Analiza

Apple iOS 6 vs. Android vs. Windows Phone

Jun 13 2012
0 Shpërndarje
Apple iOS 6 vs. Android vs. Windows Phone

Konferenca Mbarëbotërore e Zhvilluesve (WWDC) e organizuar nga Apple, nisi me shpalosjen e versionit të ri të sistemit operativ iOS 6 për iPhone dhe iPad. Apple ka premtuar rreth 200 veçori të reja në këtë version të sistemit operativ mobil, por sot gjatë fjalimit u veçuan vetëm disa prej tyre.

Qershori do të jetë muaji më i nxehtë për të gjithë adhuruesit e smartfonëve, për shkak se Microsoft pritet të lansoj gjeneratën e re të Windows Phone gjatë javës së ardhshme, kurse Google me 20 qershor do të publikoj planet për versionin e ri të Android, të koduar me emrin “Jellybean.”

Në mesin e azhurnimeve që Apple ka bërë për versionin e ri të sistemit operativ, pa dyshim që bën pjesë asistenti virtual i zërit Siri, që tanimë është edhe më i mençur me përkrahje për sportet, filmat dhe restaurantet. Siri, gjithashtu mund të hapë aplikacionet, por ende nuk do të mund t’i kontrolloni këto aplikacione të palëve të treta me zërin tuaj.

Apple poashtu po largohet nga hartat e Google, dhe po lanson aplikacionin e vet të hartave me iOS 6. Këto harta përfshijnë informacione për bizneset lokale, integrim me Yelp, azhurnime të trafikut në kohë reale, si dhe navigimin. Apple gjithashtu ka shtuar integrimin e Siri në harta, prandaj ju mund të shtroni pyetje gjatë rrugëtimit si, “A jemi afër?” ose “Ku është pika e ardhshme e karburantit?”

Këto azhurnime sigurisht që i japin Microsoftit dhe Androidit diçka për t’u përtypur. Derisa dy platformat konkurrente ofrojnë përkrahje për komandim me zë, këto veçori janë dobëta në krahasim me diktimin natyral dhe inteligjencën e Siri. Hartat e Bing të Microsoftit, sigurisht që mund të pësojnë një riorganizim në versionin e radhës të Windows Phone, për shkak se veçoria aktuale e navigimit është shumë e ngadaltë (duhet ta prekni ekranin në secilën kthesë).

Do ta vizitojmë këtë krahasim më vonë gjatë këtij muaji, kur Microsoft dhe Google të shpalosin versionet e reja të platformave të tyre respektive. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>