokalizuar pacientë me sëmundjen e Alzheimerit apo për të parandaluar vetëvrasje. Pjesa tjetër kishin të bënin me çështje sigurie kombëtare.

Edhe Microsoft-i dhe Facebook-u publikuan të dhëna lidhur me kërkesat që ishin marrë nga qeveria mbi të dhënat e përdoruesve. Shifrat ishin përkatësisht 31 000 – 32 000 dhe 18 000 – 19 000. (PCWorld Albanian)

iMesages

Lajmet e fundit>