Lajmet

ART publikon studimin e tregut kryesorë të telekomunikimit për Kosovën

Dec 5 2012
0 Shpërndarje
ART publikon studimin e tregut kryesorë të telekomunikimit për Kosovën

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), organi rregullator që zbaton dhe mbikëqyr kornizën rregullatore të sektorit të telekomunikacionit, shërbimeve postare dhe elektronike në Kosovë, ka publikuar përmbledhjen e treguesve kryesorë të telekomunikimit për tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2012.

Raporti është përgatitur në bazë të të dhënave të dorëzuara nga operatorët dhe ofruesit e shërbimeve telekomunikuese, të cilët janë licensuar nga ART dhe ofrojnë shërbime të telefonisë fikse, mobile, internetit, linjave me qera dhe shërbime me vlerë të shtuar (VAS).

Ndër statistikat më kryesorë vihet re se numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë ka pësuar rënie (-3.5%) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shpalosur tendencën e përdorimit më të madh të telefonisë mobile. Kjo e fundit ka një rritje prej 7.4% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2011.
Penetrimi i telefonisë fikse në fund të tremujorit të dytë kap shifrën e rreth 29% për shtëpi, ndërsa penetrimi i telefonisë celulare arrin në 84.6%.

Një element i rëndësishëm për t’u theksuar është adaptimi i internetit në Kosovë. Edhe pse krahasuar me vitin e kaluar shihet një rritje prej 5.6%, depërtimi i shërbimeve të internetit për shtëpi vlerësohet në 48.5%.

ART i ka dhënë rëndësi të veçantë edhe llogaritjes së treguesve financiarë lidhur me sektorin e telekomunikimit në Kosovë.

Të ardhurat nga telefonia fikse llogariten në vlerën e rreth 4.6 milionë €, me një rënie prej 8.8% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Telefonia mobile nga ana tjetër, regjistron të ardhura shumë herë më të larta (rreth 46 milionë €) se ajo fikse, edhe pse rritja nga viti i kaluar vlerësohet vetëm 1.1%.

Në totalin e të ardhurave nga sektori i telekomunikacionit, përveç të hyrave nga operatorët fiks dhe mobile, ndikojnë edhe linjat me qera apo qasja në internet.

Investimet në këtë fushë kanë një rritje pozitive nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ekzaktësisht me 18.3% duke kapur shifrën e rreth 5.55 milionë €. (PCWorld Albanian)

Tags >

ART
Lajmet e fundit>