Lajmet

Avast: Përdoruesit e XP-së po sulmohen që tani 6 herë më shumë se ata të Windows 7

Mar 19 2014
0 Shpërndarje
Avast: Përdoruesit e XP-së po sulmohen që tani 6 herë më shumë se ata të Windows 7

0722-thumb-100045189-galleryParalajmërimet për Windows XP nuk janë shaka. Pas 8 prillit të këtij viti, Microsoft-i do të ndërpresë suportin për përditësimet e sistemit 13 vjeçar dhe kompanitë e sigurisë po ngrenë alarmin për të gjithë përdoruesit në mënyrë që t’i ndërgjegjësojnë ata të mos e përdorin më sistemin operativ pas kësaj date.

“Dobësitë në të janë shenjëstër e thjeshtë për hakerët dhe shihen si një portë për të infektuar edhe sistemet e tjera që nuk janë XP,” shprehet shefi i operacionales së Avast. “Statistikat tona tregojnë se që tani, përdoruesit e XP-së kanë më tepër shanse për t’u sulmuar në krahasim me ata të Windows 7 dhe pasi Microsoft-i të mos ofrojë më përditësime, situata mund të përkeqësohet.”

Është fiks ashtu siç e keni lexuar: nëse jeni përdorues i XP-së keni gjashtë herë më tepër shanse për t’u sulmuar. Dhe të mos harrojmë që këto shifra vlejnë që tani, kur sistemi është akoma në suport. Sikur të mos mjaftojë kjo, Avast raporton edhe se rreth një e katërta e përdoruesve të vet, ose ndryshe 211 milionë, vazhdojnë të kenë Windows XP. Në total, vlerësohet se në gjithë botën një e pesta deri në një  e treta e kompjuterëve të lidhur në rrjet operojnë me Windows XP.

Në muajin e parë që Microsoft-i do të lançojë përditësime sigurie për versionet e suportuara të Windows-it, sulmuesit do të kryejnë procesin e inxhinierimit të kundërt tek këto përditësime, do të gjejnë dobësitë dhe do të testojnë nëse ato gjenden edhe në XP. Duke qenë se nga ana e Microsoft-it nuk do të ketë më asnjë përditësim për XP-në, ky sistem do të jetë përjetësisht i hapur ndaj sulmeve.

Kështu që sugjerohet për të gjithë përdoruesit e XP-së që të fillojnë në ditët në vazhdim kalimin në Windows 7 ose 8. Ndërkohë, Avast do të vazhdojë të suportojë XP-në edhe pas datës 8 prill. Gjithsesi, ky nuk duhet të jetë motiv për ta përdorur sistemin. Në PCWorld mund të gjeni edhe shumë artikuj të tjerë që ju japin këshilla se si të veproni pas përfundimit të suportit për Windows XP. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>