Lajmet

Apple prezanton OS X Mavericks: Ja ndryshimet e sistemit të ri operativ

Jun 12 2013
0 Shpërndarje
Apple prezanton OS X Mavericks: Ja ndryshimet e sistemit të ri operativ

Në konferencën WWDC 2013 u zbulua gjithashtu edhe versioni më i fundit i OS X, OS X Mavericks. Me OS X Mavericks, Apple kalon nga emrat e kafshëve për sistemin operativ (nëntë sistemet e kaluara mbanin emra kafshësh), tek ato të tematikës së Kalifornisë.

Tre veçoritë kryesore të OS X Mavericks janë:

– Finder Tabs – Finder pasurohet më në fund me tab-e. Më parë ky funksionalitet ofrohej nga aplikacione të jashtme si Total Finder.

– Tagging – Skedarët, direktoritë (folderat) dhe dokumentet kanë etiketime që i ndihmojnë ato të jenë më mirë të organizuara.

– Multiple Displays – Fullscreen Mode nga OS X Mountain Lion tashmë suporton ekrane të shumëfishtë dhe, duke përdorur AirPlay, përdoruesit mund të lidhin një monitor Apple TV apo një televizor për ta përdorur si një ekran dytësor.

Karakteristika të tjera:

Bateria dhe performanca

Përmirësim i jetëgjatësisë së baterisë. OS X Mavericks redukton aktivitetin e CPU-së me 72%, çka do të thotë se MacBook-u juaj do të ketë performancë më të mirë. OS X Mavericks ka gjithashtu edhe kujtesë të kompresuar, gjë që përmirëson kohën e përgjigjes. Kjo do të thotë se aplikacionet ngarkohen më shpejt dhe hapen gjithashtu më shpejt. App Nap gjurmon se cilat aplikacione janë në përdorim dhe cilat janë në gjendje qetësie. Këto të fundit nuk do të harxhojnë më bateri për sa kohë nuk janë në përdorim.

Safari

Safari është përmirësuar në aspektin e shiritit anësor (sidebar), faqes kryesore dhe listave për lexim nga LinkedIn dhe Twitter. Kjo do të thotë se keni akses më të shpejtë në artikujt që doni të lexoni më vonë nga LinkedIn apo Twitter. Safari është më i shpejtë dhe përgjigjet më shpejt.

iCloud Keychain

Përmes iCloud Keychain mund të bëhet menaxhimi i fjalëkalimeve mes pajisjeve të ndryshme. Është një sistem i enkriptuar dhe i sigurt.

Njoftime të përmirësuara

Edhe njoftimet janë përmirësuar. Përdoruesit, jo vetëm që mund t’u përgjigjen e-maileve direkt nga njoftimet, por mund të zgjedhin gjithashtu nëse duan të marrin njoftime nga pajisjet iOS direkt në desktop. Njoftimet do të shfaqen edhe kur Mac është në gjendje qetësie (në gjumë), duke i treguar njoftimet që keni humbur në ekranin e kyçjes.

iBooks dhe Maps vijnë në OS X

iBooks dhe Apple Maps janë tashmë pjesë e OS X, në formën e aplikacioneve të veçanta. Me iBooks përdoruesit mund të aksesojnë blerjet e mëparshme, elementët e preferuar (bookmarks) si dhe përmbajtje interaktive.

Kalendar i ri

Kalendari i ri në OS X Mavericks nuk ka më pamjen “prej lëkure” nga OX X 10.7 dhe OS X 10.8. Ai ka tashmë një dizajn të ri, më të pastër dhe më elegant. Edhe pjesa e përdorimit të ashensorit është përmirësuar. Aplikacioni lidhet edhe me Apple Maps për të marrë drejtime si dhe është në gjendje të ofrojë sugjerime gjatë krijimit të elementeve të reja, si për shembull “drekë”.

OS X Mavericks është i disponueshëm për zhvilluesit në formën e një “preview” duke filluar nga sot. (PCWorld Albanian)

OS Mavericks

Tags >

AppleOS X
Lajmet e fundit>