Lajmet

Bajerni kampion Evrope, Kosova trend në Twitter

May 26 2013
0 Shpërndarje
Bajerni kampion Evrope, Kosova trend në Twitter

Finalja e mbrëmshme e Ligës së Kampionëve zakonisht tërheq mjaft shumë vëmendje, por kësaj radhe siç duket kishte tërhequr vëmendje edhe më të madhe, për shkak se, për herë të parë, ekipi në të cilin luan një shqiptar po merrte pjesë në këtë finale.

Fitorja e ekipit të tij në këtë ndeshje ka ngjallur emocione te shumë shqiptarë, të cilët me postimet e tyre i kanë pushtuar rrjetet shoqërore.

Bëhet fjalë për futbollistin nga Kosova, Xherdan Shaqiri, i cili luan për skuadrën e Bajernit të Mynihut, skuadër kjo e cila për herë të pestë në historinë e vet e fitoi këtë trofe. Xherdan Shaqiri, edhe pse nuk u përfshi në ndeshjen e mbrëmshme në lojën kundër Borusisë së Dortmundit, pas ndeshjes, ai u fut në fushë me flamurin e Kosovës dhe atë të Zvicrës.

Ndërsa flamurin shqiptar, sipas një postimi të bërë në Facebook, nuk e pati të lejuar nga UEFA që ta përdorë për festim me arsyen se ai është me prejardhje nga Kosova e jo nga Shqipëria. Këtë postim nuk e gjetëm në faqen zyrtare të Xherdan Shaqirit në Facebook, por i riu nga Mitrovica, Denis Avdiu, kishte postuar në Twitter një pamje të këtij postimi. Trofeun e ngriti pikërisht Shaqiri, ndonëse nuk e pati rastin që të japë kontributin e tij në këtë fitore.

Kishte shumë komente nga shqiptarët në rrjete shoqërore për këtë ndeshje, sidomos në Twitter, të cilat u shtuan sidomos pas ndeshjes, me ngritjen e trofeut nga vetë Shaqiri. Këto komente ishin aq të shumta në Twitter sa që kishin arritur ta kthenin termin #AcceptKOSOVAinUEFA në njërën ndër fjalët më të përdorura në këtë rrjet në ato momente.

Kosova, edhe pse ka shpallur pavarësinë para më tepër se 5 viteve dhe është njohur ndërkombëtarisht nga 98 shtete, ende nuk është pranuar në Unionin e Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (FIFA) dhe për këtë nuk i lejohet që të luajë as si shtet, por as ekipet e Kosovës nuk e kanë të drejtën të marrin pjesë në garat kualifikuese për garat evropiane si Liga e Kampionëve apo Liga e UEFA-së. (PCWorld Albanian)

Xherdan Shaqiri

Tags >

Twitter
Lajmet e fundit>