Lajmet

Autoriteti i Konkurrencës hetim ndaj tre operatorëve celularë për abuzim me pozitat dominuese

May 24 2017
0 Shpërndarje
Rreth dy muaj më parë operatorët tre nga katër operatorët që operojnë në tregun shqiptar rritën menjëherë çmimet e paketave Autoriteti i Konkurrencës hetim ndaj tre operatorëve celularë për abuzim me pozitat dominuese

Në një njoftim për shtyp të datës 23 Maj, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të hapë hetim ndaj tre kompanive celulare në Shqipëri nën akuzat e abuzimit me pozitat dominuese në treg.

Ky vendim i cili mund të trondisë tregun e shërbimeve të telefonisë së lëvizhshme vë në shënjestër operatorët Vodafone, Telekom dhe Albtelecom të cilët dyshohet se në mënyrë të koordinuar kanë rritur çmimet e paketave dhe ofertave më datën 27 Mars 2017.

“Nisur nga ankesat e depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës nga Qendrat e “Konsumatorit Shqiptar,” si dhe 3 ankimues me objekt “Hetimi i tregut të telefonisë celulare në lidhje me shfaqen e praktikave të koordinuara dhe abuzimin me pozitën dominuese” për planet tarifore që ofrojnë për publikun e telefonisë celulare sekretaria ka monitoruar tregun e shërbimeve të telefonisë celulare,” shkruhej në deklaratën e Autoritetit të Konkurrencës.

Ky institucion tha se nga monitorimi ka rezultuar se disa nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimet në këtë treg kanë ndryshuar paketat për klientët me parapagim. Autoriteti ka vendosur hapjen e procedurave hetimore për tregun me pakicë të shërbimeve celulare për të hetuar nëse ka apo jo kufizim të konkurrencës.

Rreth dy muaj më parë operatorët tre nga katër operatorët që operojnë në tregun shqiptar rritën menjëherë çmimet e paketave dhe bëhet fjalë për tre operatorët më të fuqishëm: ALBtelecom, Vodafone dhe Telekom Albania.

Tashmë nuk ofrohej më një paketë 1,000 lekëshe por 1,100, 1,400 dhe 2,000 lekëshe. Ky ndryshim u aplikua menjëherë nga secili operator.

Kostoja e paketave u ndryshua së bashku me minutat, SMS-të dhe Megabajtët që përmbanin. Paketa 1,000 lekëshe u hoq nga qarkullimi dhe më e lira e cila ofronte leverdi në komunikimit dhe shfletim në internet që mund të blinit ishte 1,100 lekë e cila përmbante ato minuta, SMS dhe MB të paketës e cila më parë ishte 1,200 lekë.

Si për ironi të tre operatorët, Vodafone, ALBtelecom dhe Telekom Albania ka të njëjtat paketa jo vetëm në kosto por edhe atë që ofrojnë. Vlen të theksohet se ofrohet edhe një paketë 800 lekëshe me 200 minuta kombëtare, 200 SMS dhe 500MB internet e cila nisur nga përdorimi mesatar i një telefoni besojmë se nuk përmbush dot nevojat e konsumatorëve.

Operatori i Katërt, Plus Communication, është i vetmi që nuk ka ndryshuar tarifat. Drejtuesit e Plus vazhdimisht kanë hedhur akuza në të kaluarën ndaj konkurrencës së pandershme në treg, akuza të cilat kryesisht shënjestronin Vodafone. /CIO Albanian

Lajmet e fundit>