Lajmet

ART përfundon me sukses operacionin, por qasja në veri mbetet e kufizuar

Apr 26 2010
0 Shpërndarje
ART përfundon me sukses operacionin, por qasja në veri mbetet e kufizuar

Megjithatë sipas tyre, ky aksion nuk kishte për cak edhe antenat në veri të vendit. Ekrem Hoxha, kryetar i bordit të ART-së, tha se aksioni në parim mbetet i hapur, meqë janë autorizuar matjet për të konstatuar në detaje efektin e aksionit.

Sipas tij, aksioni ka pasur cak 28 stacione bazë, në 2 nga të cilat ka pasur probleme teknike, por që megjithatë është arritur efekti i dëshiruar.

“Nga këto 28 stacione, 26 prej tyre tashmë janë eliminuar”, ka theksuar kryetari i bordit te ART-së, Ekrem Hoxha. Sipas tij, pas heqjes së antenave, tanimë në pjesën më të madhe të Kosovës nuk ka më sinjal nga këta operatorë nga Serbia.

“Puna nuk është përfunduar deri në detaje, por efekti është arritur. ART-ja menjëherë do t’i realizojë matjet në nivel të Republikës, për të konstatuar efektin apo matjet konkrete se si ka ndikuar kjo në tregun e shërbimeve të telefonisë mobile, për të konstatuar se sinjali është i eliminuar apo ka një dobësi shumë të ulët, domethënë, nuk mund të realizohen thirrjet”, tha Hoxha.

Operacioni nuk ka përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës. Atje, serbët e revoltuar kanë dëmtuar antenat e operatorëve legal, si Ipko dhe Vala. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Kadri Arifi, është shprehur se policia do të jetë në mbështetje të ART-së nëse vendoset heqja e antenave edhe në veri, si dhe do të angazhohet që stacionet e operatorëve legalë të sigurohen.

“Sa i përket sigurisë së infrastrukturës fizike të operatorëve legalë, ne i kemi ndërmarrë disa masa për sigurimin e tyre, aty ku ne kemi pasur informacion se mund të jenë cak i ndonjë aktiviteti kriminal, kështu që ne vazhdojmë me punën tonë”, ka thënë Arifi.

Marrë parasysh se telefonia mobile serbe është shfrytëzuar nga komuniteti serb në Kosovë, serbët sot kanë paralajmëruar protesta, fillimisht në Graçanicë.

Lidhur me kërcënimet Beogradit që janë bërë për ndërprerjen e internetit, kjo nuk shihet si ndonjë problem, sepse siç thonë ata operatorët legal në Kosovë kanë alternativa të tjera.

Lulzim Kurtaj, anëtar i Bordit të ART së, lidhur me kërcënimet e Serbisë për ndërprerje të internetit, ka thënë se një veprim i tillë i Beogradit është mjaft i kufizuar, pasi operatorët e internetit në Kosovë kanë ofruar alternativën për t’u furnizuar me internet, dhe si e tillë kjo tregon tendencë të Beogradit, por jo edhe mundësi reale.

Zyrtarë të ART-së megjithatë nuk treguan edhe sa antena kanë mbetur të pa ç’kyçura, por thanë se janë disa. Këta zyrtar u shprehën të bindur se Serbia nuk do të hakmerret duke ndërprerë prefiksin 381 për Kosovën, pasi që kjo çështje sipas tyre është ndërkombëtare.

ART gjithashtu ka thënë se ekipet e monitorimit të ART-së ditët në vijim do të bëjnë matje të reja për të ekzaminuar më në detale efektin e aksionit të ndermarrë më datat 23 dhe 24 prill në mënyrë që ato të dhëna të shërbejnë për analiza të gjendjes së re në terren dhe për të vlerësuar nevojën edhe për aksione tjera për të neutralizuar aktivitetet ilegale brenda territorit tonë.

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit ka tërhequr vëmendjen se gjendja në tregun e telekomunikimeve do të përcillet në mënyrë të vazhdueshme dhe se vendosmëria për të vendosur dhe ruajtur ligjshmërinë në këtë fushë është në nivelin më të lartë. Çdo vendosje e pajisjeve telekomunikuese pa lejen paraprake të ART-së do të konsiderohet ilegale dhe do të trajtohet si e tillë.

Lajmet e fundit>