Lajmet

BarCamp Gjakova sjell konferencën e saj të radhës

Jan 22 2015
0 Shpërndarje
BarCamp Gjakova sjell konferencën e saj të radhës

barcampKomuniteti Aktiv Qytetar organizon më datë 24 Janar 2015 konferencën jozyrtare të radhës, BarCamp Gjakova #11. Ky aktivitet synon të vendosë në qendër prezantimin e ideve, inovacioneve si dhe të ofrojë një diskutim të hapur rreth çështjeve të artit. Aktiviteti i mbajtur në Gjakovë do të fillojë në orën 17.00.

Temat për diskutim do të jenë të larmishme ku folësit, Gurakuq Dobruna, Kushtrim Hoxha dhe Albulena Kryeziu do të ndajnë eksperiencat e tyre.

Gurakuq Dobruna ka lindur në Gjakovë në vitin 1967 dhe ka kryer shkollën e lartë të mjeksisë në drejtimin e fizioterapisë në Sarajevë. Ai ka qenë një ndër themeluesit e repartit fizioterapeutik në Spitalin e Gjakovës ku punoi deri në vitin 1999. Pas luftës si autodidakt Dobruna u mor me fotografi artistike dhe dizajn grafik.Aktualisht punon si dizajner grafik në kompaninë Nertili. Në Bar Camp, ai do të flasë për përvojat e tij gjatë këtij transformimi si dhe sfidat e artistëve në Kosovë.

Folësi i dytë është Kushtrim Hoxha. Ai është nga Gjakova dhe ushtron profesionin e aktorit.  Kushtrim Hoxha ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës në Akademinë e Arteve. Gjatë luftës në Kosovë, Kushtrimi u shpërngul në Amerikë ku vazhdoi studimet për aktrim. Ai ka marrë pjesë në shumë shfaqje si në Teatrin Kombëtar të Kosovës,  Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës dhe shumë teatro të tjera rajonale ashtu si edhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu Kushtim Hoxha njihet edhe si këngëtar duke realizuar disa këngë. Momentalisht ai gjendet në Kaliforni, duke ndjekur studimet master në Universitetin e San Diegos atje, dhe është i punësuar në aktrim  në teatrin The Old Globe në San Diego. Përvoja e tij artistike do të tregohet në BarCamp Gjakova nga vetë ai.

Dhe folësja e tretë është Albulena Kryeziu. Ajo ka përfunduar shkollën e mesme të Artit në Pejë në drejtimin e aktrimit. Më pas, në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve-Drejtimi Aktrim përfundoi sistemin bachelor dhe master.  Ajo ka një karrierë artistike të shtrirë jo vetëm në fushën e teatrit,por edhe në televizion dhe kinematografi.Disa nga teatrot më të famshme që ajo ka performuar janë: Teatri Kombëtar i Kosovës,Teatri Shqiptar i Shkupit,Teatri profesionist i Gjakovës,Drama Shqipe Kumanovë,Teatri i Pejës,Teatri Dodona dhe të tjerë. Albulena ka qenë protagoniste në mbi 20 filma të shkurtër dhe të gjatë ,të cilët janë shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare. Ka luajtur në sitcom dhe seriale të ndryshme: “SpitaliKS” në KTV,”Hoteli i Mihanes” në Alsat Maqedoni,”Lexi në qytet” në RTK, “Brenda drejtësisë” në RTK, “O sa mirë” Digitalb si dhe aktualisht luan në telenovelën kosovare “Stinë Dashurie” ku është bartëse e rolit kryesor. Në BarCamp ajo do të flasë për përvojën e saj 10 vjeçare në ndërtimin e karrierës artistike në teatër, television dhe kinematografi. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>