Biznes

Auditimi i jashtëm vlerëson performancën e PTK-së

Jun 15 2010
0 Shpërndarje
Auditimi i jashtëm vlerëson performancën e PTK-së

Dhënia e mendimit të tillë nga ana auditorit të pavarur “Grant Thorton”, tregon për shkallën e lartë të përgjegjësisë që ka treguar menaxhmenti aktual në krye me dr.Shyqyri Haxhën me paranë publike.

Kjo është hera e parë në historinë e PTK-së që auditori i pavarur vlerëson kaq lart punën që kompania ka bërë në aspektin financiar.

“PTK sikurse në çdo fushë të veprimit të saj ashtu edhe në atë financiar, është përkushtuar shumë që gjithçka të veproj në bazë të standardeve me të larta ndërkombëtare dhe këtë ia ka arritur. Këtë e dëshmon edhe raporti i auditorit të jashtëm, i cili për herë të parë në historinë e kompanisë ka dhënë mendimin më pozitiv që kompania ka pasur ndonjëherë dhe kjo më bën shumë krenar për punën që kam bërë në PTK”, është shprehur Kryshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr.Shyqyri Haxha.

Në draftraportin e auditimit të pavarur që është kryer nga kompania e auditimit “Grant Thornton“ është konstatuar se për dallim nga auditimet e kaluara, këtë herë PTK-ja ka dalë të jetë mjaft efikase në përgatitjen dhe prezentimin e pasqyrave financiare.

Në këtë draftraport midis të tjerash theksohet se Raportet Financiare të PTK-së janë përgatitur në mënyrë të drejtë dhe në pajtueshmëri të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).

Kjo nënkupton se PTK-ja ka bërë përgatitjen dhe prezantimin e drejtë të pasqyrave financiare, janë të liruara nga gabimet materiale, qoftë nga ndonjë mashtrim apo gabim, zgjedhjen dhe aplikimin e politikave kontabël dhe vlerësimet e kontabilitetit të cilat janë të arsyeshme për gjendjen financiare.

Këtë e vërteton edhe raporti i Auditorit të jashtëm, ku për herë të parë PTK-ja merr opinion pa rezervë që dëshmon  se pasqyrat financiare prezentojnë drejtë, në të gjitha aspektet materiale pozicionin financiar të kompanisë për 31 Dhjetor 2009 dhe performancën e saj financiare, ndryshimet në ekuitet dhe rrjedhën e parasë për vitin e përfunduar në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Bazë për Opinionin Pa Rezervë dhe për këtë progres të arritur është fakti se për herë të parë janë eleminuar vërejtjet e njëpasnjëshme të auditorit nga vitet e kaluara në lidhje me trajtimin e provizionimeve të borxheve të këqija, ku për herë të parë është bërë provizionimi i borxheve në bazë të çdo konsumatori individual.

Gjithashtu, për herë të parë është dhënë siguri auditorit mbi vlerën bartëse neto të llogarive të arkëtueshme tregtare në bazë të çdo konsumatori individual.

Për dallim nga vitet e kaluara, gjatë vitit të kaluar është bërë regjistrimi fizik i Mjeteve Themelore dhe Inventarit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

PTK gjithashtu ka qenë një faktor tepër i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, shtimit të numrit të punëtorëve, përmirësimit të kushteve të jetesës për shumë familje dhe kontribuesi më i madh për buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

Sa për ilustrim, vetëm në vitin 2009 PTK ka ndarë 200 milionë euro si dividentë, ndërkohë në muajin e kaluar janë transferuar në buxhetin e Qeverisë së Kosovës 80 milionë euro të tjera të grumbulluara nga menaxhmenti aktual.

Lajmet e fundit>