Siguri

Automjetet e Google kanë kapur edhe fjalëkalime përmes rrjeteve WiFi

Jun 19 2010
0 Shpërndarje
Automjetet e Google kanë kapur edhe fjalëkalime përmes rrjeteve WiFi

Trafiku Wi-Fi që është kapur nga automjetet Street View të Google përfshin fjalëkalime dhe e-mail, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Kombëtar Francez për Kompjuterë dhe Liri (CNIL).

CNIL ka lansuar një hetim gjatë muajit që shkoi në të dhënat e kapura përmes automjeteve të Google mbi rrjetet e paenkriptuara Wi-Fi dhe ka filluar që të ekzaminojë këto të dhëna, të cilat Google i ka dorëzuar si pjesë të hetimeve.

Google ka shpalosur me 14 maj një flotë të automjeteve që operon për imazhe panoramike të rrugëve të qyteteve për shërbimin e saj Google Maps, të cilat padashje kanë incizuar trafik prej rrjeteve të pambrojtura me fjalëklime WiFi.

Qëllimi i vetëm i Google ka qenë vetëm identifikimi dhe pozicionimi i pikave WiFi në mënyrë që të fuqizojë shërbimin e lokacioneve për operacionet e saja. Megjithatë, softueri që ka përdorur kjo kompani për të incizuar këto informata ka tejkaluar kufinjtë e privatësisë dhe ka kapur në pakot e të dhënave edhe shumëçka tjetër.

Në atë kohë Google pati deklaruar se janë mbledhur vetëm fragmente të trafikut personal të uebit përmes së cilave ka kaluar, sepse pajisjet Wi-Fi të Google ndryshojnë kanalet në mënyrë automatike pesë herë brenda sekondës. Megjithatë, me rrjete Wi-Fi që operojnë deri në 54 Mbps, duket se këto incizime të një të pestës së sekondës mund të kenë më shumë se “fragmente” të të dhënave personale.

Tani këto supozime u konfirmuan edhe nga CNIL, që prej datës 4 qershor ishte duke ekzaminuar trafikun WiFi dhe të dhënat tjera të ofruara nga Google në dy hard disqe dhe përmes një lidhjeje të sigurtë të të dhënave në serverët e saj.

“Është ende herët të thuhet diçka rreth asaj se çka do të jetë rezultati i këtij hetimi” tha CNIL të enjten.

“Megjithatë, ne veçse mund të deklarojmë se Google vërtetë ka incizuar fjalëkalimet e qasjes së e-maileve dhe pjesë të zgjeruara të mesazheve në kuadër të postës elektronike” shtoi CNIL.

Autoritetet e mbrotjtjes së të dhënave në Spanjë dhe Gjermani gjithashtu i kanë kërkuar Google për qasje në të dhënat e trafikut WiFi të kapura në shtetet përkatëse, por CNIL ishte i pari që mori dritën e gjelbër për këtë hetim.

Lajmet e fundit>