Lajmet

ART përfundoi fazën e dytë të operacionit kundër operatorëve ilegal

Sep 27 2010
0 Shpërndarje
ART përfundoi fazën e dytë të operacionit kundër operatorëve ilegal

Sipas komunikatës Faza II e operacionit në bashkëpunim dhe në asistim të organeve të sigurisë dhe rendit publik është implementuar në terren gjatë datave; 26 & 27 Shtator, 2010 dhe kjo fazë ka pas si objektiv neutralizimin e 23 radio-sistemeve dhe pajisjeve përcjellëse telekomunikuese të lokalizuara në 21 lokacione.

“Në rastin e ndërprerjes se funksionimit të shërbimeve të Telefonisë Mobile të Operatoreve Ilegal (MTS) në kuadër të 23 Lokacioneve, ka pasur edhe lokacione/stacione që kanë përmbajtur sisteme të transmetimit Mikrovalore PTP ( Point-to-Point) që kanë ndërlidhur shërbimin ilegal të telefonisë mobile në Kosovë me burimin e shërbimeve të MTS në Serbi, dhe largimi apo ndërprerja e sistemeve mikrovalore PTP ka qenë nevojë e pashmangshme për ndërprerjen e këtij shërbimi dhe pa-mundësimin e ri-aktivizimit në këto lokacione të telefonisë mobile. Sikur ART të largonte apo ndërpriste funksionimin vetëm të BTS-ve me sektorët e antenave GSM pa sistemet ndërlidhëse mikrovalore, mundësia e ri-aktivizimit do ishte e lehtë dhe shpejtë e realizueshme” thuhet më tej në komunikatë.

Rrjeta boshtore (Back Bone) mikrovalore PTP e operatorit Ilegal (MTS) të telefonisë mobile, në raste të caktuara është bashkë shfrytëzuar edhe për shërbime (si Internet dhe Telefoni fikse) dhe  ndërprerja e një linje të tillë, ndërprenë njëkohësisht edhe shërbimet tjera që kanë qenë të multipleksuara në atë shteg (gjegjësisht telefonia fikse dhe interneti i ardhur nga operatorë të pa-autorizuar).

ART fton operatorët e telefonisë fikse dhe ofrues të tjerë të shërbimeve telekomunikuese e që nuk janë të pajisur me liçensë adekuate, të aplikojnë sa më parë në mënyrë që ART t’i liçensojë ata duke u siguruar funksionim normal dhe mbrojtje të atyre rrjetave.

Drejtori i ART-së, Ekrem Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se faza e dytë e operacionit ndaj operatorëve ilegalë është zhvilluar në gjithsej 23 lokacione në Kosovë. Ai bëri të ditur se shkyçja e këtyre stacioneve ka ndikuar edhe në telefoninë fikse, e cila, siç tha ai, mund të riaktivizohet shumë shpejt me metoda në përputhje me kornizën ligjore.

“Këto stacione, pajisje radio-komunikuese, kanë qenë të operatorit ilegal Telefonisë Mobile të Serbisë dhe në ato stacione ka pasur të integruara edhe pajisje të cilat kanë furnizuar me sinjale transmetuese edhe telefoninë fikse”, tha Hoxha.

Kryetari i Postë-Telekomunikacionit të Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, e quajti të nxituar politikisht aksionin e ART-së. Ai tha se në Kosovë, veprojnë pa licencë edhe operatorë të vendeve të tjera, puna e të cilëve nuk pengohet.

“Duke marrë parasysh se ekzistojnë operatorë të telefonisë mobile në Kosovë edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Italia, të cilët funksionojnë pa asnjë problem dhe nuk ndërmerret asgjë për largimin e këtyre operatorëve, kjo edhe ka nxitur revoltë të madhe te serbët, pasi që u pamundësohet ushtrimi i shumë nevojave jetësore”, theksoi Nojkiq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se edhe kësaj radhe ka pasur protesta të banorëve serbë në disa zona në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, nuk është shënuar ndonjë incident.

“Sipas informacioneve që kemi pranuar, nuk është paraqitur ndonjë incident që vlen të raportohet gjatë shkyçjeve ilegale dhe e tëra ka përfunduar diku rreth orës 11.30 pa ndonjë incident”, deklaroi Kelani.

Ndërkohë, përfaqësues të Ministrisë Serbe për Kosovën e quajtën të dëmshëm dhe të rrezikshëm aksionin e fundit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit në Kosovë.

Tags >

ARTptk
Lajmet e fundit>