Lajmet

Apple nuk ka paguar taksa për 74 miliardë dollarë të ardhura

May 23 2013
0 Shpërndarje
Apple nuk ka paguar taksa për 74 miliardë dollarë të ardhura

Shefi i Apple do të dëshmojë para Senatit Amerikan ne lidhje me akuzat për shmangie të mëdha taksash (evazion fiskal).

Komisioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka akuzuar kompaninë Apple për mospagim taksash në fitim të cilin e ka krijuar jashtë kufijve amerikan. Kështu Tim Cook gjatë këtyre ditëve do të duhet të ulet në bankën për dëshmitarë në lidhje me këtë rast.

Apple menjëherë këto akuza i ka hedhur poshtë, duke deklaruar se kjo kompani ka hapur 600.000 vende pune në SHBA dhe ka paguar 6 miliardë dollarë taksa në vitin 2012 në buxhetin SHBA-ve, përkatësisht Ministrisë së Financave.

Megjithatë ky komision ka pohuar se për shkak të rrjetit të gjerë të kompanive “offshore” e cila përbëhet nga tri përfaqësi me bazë në Irlandë, Apple i ka ikur taksave.

Një nga këto përfaqësi ka deklaruar fitime prej 74 miliardë dollarë në periudhën prej 4 viteve, mirëpo nuk ka paguar taksat, ndërsa në vitin 2011 kishte fitime prej 22 miliardë dollarësh duke paguar vetëm 10 milion dollarë taksa në normë prej 0,05%.

“Ne dëshirojmë ta theksojmë taktikën e kompanisë Apple në evazionin e taksave në mënyrë që familjet punëtore amerikane të cilat paguajnë taksa të jenë në dijeni që për shkak të këtyre vrimave në ligj barra e tyre e taksave po bëhet gjithnjë e më e madhe, e gjithashtu për shkak të kësaj po rritet edhe deficiti federal”, deklaroi senatori Carl Levin, duke pohuar se Apple jashtë vendit ruan në mënyrë sekrete rreth 102 deri 145 miliardë dollarë para kesh për të cilat nuk paguan asnjë cent taksa.

Levin gjithashtu tregoi se ka mundësi që pasojat e këtij rasti do t’i ndiej e gjithë Evropa kur të zbulohet se Irlanda nuk zbaton sistemin e vet të taksave dhe se me Apple ka marrëveshje për normë taksash prej 2% në vend të 12% sa edhe është norma e taksave në këtë vend.

Apple rreth kësaj çështjeje thotë se nuk është e vërtetë që ka hapur përfaqësi jashtë SHBA-së për t’iu shmangur pagimit të taksave, por për shkak se 61 për qind të prodhimit të vet e shet jashtë SHBA-së duke pohuar se në të gjitha vendet i paguan taksat sipas ligjit. (PCWorld Albanian)

apple

Tags >

Apple
Lajmet e fundit>