Analiza

Askush nuk dëshiron 3D TV!

May 22 2011
0 Shpërndarje
Askush nuk dëshiron 3D TV!

E kjo do të thotë se programet 3D në disa pjesë të botës kanë gjasa minimale që të përjetojnë rritje në vitin 2011. 

Një komunikatë për media e cila shpjegon në formë raporti “Gjendjen e teknologjisë 3D”, thekson se ekzekutivët e industrive transmetuese kanë vlerësuar lansimin e kanaleve 3D dhe prodhimin e përmbajtjeve 3D në nivelin më të ultë të prioriteteve të tyre strategjike. Më shumë se gjysma e këtyre ekzekutivëve than se prodhimi i programeve 3D ishte “i parëndësishëm për tu vënë në konsiderim për biznes”. Të anketuarit nga rajoni i Azisë-Paqësorit kanë vlerësuar rëndësinë e krijimit të programeve 3D në një nivel paksa më të lartë krahasuar me ata në Amerikën Veriore dhe Evropë, por në përgjithësi edhe komentet prej tyre ishin negative.

Analisti nga Ovum Tim Renowden, që është edhe autori i raportit, ka thënë se nuk ka qasje uniforme ndaj transmetimit 3D në rajon – 3D programet në Australi janë të kufizuara të transmetojnë vetë ngjarje speciale, kurse ato në Japoni janë të kufizuara në shërbime të tipit “on-demand” apo “pay-per-view”. Renowden komentoi se investimi për programe 3D nuk pritet të përjetojë ndonjë ndryshim rapid në të ardhmen. “Duke pasur parasysh mungesën e entuziasmit për investim në prodhim të përgjithshëm të përmbajtjeve në 3D, situata nuk do të ndryshojë në të ardhmen e afërt”.

“Mungesa e investimeve drejt prodhimit të përmbajtjeve 3D dhe krijimit të kanaleve 3D, na lë përballë një vrimë të madhe kundrejt përmbajtjeve 3D, dhe na tregon se mungesa e programeve 3D që kemi përjetuar në vitin 2010, do të jetë e njëjtë edhe në vitin 2011”. 

Këto raporte janë mjaft interesante edhe pse jo për rajonin tonë, për shkak se në Ballkan vetëm disa shtete si Sllovenia apo Kroacia, kanë arritur të sjellin para shikuesve të TV-ve transmetime 3D të ngjarjeve të caktuara speciale. Ndërsa në Kosovë e Shqipëri transmetimi në HD është ende larg, dhe vetëm platforma Digitalb me disa kanale në rrjetin e saj kabllor dhe satelitor po mundëson një përvojë të këtij niveli për shikuesit. 

Istvan Stark, drejtor menaxheria për Evropën Juglindore pranë Panasonic, kohë më parë në një deklaratë për PCWorld Albanian pati thënë se shitjet e njësive 3D janë në nivele të ulëta në rajonin tonë, por kjo kryesisht për shkak të mungesës së transmetimeve 3D, e nëse shikojmë raportin atëherë shitjet nuk po na sinjalizojnë gjëra pozitive. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>