Lajmet

Appreciate, një shërbim i ri në Android që mundëson gjetjen e aplikacioneve cilësore

Apr 23 2013
0 Shpërndarje
Appreciate, një shërbim i ri në Android që mundëson gjetjen e aplikacioneve cilësore

Google Play Store, vendi i publikimit dhe tregtimit të aplikacioneve për sistemin Android po avancon me të njëjtin ritëm si Apple App Store në qoftë se i referohemi numrit të disponueshëm të aplikacioneve.

Megjithatë kur bëhet fjalë për gjetjen e aplikacioneve të cilësisë së lartë përveç emrave të njohur, është me të vërtetë një sfidë. Për të zgjidhur këtë problem është lançuar në Android App Store shërbimi Appreciate që zbulon aplikacionet cilësore.

Kompania ka dy vite që është krijuar dhe fillimisht koncepti është krijuar si një prototip, i cili më vonë me rritjen e kërkesës nga përdoruesit u shndërrua në aplikacionin e sotëm Appreciate.

Aplikacioni është përmirësuar herë pas here megjithatë versioni i fundit që sapo është lançuar nuk do të njihej as nga vetë përdoruesit e mëparshëm.

Shërbimi nuk ka ndryshuar vetëm dizajnin, por ka ndryshuar shumë edhe përsa i përket mënyrës së funksionimit, navigimit dhe rekomandimeve të personalizuara që ofron.

Amir Maor, një prej krijuesve të Appreciate është shprehur se frymëzimi për ndërtimin e këtij aplikacioni interesant dhe të dobishëm ka lindur fillimisht si një nevojë personale pasi sa më shumë rritej numri i aplikacioneve të ofruar aq më shumë vështirësohej gjetja e aplikacioneve cilësore.

Ideja fillestare ishte identifikimi i aplikacioneve cilësore dhe më pas kjo ide u zhvillua në gjetjen e aplikacioneve jo vetëm cilësore por edhe të përshtatshëm sipas interesave personale.

Është e vërtetë që aplikacionet e Android janë të ndara në kategori të veçanta, por Appreciate ofron shumë më tepër.

Përveç dizajnit interesant fuqia e tij qëndron tek algoritmi seleksionues që bazohet edhe tek shijet e përdoruesit. Pikërisht për këtë arsye aplikacioni funksionon më mirë për ata që logohen nëpërmjet llogarisë së tyre në Facebook.

Appreciate gjithashtu inkurajon përdoruesit që të “ndjekin” ekspertë të tjerë që janë të interesuar për të njëjtat tipe aplikacionesh duke i dhënë përdoruesve edhe pak ndjesinë e një rrjeti social.

Përveç rekomandimeve të ekspertëve përdoruesit përfitojnë edhe rekomandime nga aplikacioni bazuar në preferencat e miqve.

Momentalisht aplikacioni është i disponueshëm vetëm në Android megjithatë së shpejti do të mund të shkarkohet edhe nga Apple App Store. (PCWorl Albanian)

Aplikacion Android

Lajmet e fundit>